Flet zëdhënësja e Termokosit: Mazuti kthehet pas shtatë vjetësh, ngrohja me të merr kohë

Kosova

Flet zëdhënësja e Termokosit: Mazuti kthehet pas shtatë vjetësh, ngrohja me të merr kohë

Më: 15 dhjetor 2021 Në ora: 18:07
Foto ilustrim

“Termokos” ka ndërprerë furnizimin me ngrohje për të gjithë konsumatorët, pas mungesës së furnizimit me avull nga Korporata Energjetike e Kosovës.

Zëdhënësja e Termokosit, Afërdita Uka, ka thënë se kanë njoftuar të gjithë konsumatorët për këtë problem.

“Pjesa më e madhe e konsumatorëve tanë e kanë të njohur çështjen e furnizimit tonë. Ne jemi të lidhur dhe të varur nga furnizimi nga KEK-u. Si pasojë e disa problemeve teknike që KEK-u ka pasur nga mesnata janë detyruar që të ndërpresin furnizimin me avull për nevojat e Termokosit”.

“Që nga ajo kohë ne nuk kemi pasur furnizim me avull dhe në pamundësi të kësaj e kemi pasur të pamundur furnizimin me ngrohje për të gjithë konsumatorët tanë. Megjithatë, efekti i mungesës së ngrohjes është vërejtur në orët e hershme të mëngjesit dhe menjëherë kemi informuar të gjithë konsumatorët, nëpërmjet një komunikate, që të shfrytëzojnë metoda tjera për ngrohje”.

“Në momentin që kemi marrë informatën se do të ketë ndërprerje me avull nga KEK-u, kemi mobilizuar të gjitha ekipet tona dhe QKUK-ja ka qenë e vetmja që ka pasur furnizim me ngrohje, për shkak se ka pacientë të shumtë që janë të shtrirë aty”.

Uka, mes tjerash, bëri të ditur se sot janë funksionalizuar kaldajat me mazut, por këto marrin shumë kohë.

“Rifunksionalizimi i këtyre kaldajave merr shumë kohë, pasi për shtatë vjet me radhë nuk kanë qenë në funksion dhe ngrohja me to do të marrë kohë”, tha Uka.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat