​Nis vjelja e rrushit në Rahovec, vreshtarët kërkojnë më shumë ndihmë nga shteti

Kosova

​Nis vjelja e rrushit në Rahovec, vreshtarët kërkojnë më shumë ndihmë nga shteti

Më: 7 shtator 2021 Në ora: 14:06
​Nis vjelja e rrushit në Rahovec

Në Rahovec ka nisur sot festa e vjeljes së rrushit, ditë e cila u quajt si festë për vreshtarët e kësaj komune.

Në nisje të vjeljes së rrushit mori pjesë edhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, i cili edhe bëri hapjen e kësaj feste.

Ministri tha se 7 shtatori është një ditë e rëndësishme për vreshtarët e Rahovecit, pasi sipas tij shënon fillimin e vjeljes së punës së tyre.

Ai tha se nesër do të bëhet hapja e thirrjes për mbështetje të fermerëve të Kosovës, e që përfitues do të jenë edhe vreshtarët.

Peci: Sektori i vreshtave më i konsoliduari

"Është një ditë e rëndësishme për shkak se thjeshtë është fillimi i vjeljes së punës dhe mundit të tyre vjetor që e bëjnë nëpër vreshta. Sektori i vreshtave është më i konsoliduari prej shumë fushave ose veprimtarive të tjera dhe kulturave bujqësore në Kosovë, për shkak se përveç produkteve ose rrushit që e kemi në tregun vendor, gjithashtu është edhe përpunimi i verës dhe që është një prej artikujve që ka arritur të kultivojë edhe nivelin e lartë të verës dhe rritjes së eksportit. Ne jemi një ditë para një dite shumë të rëndësishme për të gjithë fermerët në Kosovë, për shkak se nesër planifikojmë që të bëjmë hapjen zyrtare të aplikimit për fermerët për të gjitha kategoritë dhe të gjitha kulturat bujqësore. Vitin 2021 që nga fillimi i veprimtarisë dhe përkrahjes se Ministrisë së Bujqësisë për fermerët po arrin shifrën më të madhe të realizuar ndonjëherë. Me shpalljen e nesërme që i kemi në dispozicion 21 milionë euro, ndërsa si total vitin fiskal 2021 do e përmbyllim me vlerën 50 milionë euro në përkrahje të fermerëve duke përfshi edhe vreshtarët", tha ministri.

Ditë feste nisjen e vjeljes së rrushit e ka quajtur edhe kryetari i Shoqatës së Vreshtarëve të Kosovës, Habib Dina, i cili tha se presin që ky vit të jetë i mbarë për vreshtarët.

Subvencionimin për vreshtarët nga ana e Ministrisë së Bujqësisë e ka quajtur si motivim që të merren me veprimtari bujqësore.

Dina: Ky vit pritet të jetë vit i mbarë

"Shtatori është festa zyrtare e fillimit të vjeljes së rrushit. Ky vit pritet të jetë vit i mbarë për shkak të cilësisë dhe sasisë që po e presin fermerët. Vizita e ministrit sot na ka dhënë një përkrahje, një shtytje, një motiv që të merremi me vreshtari. Subvencionet prej 1 mijë euro për hektar do t'i gëzohen fermerët edhe viteve të tjera. Shpresojmë që përpunuesit e rrushit sa më shpejt t'i hapin dyert ta pranojnë rrushin, ta pranojnë këtë kualitet me këtë kualitet që janë vreshtat këtë vit pritet edhe një verë e mirë", u shpreh ai.

Pronari i "Bodrumi i Vjetër", Ruzhdi Haxhijaha, tha se vjelja e rrushit është ditë feste dhe se presin që i gjithë mundi i vreshtarëve të finalizohet me verë cilësore.

Haxhijaha: Shpresojmë që do të na ecë mbarë vjelja

"Sot është një ditë feste ku ministri i Bujqësisë z.Peci erdhi për të inaguruar ditën e parë të vjeljes, zakonisht çdo vit në këtë kohë shpallet dita e vjeljes dhe është një ditë e madhe për bujqit e Rahovecit dhe rrethinës. Kështu që shpresojmë që do të na ecë mbarë vjelja dhe që këtë bereqet që sivjet është me një cilësi shumë të mirë të kurorëzohet me produktin final që është vera, e që konsumatorët tanë të kënaqen me shijen e verës", tha ai.

Në anën tjetër, kryetari i Shoqatës së Verëtarëve të Kosovës "Enologjia", Shaban Tafaj, tha se presin më shumë mbështetje nga institucionet shtetërore.

Tafaj: Të subvencionohet vera me 0.08 cent

"Kjo është një ditë madhore për komunën e Rahovecit. Kjo është një kulturë e cila është minierë për Kosovën, por minierë mbi tokësore që ju edhe mund ta shihni. Është kënaqësi të dalësh në këtë vend atraktiv sikurse është Rahoveci dhe këto vreshta që i ka...kërkesë kemi pasur prej ministrisë së Bujqësisë që të zbatohen masat që i kemi pasur deri më tash. Jemi në një situatë me të vërtetë pandemike, në një situatë të vështirë që po merr jetëra njerëzish, kështu që kërkesa është që të subvencionohet vera me 0.08 cent sikur ka qenë në të kaluarën", tha ai.

Fillimi i muajit shtator çdo vit shënon festen e vjeljes së rrushit, që viteve të kaluara është shoqëruar edhe me festivalin HardhFest, por këtë vit për shkak të masave të reja anti-COVID është anuluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat