​Nënshkruhet memorandumi i bashkëpunimit për mbështetjen e sportit shkollor

Kosova

​Nënshkruhet memorandumi i bashkëpunimit për mbështetjen e sportit shkollor

Më: 17 nëntor 2021 Në ora: 19:40
Pamje nga nënshkrimi i marrëveshjes

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku dhe kryetari i Federatës së Sportit Shkollor të Kosovës, Ardian Telaku nënshkruan sot një memorandum bashkëpunimi, me qëllim të mbështetjes së planeve e aktiviteteve të Federatës së Sportit Shkollor për organizimin e garave shkollore 2021/2022.

Qëllimi i këtij bashkëpunimi, përmes të cilit Ministria e Kulturës mbështet financiarisht me 100 mijë euro Federatën e Sportit Shkollor të Kosovës, është promovimi i sportit te nxënësit përmes mbështetjes së organizimit të aktiviteteve sportive në shkolla, avancimi, zhvillimi dhe masovizimi i sportit si fushë e interesit të veçantë publik e rregulluar me ligj.

Ministrja Nagavci me këtë rast tha se MASHTI do të përkrahë aktivitetet e përbashkëta dhe të kryejë obligimet që dalin nga ky memorandum, ndërsa shprehu gatishmërinë për bashkëpunime të reja në të ardhmen, në mënyrë që çdo nxënës të ketë mundësi të përfshihet në aktivitete sportive.

Ndryshe, MASHTI sipas këtij memorandumi obligohet që të bëjë sigurimin e hapësirave shkollore sportive për zhvillimin e aktiviteteve dhe ndihmon në lehtësimin e procedurave për organizimin e garave, në bashkëpunim me Drejtoritë Komunale të Arsimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat