VOA: Rëndohet situata me COVID-19 në Kosovë

Kosova

VOA: Rëndohet situata me COVID-19 në Kosovë

Më: 18 gusht 2021 Në ora: 17:33
Foto ilustrim

Autoritetet në Kosovë konfirmuan të martën se gjatë 24 orëve të fundit, katër persona kanë humbur jetën nga pasojat e COVID-19. Po ashtu brenda 24 orëve janë konfirmuar 2 mijë e 110 raste të reja të të prekurve nga virusi, që është dita me numrin më të madh të të infektuarve gjatë këtij viti.

Muaji gusht shënoi një përkeqësim të gjendjes me pandeminë COVID-19, duke regjistruar numra rekord të të infektuarve.

Sipas të dhënave të përpunuara nga Zëri i Amerikës, vetëm gjatë 18 ditëve të muajit gusht janë regjistruar 12 mijë e 276 raste të reja të të prekurve nga COVID-19, që paraqet numër shumë më të lartë se sa tre muajt paraprak të marrë së bashku.

Gjatë muajit maj, qershor dhe korrik ishin regjistruar gjithsej 3 mijë e 170 raste.

Ajo që bie në sy gjatë ditëve të fundit është se më të prekurit janë të moshave 20 deri në 29 vjeç. Autoritetet shëndetësore thonë se pjesa më e madhe janë të prekur nga varianti ngjitës Delta i koronavirusit dhe po bëjnë thirrje për vaksinim në masë.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive, Arben Vishaj, i tha Zërit të Amerikës se te pacientët e vaksinuar virusi po manifestohet në formë më të butë.

“Kryesisht dominon varianti, mbi 98 për qind te mostrave të testuara kanë rezultuar pozitiv në variantin Delta dhe ne i kemi regjistruar deri tani 11 pacientë që kanë qenë të vaksinuar dhe janë hospitalizuar te ne. Gjendja e tyre është e qëndrueshme dhe kemi vërejtur se te pacientët e vaksinuar është manifestuar një formë më e butë e simptomave dhe pamjes klinike në përgjithësi, tha zoti Vishaj.

Fazli Jashari nga fshati Peran i komunës së Podujevës, është i shtrirë në Klinikën Infektive në Prishtinë. Ai tregon se është i pavaksinuar ndërsa bën thirrje për vaksinim.

“Ka 17 ditë që jam këtu, këtë virus po e kaloj këtu me këtë staf mjekësor shumë mirë, ka vështirësi, ka dhimbje e të gjitha, por meqë po kujdesen aq mirë për ne edhe sëmundjen po na e lehtësojnë pak”.

Deri tash në Kosovë janë vaksinuar mbi 400 mijë veta me dozën e parë dhe mbi 215 mijë me dozën e dytë të vaksinës.

Qeveria e Kosovës pritet të miratojë të mërkurën masa të reja kufizuese për të parandaluar zgjerimin e mëtejmë të infektimeve.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se do të diskutohet mbyllja e klubeve të natës si dhe shkurtimi i orarit të punës së kafeneve dhe restoranteve.

“Arsyeja përse masat kufizuese do të ndërmerren e zbatohen në këta sektorë është se shpërndarja më e madhe e virusit është evidente që po vjen nga grumbullimet e mëdha në hapësira të mbyllura dhe nga mosrespektimi i masave në fuqi”.

Rritja e hovshme e numrit të infektimeve po sfidon edhe mundësitë e sistemit shëndetësor të vendit. Para 1 muaji në spitalet që trajtojnë rastet me COVID-19 në Kosovë ishin të shtrirë 82 të infektuar, ndërkaq sot sipas Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar në këto spitale janë të shtrirë 575 pacientë.

“Kemi reparte ku një infermier përkujdeset mesatarisht për 18 deri në 20 pacientë, ndërsa te mjekimi intensiv fatmirësisht ne kemi 2 infermiere, normalisht është edhe kjo mungesë sepse do të duhej së paku edhe një, mirëpo në krahasim me reparte tjera ne qëndrojmë mirë”, tha Nderim Hasani, ushtrues i detyrës së shefit të repartit të mjekimit intensiv.

Edhe rastet e vdekjes si pasojë e COVID-19 kanë filluar të rriten gjatë muajit gusht. Deri të martën në Kosovë u regjistruan 25 raste të vdekjes, që është një rritje krahasuar me dy muajt e fundit, qershor dhe korrik, kur ishin regjistruar 23 të vdekur.

Kosova ka kaluar edhe dy faza të tjera me rritje të lartë të infektimeve. Në muajin nëntor të vitit të kaluar ishin regjistruar 19 mijë 754 raste të të prekurve nga koronavirusi ndërsa shifrat më të larta u regjistruan në muajin mars të këtij vitit numri i të prekurve kishte kaluar mbi 22 mijë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat