Komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian përballë diskriminimit në Kosovë

Kosova

Komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian përballë diskriminimit në Kosovë

Më: 24 nëntor 2021 Në ora: 22:16
Në të paktën dy raste gjatë javës, pjesëtarë të këtyre komuniteteve u përballën me veprime paragjykuese e diskriminuese

Pjesëtarë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë thonë se po përballen me diskriminim dhe racizëm në të gjitha fushat e jetës ndërsa bëjnë thirrje për respektimin e të drejtave të tyre. Në të paktën dy raste gjatë javës, pjesëtarë të këtyre komuniteteve u përballën me veprime paragjykuese e diskriminuese që ngjallën reagime të forta të institucioneve dhe shoqërisë civile në Kosovë.

Urim Shala, jeton në Fushë Kosovë, rreth 7 kilometra larg Prishtinës. Pjesëtar i komunitetit ashkali, Urimi thotë se që nga fëmijëria është përballur me paragjykime për shkak të ngjyrës së lëkurës.

“Jemi sepse kemi ngjyrën pak më të zezë se sa komuniteti shqiptar, komuniteti ynë ka probleme me racizëm. Nëse ne shkojmë për shembull në ndonjë kafiteri ose nëpër shkolla apo salla të sporteve kemi diskriminim, nuk na lejojnë duke thënë se është e rezervuar ose të largojnë prej bankës (së shkollës) ose të qesin në bankën e fundit”, tha ai.

Ai tani drejton një biznes lojërash në lagjen e tij që është me shumicë nga komunitetet romë, ashkali dhe egjiptian, ndërsa thotë se në biznesin e tij nuk ka asnjë lloj diskriminimi.

“Këtu vijnë dhe luajnë turqit, boshnjakët, ashkalinjt, romët, shqiptarët, serbët thuajse të gjitha komunitetet janë të përfshira në këtë lokal, këtu argëtohen dhe nuk ka racizëm, këtu nuk ka kurrgjë, këtu ka dashuri dhe shoqëri. Në një vend ku nuk ka dashuri dhe shoqëri ai vend nuk ka asgjë, stop diskriminimit”, tha ai.

Mërgim Puçolli thotë se komunitetet si ai ashkali përballen me kushte të rënda të jetës, me papanuësinë dhe paragjykimet.

“Nuk na krahasojnë këtu në Fushë Kosovë neve si njerëz, neve na krahasojnë sikur me qenë shtazë, na provokojnë, na shajnë. Taksistat nuk na marrin me shku deri në Prishtinë për shkak që jemi minoritet, na quajnë magjup, unë e quaj vetën ashkali edhe jam krenarë që jam ashkali”, tha ai.

Ardian Krasniqi nga komuniteti egjiptian thotë se diskriminimi dhe racizmi ndaj pjesëtarëve të komuniteteve pakicë është shumë i theksuar gjithandej Kosovës.

“Edhe në degën e gastronomisë ku nuk lejohet pjesëtarët e komunitetit egjiptian ose romë me hi në një kafiteri me u shërbye ashtu siç shërbehen të gjithë qytetarët tjerë”, tha ai.

Gjatë javës, përfaqësuesit e komuniteteve pakicë reaguan pas një njoftimi se në Gjakovë në një kafeteri, nuk u është shërbyer disa pjesëtarëve të këtyre komuniteteve, ndërsa në Prizren një familje rome është sulmuar fizikisht nga pjesëtarët e sigurimit të një qendre tregtare për shkak të siç u tha mungesës së maskës kundër COVID-19.

Njoftimet nxitën reagime të rrepta, ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i dënoi fuqishëm aktet e tilla të diskriminimit

“Këto janë akte të dënueshme si për nga ligjet tona por edhe nga ndërgjegjja jonë. Nuk është as në kulturën e as historinë tonë që të jemi diskriminues e aq më pak përjashtues. Qytetarët e çdo komuniteti, etnie apo race janë radhë të parë qytetarë të barabartë të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Ai i bëri këto komente gjatë “Samitit për Antigjipsizëm”, në të cilin po debatohet cështja e të drejtave të komuniteteve Romë, Ashkali dhe Egjiptian në Kosovë.

Një studim i publikuar në këtë konferencë nxori ne pah se mbi 60 për qind e të anketuarve në Kosovë kanë treguar pak ose aspak njohuri për historinë, kulturën dhe traditat e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian, dhe se burimi kryesor i informacionit vjen nga televizioni e rrjetet sociale.

“Ju bëj thirrje të gjithëve që të respektojnë dhe të pranojmë njëri tjetrin. Është e vërtetë që me kushtetutë të drejtat i kemi të garantuara kurse para ligjit duhet të jemi të gjithë të barabartë mirëpo për të arritur barazinë që synojmë duhet të hapim edhe mendjet e zemrat tona. E për këtë duhet të punojmë së bashku sepse kërkohet më shumë”, tha kryeministri Kurti.

Organizatat ndërkombëtare kanë bërë thirrje vazhdimisht për përmirësimin e gjendjes së këtyre komuniteteve të cilat siç thuhet përballen me kushte të rënda të jetesës dhe mungesë të integrimit në shoqërinë e Kosovës./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat