Kosova pranon 55 automjete ushtarake nga SHBA, Osmani: U rezistojnë predhave

Kosova

Kosova pranon 55 automjete ushtarake nga SHBA, Osmani: U rezistojnë predhave

Më: 30 gusht 2021 Në ora: 06:06

(E plotësuar 14:00) - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mori pjesë në ceremoninë e pranim – dorëzimit të 55 automjeteve të blinduara ushtarake (ASV), donacion ky i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Në ceremoninë që u organizua nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i FSK-së në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, folën Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeministri Kurti i shprehu mirënjohjen dhe falënderimet më të sinqerta Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyeshme për zhvillimin e sistemit të mbrojtjes së vendit tonë.

Image

“Në rrugën e rritës dhe zhvillimit të ushtrisë sonë, rol jashtëzakonisht të rëndësishëm është duke luajtur partneri ynë i pazëvendësueshëm strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha kryeministri Kurti, dhe theksoi se ShBA së bashku me shtetet e tjera partnere vazhdojnë të jenë kontribues aktiv në çdo fazë të zhvillimit dhe modernizimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Mbështetja me automjetet e blinduara nga ShBA për Forcën e Sigurisë së Kosovës, sipas kryeministrit, është vetëm njëra nga shumë fusha, ku Shtetet e Bashkuara po kontribuojnë ndjeshëm për mbrojtjen dhe sigurinë e vendit tonë.

Image

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

E nderuara presidente e Republikës së Kosovës, zonja Vjosa Osmani,

I nderuar Ministër i Mbrojtjes, zotëri Armend Mehaj,
I nderuari Gjeneral Major, Enver Cikaqi,
I nderuari zëvendësministër i Mbrojtjes, zotëri Shemsi Syla,

Gjeneralë, oficerë dhe ushtarakë të Forcës së Sigurisë së Kosovës,

Të nderuar përfaqësues të Ambasadës dhe Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës,

Përfaqësues të KFOR-it dhe Ekipit këshillues të NATO-s për FSK-në,

Republika e Kosovës këto ditë është duke u përballur me sfida e vështirësi që vijnë si rezultat i pandemisë globale. Institucionet e vendit janë duke u angazhuar maksimalisht që kjo valë e radhës e pandemisë Covid-19, me variantin më të rrezikshëm Delta, të kalojë me sa më pak jetë të humbura dhe me sa më pak pasoja për qytetarët dhe ekonominë e vendit tonë. Pavarësisht kësaj gjendje të rënduar, Republika jonë, vazhdon të mbetet e përkushtuar që të punojë, bashkë me aleatët dhe partnerët për të kontribuar për paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë dhe sigurinë rajonale e globale.

Vendi ynë po mirëpret refugjatët afganë, po mbështetë ushtarakisht paqen në Lindjen e Mesme si dhe po mbështetë vendet e rajonit në përballimin me fatkeqësitë natyrore, siç ishte rasti me zjarret në Republikën e Shqipërisë. Forca e Sigurisë së Kosovës është duke luajtur rol të rëndësishëm e duke dhënë kontribut të çmuar në këto zhvillime. E, kjo për faktin që kjo Forcë vazhdon të zhvillohet e ngritet në përputhje me vlerat dhe standardet që promovon dhe aplikon NATO.

Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës krahas angazhimit për mbështetjen e institucioneve dhe qytetarëve të vendit tonë janë duke punuar pandalshëm për ngritjen e kapaciteteve luftarake me qëllim ndërtimin e aftësive të reja ushtarake për mbrojtjen e territorit, përkrahjen e autoriteteve civile të vendit dhe mbështetjen e paqes në botë.

Në rrugën e rritjes dhe zhvillimit të ushtrisë sonë, rol jashtëzakonisht të rëndësishëm është duke luajtur partneri ynë i pazëvendësueshëm strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. ShBA-të së bashku me shtetet tjera partnere vazhdojnë të jenë kontribuues aktiv në çdo fazë të zhvillimit dhe modernizimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Mbështetja me automjete të blinduara nga ShBA për Forcën e Sigurisë së Kosovës është vetëm njëra nga shumë fusha, ku Shtetet e Bashkuara po kontribuojnë ndjeshëm për mbrojtjen dhe sigurinë e vendit dhe të popullit tonë.

Me këtë rast në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës shprehë falënderimet më të sinqerta dhe u jemi mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyeshme për zhvillimin e sistemit të mbrojtjes së vendit tonë.

Qeveria e Kosovës, mbrojtjen e territorit dhe sovranitetin e Republikës sonë e sheh si një interes vital shtetëror dhe, në këtë aspekt, përkrahjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës e trajton me prioritet të veçantë.

Ne do të vazhdojmë të zhvillojmë politikat e mbrojtjes, të përditësojmë kornizën ligjore dhe të ndërtojmë kapacitetet operacionale të FSK-së në atë drejtim që të jenë të përputhshme dhe të ndërveprueshme me NATO-n dhe me qëllim përafrimin dhe anëtarësimin në këtë organizatë.

Zbarkimi i përbashkët i pjesëtarëve të FSK-ë me pjesëtarët e ushtrisë amerikane në Kuvajt, pjesëmarrja dhe mikpritja si vend nikoqir i ndërmarrjes më të madhe ushtarake “DEFENDER EUROPE 2021”, ka dëshmuar që Forca e Sigurisë së Kosovës i k amë të mëdha aftësitë se sa mundësitë, prandaj vullnetit tuaj të paepur me të cilin jeni të pajisur si ushtarakë, ne po ja bashkëngjesim, bashkërisht edhe pajisjet e tjera ushtarake siç janë këto automjete moderne.

Andaj, i nderuar ministër Mehaj dhe ju ushtarakë të Forcës së Sigurisë së Kosovës,

Uroj që këto automjete të blinduara të përdoren në mënyrën më të mirë në shërbim të ruajtjes së interesave të vendit dhe sigurisë e stabilitetit në vend, në rajon dhe më gjerë.

Njëkohësisht, edhe një herë, falënderoj Qeverinë e Shteteve të Bashkuara për këtë donacion me shumë vlerë për forcën tonë.

Ju faleminderit.

Image

***

Kryeministri Albin Kurti nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka folur për gjendjen pandemike në vend.

Sipas tij, institucionet po punojnë maksimalisht që kjo valë e re të kalojë me sa më pak dëme në ekonomi.

Me pranimin e donacionit prej 55 automjeteve të blinduara nga ShBA-ja ai tha se FSK-ja po zhvillohet dhe kjo falë aleatëve strategjik që po ndihmojnë për sigurinë e vendit.

Image
Kryeministri Albin Kurti

Kreu i Qeverisë potencoi se mbrojtja e territorit është interes vital dhe se të gjitha politikat do të bëhen në koordinim me NATO-n.

“Republika e Kosovës këto ditë është duke u përballur me sfida si rezultat i pandemisë globale. Institucionet po punojnë maksimalisht që kjo valë e re të kalojë me sa më pak dëme në ekonomi”.

“Vendi ynë po mirëpret refugjatët afgane po mbështet paqen në lindjen e mesme ushtarakisht. FSK po jep kontribut të veçantë në këto zhvillime. Ministria e Mbrojtjes dhe FSK po punojnë pandalshëm për rritjen e kapaciteteve ushtarake”.

Image

“Në rrugën e zhvillimit të ushtrisë sonë rol të rëndësishëm po luan ShBA dhe partnerët tjerë strategjik. Kjo mbështetje është vetëm një nga fushat ku ShBA-të po ndihmojnë për sigurinë e vendit tonë”.

“Qeveria e Kosovës mbrojtjen e territorit e sheh si një interes vital shtetëror. Ne do të vazhdojmë të zhvillojmë politikat e mbrojtjes që të jenë të përputhshme me NATO-n me qëllim anëtarësimin në këtë organizatë”, tha ai.

“FSK-ja i ka më të mëdha aftësitë se sa mundësit. Ne po ju bashkëngjisim pajisjet tjera ushtarake si këto pajisje moderne. Uroj që këto automjete të blinduara të përdorën në mënyrën më të mirë”.

***

Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia kanë dhuruar Kosovës 55 automjete ushtarake. Me këtë rast, presidentja e vendit, Vjosa Osmani shprehu mirënjohjen e saj ndaj presidentit të SHBA-së, Joe Biden, ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, ushtrisë amerikane si dhe popullit amerikan.

Presidentja Osmani tha se SHBA-ja po kujdeset që Kosova t’i zhvillojë kapacitetet e saj ndërvepruese ushtarake.

“Dua që t’i shpreh mirënjohjen e thellë të qytetarëve të Republikës së Kosovës presidentit të Shteteve të Bashkuara, presidentit Biden, ambasadorit Kosnett, gjithë qeverisë amerikane, në veçanti ushtrisë së SHBA-së, por mbi të gjitha popullit amerikan, i cili po kujdeset që Kosova t’i zhvillojë kapacitetet e saj ndërvepruese ushtarake krahas zhvillimit të jetës demokratike dhe funksionimit të mirëfilltë të institucioneve të vendit”, tha Osmani.

Image

Ajo më tej tregoi karakteristikat e automjetet që SHBA-ja ia dhuroi FSK-së. Osmani tha se ato u rezistojnë predhave dhe se janë të ndërtuara për terrene të vështira.

“Këto pajisje të cilat janë karakteristikë për terrene të vështira dhe kanë rezistencë efikase ndaj goditjes së predhave, do t’u mundësojnë juve që veprimet tuaja në ruajtjen e paqes t’i zgjeroni e t’i shtrini gjithandej ku ju kërkohet”, tha presidentja Osmani.

Image

Duke i uruar edhe ushtarët, Osmani tha se shpreson që Kosova së shpejti të sigurojë edhe helikopterë që janë shumë të nevojshëm.

“Shpresoj që faza e ardhshme të përfshijë edhe helikopterët shumë të nevojshëm, të cilët do të shërbejnë edhe për të shpëtuar jetë njerëzish në raste emergjencash dhe katastrofash natyrore”, tha Osmani.

Image

Kosova pranon nga SHBA automjete ushtarake të blinduara për FSK-në

Shtetet e Bashkuara të Amerikës sot i kanë dhuruar Forcës së Sigurisë së Kosovës 55 automjete ushtarake.

Image

Për pritjen e këtyre automjeteve është organizuar një ceremoni ku është duke marrë pjesë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

***

Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) organizojnë ceremoninë e pranim-dorëzimit të donacionit të SHBA-së me automjete ushtarake të blinduara, të tipit  M1117 Armored Security Vehicle (ASV).

Ceremonia në fjalë do të mbahet sot në Kazermën “Adem Jashari”

Me këtë rast, do të marrin pjesë Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Gjithashtu, në këtë ceremoni do të marrin pjesë edhe autoritete të larta ushtarake civile vendore dhe  ndërkombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat