Në Shtime ka pasur gjithsej 37 raste zjarri

Kosova

Në Shtime ka pasur gjithsej 37 raste zjarri

Më: 5 gusht 2021 Në ora: 20:46
Pamje nga vendi i ngjarjes

Këto ditë nga temperaturat e larta përcëlluese, era dhe koha e thatë në komunën e Shtimes janë shkaktuar disa vatra zjarri. Mirëpo falë reagimit të shpejtë të Njësisë Profesionale për Zjarrfikje dhe Shpëtim në Shtime është bërë e mundur që zjarret të lokalizohen dhe mos të kemi viktima njerëzore, dëme në prona private e publike si dhe është arritur mbrojtja e mjedisit.

Komandanti i NJPZSH-së, Bajram Gashi, ka bërë të ditur se vetëm sot në orët e pasditës janë shënuar gjithsej 7 raste zjarri, të cilat pas intervenimit të njësisë së ekipeve zjarrfikëse janë shuar. Ai tregoi se vetëm brenda një jave (30. 7. – 5. 8. 2021) ka pasur gjithsej 37 raste zjarri, në mesin e të cilave ishin 13 vatra zjarri.

Në vazhdim komandant Gashi ka shpjeguar për masat paraprake të ndërmarra dhe reagimin e tyre të shpejtë. “Me intervenim serioz dhe në mënyrë efikase kemi bërë që mos të kallet asnjë shtëpi banimi, Gjimnazi “Naim Frashëri” në Shtime dhe sot Stacioni i Karburantëve e Hoteleria “Besim Commerce” në fshatin Gjurkovc”, ka treguar komandanti i zjarrfikësve të Shtimes, Bajram Gashi.

Duke pasur parasysh rrezikshmërinë që vjen si pasojë e temperaturave të larta, komandant Gashi tregoi që me kohë ka ngritur nivelin e gatishmërisë reaguese dhe operacionale me qëllim për t’u përgjigjur ndaj të gjitha kërkesave të qytetarëve në mbrojtje të jetës së tyre, pronës publike/private dhe ambientit në përgjithësi.

Pothuajse gjatë gjithë kohës në mbështetje të NJPZSH-së ishte drejtori i Shërbimeve Publike, Hamzë Tërshani si dhe strukturat tjera, të cilat janë pjesë e mobilizmit lokal, tha Gashi. Ai për mbështetje dhe përkrahje gjatë situatës së krijuar ka falëndëruar Policinë e Kosovës në Shtime dhe mekanizmat tjerë, që kanë bërë përpjekje maksimale për të evidentuar zjarrvënësit e qëllimshëm dhe për t’i vënë ata përpara përgjegjësisë ligjore. Po ashtu, Gashi ka falënderuar edhe të gjithë ata qytetarë, të cilët në baza vullnetare kanë treguar përgjegjshmëri të lartë, duke ndihmuar në lokalizimin e zjarreve dhe kësisoj edhe mbrojtjen e pronës dhe ambientit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat