Thirrje për barazi në të drejtat e fëmijëve

Kosova

Thirrje për barazi në të drejtat e fëmijëve

Më: 20 nëntor 2021 Në ora: 20:32
Këto thirrje ishin pjesë e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve dhe 75 vjetorin e themelimit të organizatës UNICEF, që merret me të drejtat e fëmijëve

Përfaqësues të organizatave ndërkombëtare në Kosovë u bën thirrje institucioneve që të ndërmarrin reforma që do të mundësonte rritjen e barazisë për të gjithë fëmijët në vend.

Këto thirrje ishin pjesë e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve dhe 75 vjetorin e themelimit të organizatës UNICEF, që merret me të drejtat e fëmijëve.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog tha se të rinjëve e të gjitha komuniteteve në Kosovë duhet t’u jepet mundësi e barabartë në rrugën e tyre për të përparuar.

“Të rinjtë janë pasuria më e vlefshme që ka Kosova. Krijimitaria, çiltërsia, pjesëmarrja, edukimi juaj jo vetëm që mund të ndihmojnë realisht pajtimin, por të jetë edhe forcë pozitive për përballimin e sfidave”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se fëmijët duhet ta kenë mundësinë që të rriten në një mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm. Ai tha se pandemia COVID-19 ka shkaktuar pasoja edhe për fëmijët.

“Ndonëse pandemia dhe recesioni shoqërues kanë ndikuar në disponueshmërinë e burimeve, është e domosdoshme që të drejtat e fëmijëve të jenë prioritet. Kujdesi shëndetësor për fëmijët, edukimi i tyre dhe avancimi i të drejtave të tyre ekonomike dhe sociale janë thelbësore në vetvete, por gjithashtu, janë shtysë për një shoqëri më të qëndrueshme e të suksesshme”, tha ai.

Bashkërenduesja për zhvillim në kuadër të Kombeve të Bashkuara Kosovë, Ulrika Richardson, bëri thirrje për përfshirjen sa më të madhe të fëmijëve në tejkalimin e pasojave nga COVID-19, ndërsa vuri theksin te pabarazia në sistemin e arsimit për komunitetet pakicë.

“Fëmijët këtu në Kosovë e dimë se ka shumë që kanë mbetur prapa dhe janë në rrezik të mbeten prapa. Ka dallime ndërmjet, për shembull, nëse krahasojmë fëmijët e komunitetit shumicë me ata të pakicës. Takohemi me fëmijët romë, ashkali dhe egjiptas dhe e dimë se ata janë gjithnjë e më të cenueshëm në arritjen jo vetëm në shkollë por edhe te një arsim cilësor”, tha ajo duke kërkuar reforma nga institucionet për ofrimin e mundësive për të gjithë fëmijët pavarësisht komunitetit që i takojnë.

Veprimtarët humanitarë thonë se Kosova ka një infrastrukturë të mirë ligjore për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve por problemet qëndrojnë në mosszbatimin e tyre./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat