​U kapën me 31 kg drogë, kërkohet paraburgim ndaj dy të dyshuarve

Kosova

​U kapën me 31 kg drogë, kërkohet paraburgim ndaj dy të dyshuarve

Më: 18 gusht 2021 Në ora: 13:20
Foto ilustrim

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, njofton se dje rreth orës 17:25, prokurori kujdestar i Departamentit të Krimeve të Rënda është njoftuar nga Policia e Kosovës-Njësiti Anti-Drogë, se janë në përcjellje të disa personave që dyshohen se janë duke transportuar substanca narkotike, ashtu që, në momentin e njoftimit të njëjtit kanë qenë në pritje në Komoran të Drenasit për ndërmarrjen e veprimeve konkrete procedurale.

Rreth orës 17:48, është njoftuar prokurori kujdestar nga Policia e Kosovës se kanë ndaluar një veturë, në të cilën janë zënë të dyshuarit dhe me rastin e kontrollimit të kësaj veture kanë gjetur dhe sekuestruar rreth 31 kg substancë narkotike e llojit marihuanë.

Policia e Prishtinës në bashkëpunim me Policinë e Pejës, duke vepruar sipas autorizimeve të Prokurorit të Shtetit, si dhe në koordinim me Prokurorinë e Pejës dhe Gjykatën Themelore në Pejë, është urdhëruar masa e kontrollit të shtëpive dhe objekteve përcjellëse të të dyshuarit B.S., me ç’ rast është sekuestruar një veturë e tipit “Mercedes”, e cila dyshohet se është përdorur për kryerjen e veprës penale, po ashtu, është sekuestruar një veturë e tipit “Toyota Land Cruiser” me targa të Shqipërisë, një veturë e tipit “Passat”, në të cilën është gjetur substancë narkotike, dy telefona, 1050 euro dhe 1350 lekë.

Me aktvendim të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar A.M., shtetas i Shqipërisë dhe B.S., shtetas i Kosovës, në kohëzgjatje prej 48 orësh, dhe ndaj të njëjtëve është paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat