​Sveçla: Gjasat për strehimin e afganëve në Qendrën e Studentëve janë minimale

Kosova

​Sveçla: Gjasat për strehimin e afganëve në Qendrën e Studentëve janë minimale

Më: 25 gusht 2021 Në ora: 15:44
Xhelal Sveçla

Ministria e Punëve të Brendshme po e përjashton mundësinë që shtetasit afganë të strehohen në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.

Ministri Xhelal Sveçla ka thënë se nuk ka kapacitete të mjaftueshme për t’u marrë me situata të tilla të jashtëzakonshme.

Ani pse nuk ka treguar se kur ata do të vijnë në Kosovë, ai ka thënë se kanë disa alternativa për strehimin e tyre.

Në një konferencë për media, Sveçla ka thënë se janë në koordinim të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Ambasadën amerikane në Kosovë për strehimin e afganëve.

Sveçla ka shtuar se kanë bërë planet operative që gjithë ky proces të zhvillohet në organizimin të mirë.

Sveçla: Gjasat për strehim në Qendrën e Studentëve janë minimale

“Ka disa alternativa të ndryshme qoftë për strehim por edhe për mënyrën e pritjes dhe transportimit të tyre në vendet ku do të akomodohen. Qendra e Studentëve ka qenë një prej alternativave që realisht gjasat për të ndodhur tani janë minimale. Megjithatë nuk duhet harruar se Kosova ka kapacitete jashtëzakonisht të vogla për t’u marrë me situata të këtilla të jashtëzakonshme. Edhe vetë SHBA dhe NATO është befasuar me situatën se si kanë rrjedhur gjërat tash. Por, lirisht mund të them se gjasat që shtetasit afganë të cilët kërkojnë mbrojtje të përkohshme në Kosovë të vendosen në Qendrën Studentore janë minimale, apo nuk janë aktuale më”, ka deklaruar Sveçla.

Institucionet e Kosovës janë deklaruar se janë duke bërë përgatitjet e duhura logjistike e teknike, por edhe të sigurisë dhe sociale për strehimin dhe mbrojtjen e qytetarëve nga Afganistani.

Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga Kosova që të pranojnë një pjesë të punëtorëve afganë që kanë punuar me forcat e huaja, mirëpo që tash ndihen të pasigurt pasi vendi është marrë nën kontrollin e talibanëve.

Deri më tani ende nuk dihet se sa do të jetë numri i afganëve që do të qëndrojnë në Kosovë, derisa t’iu përfundojnë procedurat e vizave amerikane.

Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për dhënien e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan.

Kosova ka dy qendra të azilkërkuesve një në Magurë të Lipjanit dhe një në fshatin Vranidoll të Komunës së Prishtinës. Këto dy qendra kanë kapacitet të vogël dhe në kushte optimale mund të pranojnë jo më shumë se deri në 100 persona.

Si vend i mundshëm i strehimit është përmendur Parku i Inovacionit dhe i Trajnimeve në Prizren, i cili në të kaluarën kishte shërbyer si kamp ushtarak gjerman dhe Qendra e Studentëve.

Në vitin 2017, kur Kosova filloi të presë numër të refugjatëve nga vendet e Lindjes së Mesme, autoritetet në atë kohë patën deklaruar se kishin një plan dhe ishin të gatshëm të strehonin më shumë se 3.000 refugjatë, nëse paraqitjen nevoja.

Kosova nuk ka pasur numër të madh të refugjatëve, por vendi kryesisht përdoret si transit për në vende të ndryshme të Evropës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat