​Çeku bën bilancin e 2021-s: Rritëm buxhetin për trashëgiminë kulturore dhe sportin

Kosova

​Çeku bën bilancin e 2021-s: Rritëm buxhetin për trashëgiminë kulturore dhe sportin

Më: 28 dhjetor 2021 Në ora: 14:56
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka mbajtur konferencën përmbyllëse ku ka bërë një përmbledhje të projekteve të realizuara gjatë këtij viti si dhe projektet për vitin 2022. Ai ka potencuar fillimisht punët dhe intervenimet që janë bërë në trashëgiminë kulturore ku ka thënë se gjatë këtij viti janë identifikuar mbi 200 monumente kulturore që janë në rrezik, janë bërë 13 ndërhyrje tashmë të përfunduara, 18 janë në proces dhe 16 të tjera pritet të nisin së shpejti dhe kjo punë do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2022

Çeku: Buxhet prej 5.4 milionë eurosh për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore më 2022

“Për vitin 2022 kemi planifikuar mbi 50 ndërhyrje të tjera emergjente në monumente me synimin që në vitin 2023 të mos e kemi asnjë monument që është në rrezik të shkatërrimit. Ndërsa paralelisht në të gjithë vendim po vazhdojmë më restaurimin e monumenteve, ndër ato që po restaurohen janë Muzeu Etnologjik në Prishtinë, Kulla e Sulejman Vokshit në Gjakovë, Kinemaja e parë në Prizren, Hani i Haraçisë në Gjakovë, Kulla e Sheremetit në Pejë, Shtëpia e Xhafer Dedës në Mitrovicë, disa monumente brenda qendrës historike të Prizrenit. [...] Për vitin 2022 kemi planifikuar buxhet prej 5.4 milionë eurosh për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore nga të cilat 1 milion për ndërhyrje emergjente”, theksoi Çeku.

Çeku gjithashtu bëri të ditur se shumë shpejtë do të bëhen ndërhyrjet e para në ndërtesat e kompleksit memorial “Adem Jashari”, derisa shtoi se vitin e ardhshëm do të shpallet konkursi ndërkombëtar për masterplanin për këtë kompleks.

Sa i përket sportit, i pari i MKRS-së theksoi se janë përfunduar disa projekte kapitale gjatë këtij viti dhe se janë në plan një numër i madh i projekteve të reja gjatë vitit 2022.

Ai shtoi se mbështetja për federata sportive si dhe për klubet e sportistët do të jetë edhe më e madhe. Sipas tij, gjatë vitit 2021 për klubet dhe federata janë ofruar si mbështetje mbi 6.35 milionë euro.

Çeku: Këtë vit mbështetëm federatat dhe klubet me 6.35 milionë euro

“Deri tani, në investime kapitale kanë përfunduar Qendra Nacionale e Xhudos në Pejë, palestra sportive në Skenderaj, stadiumi i Zhurit, i 2 Korrikut dhe Ramiz Sadiku. Aktualisht janë 37 projekte të investimeve kapitale në sport që janë në vazhdim e sipër ndërsa në buxhetin e vitit 2022 planifikojmë t’i përfundojmë të paktën 15 prej tyre. Kemi siguruar mbështetje gjithnjë në rritje për sportin. Rreth 455 mijë euro është shuma shtesë që kemi siguruar vetëm javën e kaluar për federatat e sportit. Brenda programit të ringjalljes, sporti dhe sportistët kanë përfituar 2.28 milionë euro... Mbështetja e përgjithshme për KOK-un, federatat, klubet dhe sportistët gjatë vitit 2021 është 6.35 milionë euro. Kjo paraqet një rritje prej 57 përqind krahasuar me vitin 2020... Siç e kemi shpallur nga fillimi, sporti është prioritet nacional i Qeverisë së Kosovës. Viti i ardhshëm ndër të tjera do të na gjejë me strategjinë dhe planin e veprimit për zhvillimin e sportit, programin afatgjatë për funksionalizimin e ligave sportive në të gjitha shkollat e vendit, përfundimin e disa projekteve të trashëguara dhe nisjeve të rejave në investimet kapitale, programin për brendimin ndërkombëtar të Kosovës si shtet u xhudos”, tha Çeku.

Ministri Çeku shtoi më tutje se një vëmendje të madhe gjatë vitit 2022 do të ketë edhe rinia ku do të zhvillohen projekte invovative për aktivizimin e kësaj shtrese të shoqërisë në kulturë dhe sport.

Sa i përket problematikës për ndërtimin e stadiumit të qytetit në Gjilan, Çeku bëri të ditur se në bashkëpunim me kryetarin e Komunës së Gjilanit, janë duke punuar intensivisht që operatori të kryejë sa më parë punimet dhe janë në gatishmëri për të kryer të gjitha obligimet ndaj këtij operatori nëse punët përfundohen me një dinamikë më të shpejtë.

Çeku: Jemi të gatshëm t’ia paguajmë të gjitha obligimet operatorit për t’i përfunduar punimet në stadiumin e Gjilanit

“Sot e kemi marr edhe një lajm inkurajues nga kryetari i Komunës së Gjilanit i cili e ka intensifikuar komunikimin me operatorin që po i kryen punimet në stadiumin e futbollit në Gjilan, një problematikë e trashëguar për të cilën ne kemi përgjegjësi të madhe për ta përfunduar sa më shpejtë që është e mundur. Do të thotë e shohim një lloj interesimi edhe nga operatori për shkak një presioni që po i vjen edhe nga kryetari i komunës. Së shpejti do ta kemi një takim të përbashkët ku do të përfshihet edhe ministri i Financave për të ofruar garanci të plota që nëse punët ecin me dinamikë të shpejtë buxheti është në dispozicion dhe do t’ia paguajmë të gjitha obligimet këtij operatori”, theksoi Çeku.

Sa i përket ndërtimit të stadiumit kombëtar të futbollit, Çeku tha se janë duke biseduar me shumë faktorë relevantë për të marr një vendim se a duhet të shkohet në këtë aventurë për të ndërtuar një stadium që kushton shumë, apo me ato para të investohet në konsolidimin e infrastrukturës ekzistuese.

Ai ka shtuar se duke filluar nga janarit i vitit 2022 do të ketë takime me institucionet relevante, me krerët e sportit në vend për të parë se cila është rruga e duhur që duhet ndjekur në lidhje me këtë projekt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat