​Jashari përmbyll fushatën zgjedhore: Programi ynë do të mundësojë zhvillim ekonomik

Kosova

​Jashari përmbyll fushatën zgjedhore: Programi ynë do të mundësojë zhvillim ekonomik

Më: 15 tetor 2021 Në ora: 20:37
Tubimi i Jasharit

Me qindra qytetarë kanë dhënë përkrahjen për kandidatin e pavarur të Skenderajt, Bekim Jashari. Për zgjedhjet e së dielës, në tubimin përmbyllës të fushatës zgjedhore u tha se janë të interesuar Beogradi dhe shumë lakmitarë. Derisa u bë thirrje që të votohet për trashëgimtarin e familjes legjendare Jashari, u shtua se zgjedhjet e 17 tetorit janë referendum për komunën e Skenderajt.

Kandidati i pavarur për kryetar të Skenderajt, Bekim Jashari mbrëmjen e sotme ka thënë se janë të bashkuar dhe rruga për zhvillimin e komunës nuk ka tjetër alternativë.

Gjatë këtij mandati ai tha se ka realizuar projekte milionëshe për mirëqenie më të mirë të qytetarëve.

Jashari: Programi ynë do të mundësojë zhvillim ekonomik dhe mirëqenie për qytetarët

"Angazhimi ynë i përbashkët për jetësimin e amanetit të dëshmorëve do të vazhdojë edhe më fuqishëm në mandatin e dytë. Programi ynë qeverisës i hartuar konform nevojave tuaja do të mundësojë zhvillim ekonomik dhe mirëqenie për qytetarët. Jetë dinjitoze në jetën tonë pa pasur nevojë qe të rinjtë të ikin jashtë vendit. Do të vazhdojmë të jemi gardianë të vlerave tona të UCK-së dhe mbrojtjes së tyre. Padrejtësia që po na bëhet përmes gjykimit të luftëtarëve tonë është një detyrë shtesë qe duhet të jemi të bashkuar, edhe kësaj radhe do të dalim fitimtarë në mbrojtjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës", ka deklaruar ai para qytetarëve.

Ai po kërkon edhe për një mandat tjetër besimin e qytetarëve në Skenderaj, duke premtuar jetë më dinjitoze dhe zhvillim ekonomik. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të votojnë të dielen për numrin 113, duke dhënë mesazh se Drenica është ballëhapur.

Jashari: Qytetari ynë nuk mashtrohet dhe viktimizohet

"Qytetari, prandaj e meriton dinjitetin edhe për katër vitet e ardhshme. Sepse ai beson në një ideal të pathyeshëm me një vizion të qartë për të ardhmen e vet. Qytetari jonë nuk mashtrohet dhe viktimizohet. Asnjëherë në jetën time nuk e kam kuptuar pozitën si privilegj, por si rritje e besimit të qytetarëve. Ju i keni përjetuar rezultatet e këtij bashkëpunimi dhe ju jeni ata që me 17 tetor do t'ia garantoni vetës një perspektivë", ka shtuar ai.

Axha i Bekimit, Rifat Jashari i cili ishte i shoqëruar nga familjarë të tjerë ka uruar që të dielën të dalin faqebardhë.

Jashari: Dalshim faqebardhë

"Dalshim faqebardhë", ka thënë shkurt ai.

Gjenerali nga Shqipëria, Kudusi Lama u shpreh se Drenica duhet të jetë bashkë, duke shtuar se familja Jashari ka bërë vepra madhore për interesat shqiptare.

Lama: Familja Jashari është një lum i madh i rrëmbyer

"Pasi pash prezantimin e punës, dua të them se paskeni bërë mirë që keni zgjedhur kryetar komune, jo thjesht pse është i familjes së lavdishme”, tha ai.

Ai shtoi se ata që kanë dhënë jetën për liri, kanë dashur të shohin Kosovën të zhvilluar.

E deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu tha se zgjedhjet e 17 tetorit janë referendum për Skenderaj.

Për këto zgjedhje, ai shtoi, se janë të interesuar edhe Beogradi.

Haxhiu: Për zgjedhjet e 17 tetorit janë të interesuar edhe Serbia

"Edhe sot në këtë tubim po përçoni mesazhin e unitetit për kryetarin tonë Bekim Jashari. Ne ishim bashkë me Jasharajt gjatë luftës, ishim bashkë edhe pasluftës dhe çdo shqiptar eshtë gëzuar kur jeta ka rifilluar në truallin. Në ketër vitet e qeverisjes së tij, prandaj do të jemi bashkë me Jasharajt edhe me 17 tetor dhe çdoherë sa herë të ketë nevojë. Këto zgjedhje janë historike dhe referendum per Drenicën. Këto zgjedhje janë përcaktim për idealin dhe rrugëtimin që ka ndjekur Skenderaj. Më shumë ëahtë i interesuar Beogradi se kush fiton në Skenderaj. Mos me fitu Bekim Jashari gëzohet Beogradi, Serbia edhe disa lakmitarë. Por ne me 17 tetor të gjithë do tia japim përgjigjen Serbisë dhe lakmitarëve", ka thënë ai.

Në tubimin përmbyllës janë prezantuar projektet e programit qeverisës dhe kandidatët për asamble komunale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat