Kiqina i reagon Lladrovcit

Kosova

Kiqina i reagon Lladrovcit

Më: 5 shtator 2021 Në ora: 14:25
Albin Kurti dhe Fejzi Kiqina

Kandidati për kryetar të Komunës së Drenasit nga Lëvizja Vetëvendosje, Fejzi Kiqina, i ka reaguar kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci i cili dje ka numëruar disa nga punët që janë bërë në Drenas dhe disa që janë në proces të realizimit.

Lladrovci ndër të tjera tha se dy kundër kandidatë të tij, (fjala për Fejzi Kiqinën e Driton Ajazin) kurrë në jetën e tyre, nuk e kanë ngritur zërin me asnjë propozim as me projekt ideor e as me kontribut të çfarëdo qoftë, për komunën e Drenasit.

I vetmi kontribut i tyre, sipas Lladrovcit janë fotografitë në facebook të këtyre ditëve për fushatë. “Kuptohet, po e bëjnë punën e bedelit, me foto e me shkrim, siç ua shkruajnë. Kaq”, kishte thënë Lladrovci.

Ndërsa një ditë pas këtij reagimi, vjen kundërpërgjigja e Kiqinës.

“Në dy mandate në qeverisjen e Drenasit, njërin të plotë, i lemerisuri ka premtuar rregullimin e shtratit të lumit, bërjen e kanalizimit, kolektorët, dhe tash krejt çka po shohim është fundi i tij politik, jo fundi i projekteve të premtuara”, ka thënë Kiqina.

Reagimi i tij i plotë ndaj Lladrovcit:

I dërguari i mashtrimit te dështimi

Jemi në proces për shtratin e lumit; jemi në proces për kanalizim; jemi në proces për kolektorë- tha ndër të tjera i lemerisuri kandidat nga fundi politik!

Procesi ka kuptim kur është i kufizuar në kohë, duke u bazuar në fjalën e dhënë. Procesi i pakufizuar është mashtrim. Procesi që nuk përfundon është dështim.

Në dy mandate në qeverisjen e Drenasit, njërin të plotë, i lemerisuri ka premtuar rregullimin e shtratit të lumit, bërjen e kanalizimit, kolektorët, dhe tash krejt çka po shohim është fundi i tij politik, jo fundi i projekteve të premtuara.

Ka premtuar edhe 4 çerdhe publike, ngrohje qendrore, tramvaj, stadium kombëtar, fabrikë për riciklim të mbeturinave, ndërtimin e rrugës Polluzhë – Drenas, shujta për nxënës, ujësjellësin për fshatra, dhe të gjtha këto projekte janë të parealizuara.

Në garën e 17 tetorit, kandidati i lemerisur do t’i përsëris premtimet. Përsëritja e premtimit tregon “suksesin” e tij të deritanishëm. Qytetarët e Drenasit nuk e japin besimin pa kufij e pa rezultate, nuk e lejojnë besimin e tyre të rrëshqas në rrota mbi binarët që nuk përfundojnë asnjëherë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat