Drenori me bashkëpunëtorë, aksion pastrimi në Drenas

Kosova

Drenori me bashkëpunëtorë, aksion pastrimi në Drenas

Më: 11 shtator 2021 Në ora: 16:07
Pamje nga Drenasi

Xhavit Drenori bashkë me kandidatët për asamble komunale kanë pastruar disa nga zonat e qytetit të Drenasit. Kandidati për kryetar të kësaj komune, ka thënë se gjendja me mbeturinat është një prej shqetësimet më të mëdha të qytetarëve.

Drenori bashkë me kandidatët për asamble kanë pastruar parkun në afërsi të komunës së re dhe zonën në afërsi të Stacionit të Autobusëve.

Kandidati për kryetar nga iniciativa qytetare, Xhavit Drenori ka thënë se kauza e "Green për Drenasin", synon mbrojtjen e mjedisit meqë kjo është edhe kërkesa e domosdoshme e qytetarëve.

Drenori: Kur ne vijmë në qeverisje nuk do të ketë mbeturina kaq shumë

"Jemi në qendrën urbane dhe ju e patë se shumë afër Komunës të re ka aq shumë mbeturina. Dhe fatkeqësisht Drenasi është shumë i ndotur. Kohëve të fundit kemi pasur shumë probleme me kompaninë e grumbullimit të mbeturinave. Nëpër fshatra gjendja është shumë e keqe. Ne kemi dal që simbolikisht të fillojmë pastrimin, ne e kemi quajtur 'të komunës nga jashtë' deri më 17 tetor. Sepse po shpresojmë që pas 17 tetorit kur ne vijmë në qeverisje nuk do të ketë mbeturina kaq shumë në komunën e Drenasit", theksoi ai.

Drenori gjatë aksionit për pastrim ka theksuar se edhe vendet ku kanë qenë me drunj tani më janë shkatërruar.

Drenori: Drunjtë dekorativ janë shkatërruar pothuajse të tërë

"Se sa joserioze ka qenë komuna jonë në këtë kohë në mbrojtjen e mjedisit, më së miri e pasqyrojnë drunjët dekorativ, të cilët gjatë ndërtimit të rrugës këtu janë shkatërruar pothuajse të tërë. Çfarë është e rëndësishme, operatori që është duke punuar këtu më ka thënë në kushte anonimiteti që nuk e ka në kontratë me i vendos të rinj", ka shtuar ai.

Kandidatët për asamble bashkë me Drenorin kanë vazhduar pastrimin e tokës nga mbeturinat edhe në afërsi të Stacionit të Autobusëve.

Drenori: Kjo zonë që do të duhej të ishte e gjelbër

"Jemi në një pikë tjetër frekuentuese të qytetarëve tanë, sepse nga këtu dhe këtu janë vendet ku vijnë shumë qytetarë prej vendeve rurale dhe shkojnë. Pra një vend shumë i frekuentuar dhe i ndotur. As nuk mirëmbahet tualeti e as nuk mirëmbahet fare kjo zonë që do të duhej të ishte e gjelbër", ka thënë Drenori.

Ai ka shtuar se do të vijojnë me pastrimin e shumë zonave në Drenas. Sipas tij, kjo kauzë po përkrahet edhe nga qytetarët.

Drenori: Komuna jonë është ndër më të ndoturat në nivel të Kosovës

"Sa do që komuna jonë është e gjelbër, 60 për qind është bujqësore dhe 40 për qind pyjore, është ndër më të ndoturat në nivel të Kosovës për shkak se operojnë ndotës të mëdhenj siç është kompania e Feronikelit dhe mbeturinat te cilat janë menaxhuar keq në katër vitet e fundit", ka shtuar ai.

Drenori theksoi se po synojnë gjelbërimin pran "Ferronikelit" dhe shtegun e këmbësorëve prej 8 kilometrave. Më tej, ai ka përmendur edhe ndërtimin e disa urave përreth Lumit Drenica.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat