Besnik Tahiri kritikon ashpër VV-në në Podujevë

Kosova

Besnik Tahiri kritikon ashpër VV-në në Podujevë

Më: 4 gusht 2021 Në ora: 11:30
Besnik Tahiri

Kandidati për kryetar të Podujevës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka kritikuar ashpër qeverisjen në këtë komunë përkatësisht për projektin e Hartës Zonale të saj.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në facebook, Tahiri ka thënë se ky dokument e lë Podujevën qytezë e jo qytet siç e meriton.

”Pushteti i ri me qasje të vjetra po e lë Podujevën qytezë e jo qytet siç e meriton

Projekti i Hartës Zonale i Komunës së Podujevës pa PËRFILLUR procedurat ka kaluar vlerësimin nga ministritë sektoriale.

Ky dokument e lë Podujevën qytezë dhe jo qytet siç e meriton dhe siç është njëri prej qyteteve më të mëdha në Kosovë me mbi

89 mijë banorë, me 633 kilometra katrorë dhe me një popullsi ku 57 për qind janë nën moshën 30 vjeç.

Që ta sqaroj edhe pak më shumë, Harta Zonale duhet të ketë harmoni të plotë me Planin Zhvillimor Komunal. E ky dokument i miratuar tash ka kontradikta, mangësi dhe dykuptimësi në raport me Planin Zhvillimor.

Është joligjike dhe e pamundshme që të implementohet Harta Zonale 2020-2028 dhe t’i paraprijë Planit Zhvillimor Komunal 2016-2025.

Sepse Harta Zonale e lë Podujevën qytezë e jo qytet siç është në Planin Zhvillimor Komunal.

Këto dy dokumente duhet të jenë në harmoni sepse vështirë ndryshohen dhe prodhojnë pasoja të mëdha dhe për kohë të gjatë për qytetarët.

Harta Zonale duhet të projektoj një qytet atraktiv për të jetuar dhe për biznese e jo ta kthej Podujevën në qytezë.

Pushteti i ri me qasje të vjetra, me veprime të ngutshme, duhet të ndalet dhe të mos e degradojë edhe më shumë Podujevën”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat