​Iniciativa Qytetare GREEN për Drenasin prezanton projektet dhe programin zgjedhor

Kosova

​Iniciativa Qytetare GREEN për Drenasin prezanton projektet dhe programin zgjedhor

Më: 8 shtator 2021 Në ora: 13:59
Xhavit Drenori

Subjektet dhe iniciativat qytetare kanë filluar prezantimin e ofertës së tyre si dhe kandidatëve me të cilët do të garojnë në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Kandidati për kryetar të Drenasit Xhavit Drenori, bartësi i listës së kandidatëve për Asamble Arbër Halilaj dhe ekipi i Iniciativës Qytetare “GREEN për Drenas” kanë filluar me prezentimin e programit zgjedhor dhe projekteve që synojnë t’i realizojnë sa i përket çështjeve mjedisore e ambientaliste, por pa lënë anash edhe sektorët tjerë të rëndësishëm.

“GREEN për Drenas” është themeluar para disa muajsh nga politikani dhe aktivisti Xhavit Drenori, me bashkëthemeluesit Arbër Halilaj dhe Blerton Nuhaj.

Kësaj iniciative qytetare iu bashkëngjiten edhe shumë aktivistë, studentë dhe ekspertë mjedisorë, të cilët e konsiderojnë mjedisin, forcimin e ekonomisë qarkore dhe sferave të tjera shoqërore që krijojnë vende pune, si një parakusht kryesor për rritjen, zhvillimin dhe prosperitetin e Drenasit.

Iniciativa Qytetare GREEN për Drenas ka listuar çështjet dhe aktivitetet programore që ata kanë planifikuar të shtyjnë përpara, si kauzë të tyre mjedisore e në interes të përgjithshëm të qytetarëve të Drenasit:

Drenasin është e nevojshme ta bëjmë më të pastër nga ndotja, tërheqës për jetë, zhvillim biznesi dhe krijimin e vendeve të punës për investitorët aktualë, por edhe ata në të ardhmën. Përmes projekteve të nevojshme, do ta ndalim degradimin dhe krahas sanimit të gjendjes aktuale mjedisore, do të punojmë fort në implementimin e projekteve, për të cilat do të na ketë zili çdo komunë.

Nga aspekti organizativ, së pari do të themelojmë Drejtorinë Komunale për Çështje Mjedisore, me njerëz profesionist, që do të jenë garancë dhe motor i realizimit të politikave mjedisore dhe projektit tonë “GREEN për Drenas”. Do të themelohet Kompania Publike Lokale, me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe kryerjes së më shumë shërbimeve komunale: menaxhimin e grumbullimit efikas dhe me kohë të mbeturinave, sanimin dhe rregullimin e deponive jashtë vendbanimeve, mirëmbajtjen e shesheve, parqeve dhe hapësirave tjera gjelbëruese publike, pastërtinë e rrugëve dhe trotuareve, ujitjen e drunjve urban dhe luleve, shërbime tjera publike mjedisore etj.

Po ashtu, do të aplikohet ndarja e mbeturinave në bazë dhe reciklimi i tyre, me mundësi të shtimit të numrit të punëtorëve dhe përfitimit ekonomik të kompanisë.

Projektet tjera nga programi i kësaj Iniciative janë: Projekti i parë dhe më i rëndësishëm është “Zona e Gjelbër” përreth kompleksit të Feronikelit, ose i ashtuquajturi “Filteri i Gjelbër” për minimizimin e ndotjes nga fabrika, ku përfshihet pyllëzimi me mijëra drunjë industrial Paulownia dhe ndërtimi i dy mini-liqeneve artificiale.

Zona Industriale për të gjitha bizneset me makineri të rëndë (shitje e zhavorrit, shitje e materialeve ndërtimore, transportues etj.), brenda këtij filteri të gjelbër, me qëllim që të mos ketë mjete të rënda nëpër qytet, bashkë me zhurmën, pluhurin dhe dëmtimet që ia bëjnë rrugëve. Këtë na e mundëson edhe rruga tranzitore Parku i biznesit-Poklek-Brigada e Zjarrfiksëve tek kyçja në rrugën për Skënderaj, e cila rrugë do të jetë prioritet për t’u përfunduar për kohë të shkurtër.

Projekti i dytë mjedisor është Brezi i Gjelbër Urban, me gjatësi rreth 8 kilometra, që e rrethon qytetin e Drenasit me gjelbërim, ku përgjatë tij do të ketë shteg për ecje, trim-staza, shteg të posaçëm për biçikleta dhe shumë kënde lojërash, parqe e përmbajtje rekreacionale, siç janë fushat e vogla sintetike.

Projekti i tretë gjithashtu me ndikim të madh edhe në zhvillimin ekonomik përmes turizmit është Parku i Liqenit të Vasilevës. Aty do të rregullohen tri rrugë hyrëse, të cilat afër parkut ndërpriten me vendparkingje adekuate. Dy shtigje paralele përgjatë bregut të liqenit (këmbësorë dhe biçiklista), kajak për lundrim në liqe dhe vende të posaçme për grupe kampingu dhe peshkatari.

Gjatë dimrit do të shfrytëzohen dy pista skijimi, që do të hapen në dy anët e kundërta të liqenit, lindje dhe perëndim, një park rekreacional që shfrytëzohet në të katër stinët e vitit.

Profitet ekonomike gjenerohen nga bujtinat, restorantet me ushqime tradicionale lokale, banorët do të kenë ku të shesin produktet e veta bujqësore, parkingjet, biçikletat, kajakët dhe pajisjet e skijimit me qira, kështu që do të krijohet një vendpiknik i shkëlqyer jo vetëm për qytetarët e Drenasit, meqë është afër edhe nga kryeqyteti.

Projekti i katërt në mungesë të vendeve rekreative dhe për të mos udhëtuar në komunat tjera për të kaluar një ditë pikniku, vendi më i përshtatshëm në Drenas është zona e njohur si “Pishat” në fshatin Gllobar, vendpiknik ky me potencial të madh që ndodhet 5.4 km nga qendra e qytetit, me një hapësirë prej 60 hektarësh dhe qasje në rrugë të asfaltuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat