Lladrovci me emocione ngushëllon për Tahirin: Tashmë, Ramushi është bashkë me Fehën

Kosova

Lladrovci me emocione ngushëllon për Tahirin: Tashmë, Ramushi është bashkë me Fehën

Më: 13 gusht 2021 Në ora: 23:28
Ramush Tahiri

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, është prekur thellë nga vdekja e politologut dhe atdhetarit Ramush Tahiri, i cili ishte shok me heroin Fehmi Lladrovci.

Lladrovci ka shkruar se “Ramushi me tërë qenien e vet, ishte një atdhetar i mirëfilltë, si politolog, mendimtar, politikan, shok e mik, i paepur në idetë e tij për liri dhe për çlirim, i përkushtuar për shtetformim dhe shtetndërtim, mik i rrallë dhe shumë besnik.”

Postimi i plotë i Lladrovcit:

Shumë e nderuara dhe çmuara Familja Tahiri, Lenditë, Kreshnik, Valdrin,

Lajmi se më i dashuri Juaj dhe yni, Ramushi u nda nga ne fizikisht, është lajm që më trishtoi dhe më shkaktoi dhimbje të madhe.

Ai ishte mik imi, familjes Lladrovci dhe vëllait tim, Fehës.

Ramushi me tërë qenien e vet, ishte një atdhetar i mirëfilltë, si politolog, mendimtar, politikan, shok e mik, i paepur në idetë e tij për liri dhe për çlirim, i përkushtuar për shtetformim dhe shtetndërtim, mik i rrallë dhe shumë besnik.

Ramushin e njoha në ditët më të rënda të robërisë, kur nëpërmjet Fehës u njoha me të, si shok të ngushtë, të çmueshëm dhe shumë të rrallë të Fehës. Shokët e Fehës, ishin edhe shokët e mi dhe isha krenar me miqësinë e tij deri në ditët e sotme.

Respekti i familjes Lladrovci për Ramush Tahirin është i hershëm dhe i madh, sepse bartte me vete edhe një pjesë të historisë dhe kujtimeve nga jeta e përbashkët studentore në Zagreb, me Fehën.

Vizita e fundit që ia bëra në spital, para disa ditësh, dhe njoftimi nga Kreshniku, për gjendjen reale shëndetësore, më prekën pa masë.

Mbahuni të fortë Lindita, Kreshnik, Valdrin!

Tashmë, Ramushi është bashkë, me shokun e tij Fehën, duke qenë përgjithmonë në kujtimet tona, gjithmonë i dashur e i nderuar!

I përjetshëm është kujtimi për Ramushin, mikun e shokun tonë, atdhetarin e mendimtarin e kulluar shqiptar!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat