Për dy ditë u hulumtua në Kolluder në një nga 4 pikat e dyshimta për grupin e “ 23 intelektualëve të Mitrovicës”, po nuk u gjet asgjë

Kosova

Për dy ditë u hulumtua në Kolluder në një nga 4 pikat e dyshimta për grupin e “ 23 intelektualëve të Mitrovicës”, po nuk u gjet asgjë

Nga: F. Beka Më: 4 shtator 2021 Në ora: 13:38
Pamje nga hulumtimet në Kolluder

Për dy ditë rresht  me 2 edhe 3 shtator, ekipet përkatëse të mjekësisë ligjore, policisë dhe pjesëtarëve të komisioneve për persona të pagjetur, kanë marr pjesë në gërmime në një nga katër vendet ku dyshohet të jenë varrosur grupi i ashtuquajtur i intelektualëve të Mitrovicës, mirëpo deri tash nuk janë gjetur gjurmë të varrezave të tyre.

Siç dihet në prillin 1999, një grup i përbërë nga doktori Adem Ademi e ku ishin edhe shumë intelektual, profesor nga qyteti i Mitrovicës, ishte ndaluar nga policia dhe më pas ishin vrarë dhe sipas deklaratave që ka pasur Shoqata “Zëri i Prindërve” por edhe fakteve të grumbulluara, ata janë vrarë në Dreth e më pas janë varrosur në Kolluder në varreza të veçanta një nga një.

Kryetari i Shoqatës “Zëri i prindërve” Bajram Qerkini ka vite që ka kërkuar hulumtimin rreth trupave të grupit të intelektualëve, ndërkohë që përmes personave të caktuar ka siguruar edhe dokumente nga mbrojtja territoriale lidhur me kapjen, vrasjen edhe varrosjen e tyre, dokumente këto që iu ka ofruar edhe Komisionit shtetëror për persona të pagjetur.

Qerkini ka njoftuar se me 2 shtator, më në fund nisën gërmimet në njërin nga 4 vendet e dyshimta për varrezë për grupin e intelektualëve të Mitrovicës, në fshatin Kolluder të komunës së Zubin Potokut, mirëpo pas hulumtimit dyditor, nuk është gjetur asnjë gjurmë për varr, ka njoftuar ai.

Në ekipin që gërmoi përveç zyrtarëve të Mjekësisë Ligjore nga vendi ishin edhe përfaqësues nga Mjekësia Ligjore e EULEX-it, përfaqësues nga Kryqi i Kuq, Policia e Kosovës dhe pjesëtarë të Komisioneve përkatëse për personat e pagjetur nga Kosova dhe Serbia, ndër të cilët edhe kreu i Komisionit të personave të pagjetur Andin Hoti dhe kryetari i OJQ “Zëri i prindërve” Bajram Qerkini.

Sipas Qerkinit familjarët e personave që po iu kërkohen trupat nuk janë lejuar të marrin pjesë në hulumtimin e pikës së par, nga katër pika të dyshimta ku besohet të gjenden varrezat e 23 intelektualëve të Mitrovicës, përjashtim Hotit nga Komisioni Qeveritar për persona te pagjetur.

Sipas Qerkinit, përfundimi i punimeve në hulumtimin e këtij vendi të dyshimtë nuk do thotë fundi i kërkim-hulumtimit për grupin e intelektualëve të Mitrovicës, pasi sipas zyrtarëve të Komisionit qeveritar, hulumtimi do vazhdojë javën që vjen në të gjitha vendet e dyshimta ku ka indikacione se ndodhen varrezat e tyre.

Mirëpo nëse prapë nuk ka rezultat, Qerkini përsëriti qëndrimin e tij të kahershëm se duhen kërkuar edhe siguruar imazhe satelitore dhe bazuar në to, do të mund të gjenden varrezat ku janë varrosur ata, ku sipas dëshmitarëve nga ai regjion, të 23 intelektualët e vrarë në atë kohë janë varrosur në varreza të veçanta dhe janë transportuar nga Drethi në Kolluder të vogël.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat