​Jashari shpalos programin për bujqësi: Do të përkrahim rreth 6 mijë fermerë

Kosova

​Jashari shpalos programin për bujqësi: Do të përkrahim rreth 6 mijë fermerë

Më: 8 tetor 2021 Në ora: 20:05
Bekim Jashari

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari ka prezantuar të arriturat në bujqësi gjatë mandatit që po lënë pas, si dhe ka prezantuar projektet zhvillimore në bujqësi për mandatin e ardhshëm 4-vjeçar.

Para shumë fermerëve, Jashari u zotua se angazhimi për të zhvilluar bujqësinë do të vazhdojë edhe më fuqishëm

Jashari: Angazhimi për të zhvilluar bujqësinë do të vazhdojë edhe më fuqishëm

“Dua të ju garantoj se ky angazhim për të zhvilluar bujqësinë si bazë e zhvillimit ekonomik do të vazhdojë edhe më fuqishëm në mandatin e dytë duke iu përkrahur me shumë grante të tjera të cilat do të lehtësojnë punën tuaj dhe të ndikojnë në zgjerimin e bizneseve tuaja. Duke u nisur nga sigurimi i mjeteve të punës e deri tek projekti gjigant e shekullor i ndërtimit të pendës së Drenicës në fshatin Kuqiç, e cila përveç sigurimit të ujit të pijes për të gjithë banorët e komunës sonë, një pjese të Drenasit dhe disa fshatrave të Malishevës, nga ky projekt gjigant do të ketë sistem të mbyllur të ujitjes nëpër të gjitha fshatrat e komunës sonë për bujqësi”, tha ai.

Në mandatin që tashmë po e përfundon, Jashari ka ndihmuar rreth 1200 fermerë, kurse në mandati ne dytë tha se do të mbështesin rreth 6 mijë fermerë në të gjithë sektorët e bujqësisë me vlerë rreth 3 milionë euro.

Përkrahja e fermerëve do të bëhet me traktorë, freza traktori, motokultivatorë me pajisje përcjellëse, kositëse, pompa spërkatëse, shpërndarëse plehu, lopë qumështore, shpezë, bletë, inkubatorë për prodhimin e fidanëve, sera, bimë mjekuese aromatike, etj.

E për t’i bërë të gjitha këto realitet, Jashari u kërkoi të pranishmëve, por dhe të gjithë qytetarëve të komunës së Skenderajt mobilizim, në mënyrë që më 17 tetor të festojnë së bashku fitoren.

Jashari: Të mobilizohemi që më datë 17 tetor ta festojmë së bashku fitoren bindëse

“Duke qenë të bashkuar me vendosmëri dhe vullnet për t’i shërbyer vendit do të arrijmë që të jetësojmë amanetin dhe idealin e brezave të tërë të rënë për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë. Andaj, ju bëj thirrje të angazhohemi maksimalisht në prezantimin e punës sonë katërvjeçare, punës sonë të drejtë, programit tonë zgjedhor për katër vitet e ardhshme dhe njëkohësisht që të mobilizohemi që më datë 17 tetor ta festojmë së bashku fitoren bindëse për komunën tonë, për historinë e lavdishme, të ardhmen tonë dhe brezave që do të vijnë. Na priftë e mbara e dalshim faqebardhë”, tha ai para shumë të pranishmëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat