Policia jep detaje rreth aksionit në Karaçevë, ja çka u gjet në tri objektet e rrënuara

Kosova

Policia jep detaje rreth aksionit në Karaçevë, ja çka u gjet në tri objektet e rrënuara

Më: 15 dhjetor 2021 Në ora: 10:36
Rrënimi i objekteve ilegale në zonën e fshatit Karaqevë

(E plotësuar 17:14) -  Gjatë operacionit të sotëm policor në Karaçevë janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale 96 aparate të lojërave të fatit, 4 shtëpiza kompjuterike, 3 llaptop , 3 monitorë, dy televizione që janë përdorur për lojëra të fatit, një pistoletë e llojit Ekol special 99 së bashku me 17 fishekë, një gjenerator si dhe një shumë e konsiderueshme e parave.

Kështu konfirmoi zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, i cili jep detaje nga aksioni i Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Themelore që u nisi në orët e hershme të mëngjesit në fshatin e Kamenicës.

Hashani: Dy persona të arrestuar nga aksioni i sotëm

"Ka rezultuar me dy persona të arrestuar të cilëve njëkohësisht me vendim të Prokurorit të Shtetit iu janë kontrolluar shtëpitë dhe objektet në te cilat është dyshuar se janë duke u zhvilluar veprimtari kriminale, bixhoz i paligjshëm. Me këtë rast gjatë kontrollit në këto objekte janë gjetur 96 aparate të ndryshme, te cilat dyshohet se kanë shërbyer për lojëra të fatit, televizorë, shtëpiza të kompjuterit, pistoletë e llojit Ekol me 17 copa fishekë dhe një sasi e të hollave mbi katër mijë euro. Të gjitha këto mjete janë konfiskuar si prova materiale, gjersa aparatet janë dërguar Doganën e Kosovës për veprime të mëtutjeshme", thotë ai për KosovaPress.

Në fshatin Karaçevë të Kamenicës, përveç dy personave të arrestuar, Policia po kërkon edhe disa të tjerë.

Hashani: Jemi në kërkim edhe të disa personave

"Policia e Kosovës vazhdon të jetë në kërkim edhe të disa personave të tjerë që kanë qenë të paqasshëm në momentin kur ne i kemi kërkuar. Ndërsa janë të njohur për ne", shton ai për KosovaPress.

Kjo është hera e dytë, ku rrënohen veprimtari ilegale në Karaçevë.

Në aksionin e vitit të kaluar ishin rrënuar 12 objekte që ushtronin veprimtarinë e lojërave të fatit. Tashmë janë ngritur më shumë se 70 kallëzime penale për këtë rast. 

Policia në Gjilan ka dhënë detaje rreth operacionit policor në Karaçevë që ka filluar që në orët e hershme të mëngjesit si rezultat i një hetimi në vazhdimësi dhe të bashkërenduar mes Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Themelore në Gjilan, lidhur me pretendimet për veprimtari të paligjshme, përfshirë bixhozin e paligjshëm dhe aktivitete tjera.

Policia sqaron se janë arrestuar dy persona të cilët janë intervistuar në prezencë të avokatëve mbrojtës dhe me urdhër të prokurorit të shtetit të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.

Si vazhdimësi e operacionit janë kontrolluar shtëpitë dhe objektet përcjellëse ku jetojnë të dyshuarit si dhe objektet e tjera ku janë zhvilluar veprimtaritë e lojërave të fatit.

Policia thoë se gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale: 96 aparate të lojërave të fatit, 4 shtëpiza kompjuterike, 3 llaptop , 3 monitorë, 2 TV që janë përdorur për lojëra të fatit, një pistoletë e llojit Ekol special 99 së bashku me 17 fishekë, 1 gjenerator si dhe 469,15 euro (të gjeturat në aparatet e lojërave të fatit).

Të gjitha aparatet dhe gjeneratori, sipas procedurave të parapara, iu janë dorëzuar Doganës së Kosovës për procedura të mëtutjeshme.

Në vendngjarje në fshatin Karaçevë, Inspeksioni Komunal i Komunës së Dardanës ka asistuar Policinë e Kosovës në rrënimin e tri objekteve të cilat janë ndërtuar pa leje në të cilat kanë qenë duke u ushtruar veprimtaritë e kundërligjshme të lojërave të fatit, ndërsa një objekt tjetër, është mbyllur dhe shirituar nga Inspeksioni Komunal, Dardanë.

“Lidhur me këtë rast hetimet janë në vazhdim e sipër dhe në kërkim të personave tjerë si të dyshuar të mundshëm të përfshirë në këtë rast. Rasti është duke u hetuar nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Gjilan në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Themelore, përfshirë edhe kërkimin e disa personave të tjerë si të dyshuar të mundshëm”, përfundon Policia në Gjilan.

Rahimaj: Janë rrënuar tre objekte të kazinove ilegale

Kryetari i Kamenicës Kadri Rahimaj, ka dhënë detaje në lidhje me aksionin që u zhvillua në fshatin Karaçevë kundër kazinove ilegale.

Rahimaj tha se gjatë aksionit janë rrënuar tre objekte të kazinove.

Ai theksoi se në këtë aksion komuna e ka ofruar asistencën e vet.

“Aksioni ka qenë i koordinuar mes organeve të drejtësisë kemi qenë të njoftuar për këtë aksion. Kazinot që kanë qenë të ndërtuara në mënyrë ilegale janë rrënuar. Bëhet fjalë për tri kazino të rrënuara. Aksioni ka qenë shumë mirë i koordinuar si dhe komuna ka asistuar në rastin e rrënimit”.

Ministri Sveçla jep detaje nga aksioni në Karaqevë: Arrestimet po vazhdojnë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se sot Policia e Kosovës ka realizuar një aksion të suksesshëm.

Ai në një postim në Fcebook ka shkruar se sot u godit rrjeti i kazinove ilegale në zonën e fshatit Karaqevë.

Image
Aparatet e lojërave të fatit 

“Edhe një aksion i suksesshëm i Policisë së Kosovës.

Në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan dhe me autoritet komunale të Dardanës sot u godit rrjeti i kazinove ilegale në zonën e fshatit Karaqevë”, shkroi Sveçla në Facebook.

Ai tha se pas konfiskimit të aparatave për lojërat e bixhozit, u rrënuan objektet e ndërtuara ilegale si dhe arrestimet e personave të përfshirë në këtë aktivitet kriminal po vazhdojnë edhe në këto momente.

***

Arrestohen disa persona në aksionin policor kundër kazinove që zhvillohet në fshatin Karaçevë të Kamenicës.

Gjatë këtij aksioni që po zhvillohet që nga orët e hershme të mëngjesit të sotëm janë konfiskuar edhe aparate të lojërave të fatit.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë së Kosovës, për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

“Në aksionin që po zhvillohet në Karaçevë ka të arrestuar. Po ashtu ka mjete të konfiskuar, aparate të lojërave të fatit. Aksioni ka filluar të orët e hershme të mëngjesit”, tha Hashani.

Për aksionin e sotëm ka folur edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani i cili ka bërë të ditur se ky aksion është duke u bërë edhe në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan dhe autoritetet komunale.

“Me datë 15/12/2021, Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan dhe autoritet komunale, është duke e realizuar një operacion policor në zonën e Kamenicës. Informacione më të plota do të jipen pas përfundimit të operacionit policor”, tregoi Kelani.

​Aksion policor në Karaçevë

Një aksion kundër kazinove është duke u zhvilluar në fshatin Karaçevë të Kamenicës.

Kështu ka mësuar media.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka bërë të ditur se ky aksion është duke u bërë edhe në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan dhe autoritetet komunale.

“Me datë 15/12/2021, Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan dhe autoritet komunale, është duke e realizuar një operacion policor në zonën e Kamenicës. Informacione më të plota do të jipen pas përfundimit të operacionit policor”, tregoi Kelani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat