​Kosova kërkon barazi në CEFTA, Serbia ashpërson barrierat duke ndaluar transitin e mallrave

Kosova

​Kosova kërkon barazi në CEFTA, Serbia ashpërson barrierat duke ndaluar transitin e mallrave

Më: 16 dhjetor 2021 Në ora: 19:06
Ilustrim

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka njoftuar se komiteti i përbashkët i CEFTA-s mbajti dje mbledhjen e fundit për vitin 2021, por nuk arriti të zgjidhë çështjen e përfaqësimit të Kosovës pa UNMIK-un.

Sipas një njoftimi të MINT, pikë e parë e rendit të ditës u paraqit për shqyrtim letra e ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, drejtuar kryesuesit të radhës së CEFTA-s, Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë i Maqedonisë së Veriut.

“Letra, e dërguar më 24 shtator 2021, kërkon që Republika e Kosovës të përfaqësojë veten në CEFTA pa përfshirjen e UNMIK-ut. UNMIK-u, si mision i përkohshëm i OKB-së, ka nënshkruar marrëveshjen e CEFTA-s më 2006 në emër të Kosovës. UNMIK-u asokohe ka deponuar deklaratë sipas të cilës vlefshmëria e marrëveshjes së CEFTA-s do të varet nga autoritetet e ardhshme të Kosovës. Tani që UNMIK-u nuk mban më pushtet ekzekutiv në Kosovë, Ministrja Hajdari ka kërkuar që autoritetet e Kosovës të përfaqësojnë veten si palë e barabartë. Parimi i barazisë, mosdiskriminimit dhe transparencës është garanci për të ecur përpara drejt zhvillimit më të shpejtë ekonomik dhe integrimit në BE. Në elaboratin e saj, përkundër refuzimit dhe pengesës së ashpër të palës serbe, ministrja Hajdari rikujtoi përkushtimin e Kosovës për të përmbushur detyrimet nga CEFTA, andaj këmbënguli se Kosova duhet të gëzojë të drejtën e trajtimit të barabartë”, thuhet në njoftim.

Ministrja Hajdari shtoi se letra për përfaqësimin e Kosovës pa UNMIK-un nuk duhet të shihet si çështje politike, por si domosdoshmëri për të lehtësuar funksionimin e CEFTA-s qe do te lehtësojë zgjidhjen e shumë çështjeve tregtare të pazgjidhura dhe përshpejtojë integrimin ekonomik rajonal.

“Shqyrtimi i letrës u kundërshtua nga përfaqësuesit e Serbisë dhe Malit të Zi, të cilët pretenduan se nuk kanë dhënë pëlqimin që letra të futet në rend të ditës, ndërsa ministri Bekteshi si kryesues i mbledhjes, nuk lejoi që ndërhyrjet e ashpra dhe të vazhdueshme të palës serbe t’ia pamundësojnë ministres Hajdari që të arsyetojë pjesëmarrjen e Kosovës si palë e barabartë, pa UNMIK-un.Komiteti i Përbashkët nuk miratoi letrën e ministres Hajdari, për mungesë të konsensusit. Ndërkaq Kosova kundërshtoi miratimin e konkluzioneve ministrore dhe të tri propozim-vendimeve, duke përfshirë vendimin e propozuar nga Serbia për njohjen e programit të operatorëve ekonomikë të autorizuar, si dhe buxhetin nga i cili paguhet stafi i sekretariatit të CEFTA-s. Komiteti i Përbashkët merr vendimet me konsensus të të gjitha palëve. Në kundërpërgjigje ndaj qëndrimeve të Kosovës, autoritetet e Serbisë po ndalojnë tani kalimin transit të mallrave, që edhe më parë ka qenë i penguar ose i vështirësuar. Eksportuesit kosovarë nuk po arrijnë të realizojnë porositë nga vendet evropiane, sidomos Gjermania dhe Zvicra. Barrierat e rënduara që Serbia po zbaton ndaj Kosovës janë shkelje e rëndë e Marrëveshjes së CEFTA-s dhe e parimeve themelore të Organizatës Botërore të Tregtisë. MINT po evidenton veprimet e Serbisë të cilat do t'i kumtojë të partnerët në Bruksel.Kosova mbetet e përkushtuar ndaj detyrimeve ndërkombëtare. Kosova nuk ka bërë bllokadë në terren për shkak të refuzimit te kërkesës për përfaqësim pa UNMIK-un në mekanizmin rajonal për tregti të lirë, por do të kundërshtojë çdo akt të ri të Komitetit Drejtues të CEFTA-s, për aq kohë sa nuk pranohet kërkesa legjitime e Kosovës për barazi”, thuhet në njoftim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat