​Rreth 20 mijë banorë të Fushë-Kosovës vaksinohen kundër COVID-19

Kosova

​Rreth 20 mijë banorë të Fushë-Kosovës vaksinohen kundër COVID-19

Më: 1 shtator 2021 Në ora: 14:56
Foto

Me shpërthimin e variantit Delta në Kosovë interesimi i qytetarëve për tu vaksinuar është rritur në Komunën e Fushë-Kosovës. Po ashtu në Qendrën e Mjekësisë Familjare e cila është destinuar për trajtim të pacientëve me COVID-19 në Fushë-Kosovë është rritur numri i pacientëve që po kërkojnë shërbime shëndetësore.

Kryeshefi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Mustafë Gashi thotë se në këtë komunë deri më tani janë vaksinuar rreth 20 mijë banorë. Prej tyre 12 mijë qytetar tashmë janë imunizuar plotësisht me dy dozat e vaksinës anti-COVID.

Brenda ditës në palestrën sportive “Vllezërit Frashëri” në Miradi të Ulët po vaksinohen deri në 500 qytetarë përmes 6 ekipeve mjekësore të cilat janë të ndara, tri paradite dhe tri pasdite.

Gashi: Rreth 20 mijë qytetarë të Fushë-Kosovë janë vaksinuar

“Në Komunën e Fushë-Kosovës procesi vaksinimit po shkon sipas dinamikës dhe ritmit të parapara nga MSh, procesi i vaksinimit fillon nga ora 07:00 dhe mbyllet në orën 20:00 gjatë ditës po administrohen diku 500 doza të vaksinave interesimi i qytetarëve është mjaftë i madh sidomos kohëve të fundit pas shpërthimit të valës së re të koronavirusit[...]deri më tash janë administruar 19 mijë e 900 doza rreth 20 mijë doza prej tyre rreth 12 mijë qytetarë kanë marr dy dozat kanë përfunduar procesin e komplet vaksinimit ndërsa pjesa tjetër janë vetëm me nga një dozë”, tha ai.

Gashi thotë po ashtu se në qendrën e vaksinimit në Fushë-Kosovë nuk ka pritje e tollovi pasi qytetarët po respektojnë terminet e caktuara gjatë aplikimit në e-Kosova.

Gashi: Qytetarët po respektojnë terminet

“Mund të them se shumica e qytetarëve po e respektojnë kohën dhe sipas e-maileve dhe mesazheve që po i pranojnë në telefon është e caktuar edhe data lokacioni dhe koha e marrjes së vaksinës dhe shumica e qytetarëve kanë filluar me i respektuar këto termine, vjen në minutën e caktuar e merr vaksinën dhe kjo është avantazh edhe për neve sepse nuk e ngarkon qendrën me shumë pacientë, por edhe për qytetarin që planifikon kohën e marrjes së vaksinës”, u shpreh Gashi.

Për dallim nga herët e kaluara tashmë në Fushë-Kosovë pacientë e infektuar me COVID-19 tashmë po trajtohen në një Qendër të Mjekësisë Familjare të veçantë. Gashi thotë se kërkesat mjekësore nga qytetarët e Fushë-Kosovës këto ditë janë mjaftë të mëdha, por thekson se me barnat nga lista esencial janë mirë të furnizuar.

Gashi: Kërkesat nga pacientët janë të mëdha

“Ne kemi organizuar një qendër të re të mjekësisë familjare në Fushë Kosovë, është objekt i ri të cilin e kemi destinuar për tu ndihmuar qytetarëve të cilët aty kanë mundësi të testohen pra të vlerësohen se a janë të infektuar me këtë sëmundje të marr edhe trajtimin e nevojshëm mjekësor. Vizitat mjekësore, terapia intravenoze këshillime[...]Aty kërkesat janë mjaftë të mëdha, aty punojnë dy ekipe të mjekëve paradite dhe një ekip pasdite, punohet të shtunën dhe të dielën[...]Ne furnizohemi nga lista esenciale e cila është e planifikuar në baza vjetore dhe mujore dhe aty kemi një qëndrueshmëri dhe furnizim të rregullt, por është e pamjaftueshme për kërkesat e qytetarëve, këto kërkesa vazhdimisht azhurohen, mirëmbahen dhe plotësohen nevojat nga lista komerciale, barnat që blihen nëpërmes komunës. Patjetër që ka edhe barna që kërkojmë nga qytetari që me mjetet e tij financiare të blihen dhe kjo e rëndon dukshëm koston e mjekimit të qytetarëve por ato bazike ne i kemi për nivelin primar në mjekësinë familjare”, theksoi kryeshefi i QKMF-së në Fushë-Kosovë.

Gjatë 24 orëve të fundit, janë shënuar 26 raste të vdekjes, kurse pozitiv me koronavirus kanë rezultuar 1 mijë e 383 qytetarë të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat