Kafja e deputetëve të Kosovës 30 centë, supa 40, mishi 1.5 euro

Kosova

Kafja e deputetëve të Kosovës 30 centë, supa 40, mishi 1.5 euro

Më: 4 shkurt 2022 Në ora: 22:18
Foto ilustrim

Kryesuesit të Kuvendit të Kosovës jo rrallë i bie t’i thërrasë për në seancë.

Shpesh, ata lirojnë seancën e shkojnë në bufe.

Por, mbase me shumë arsye. Kjo meqë ata për shpenzimet ditore, ku përfshihen pijet e ushqimi, marrin nga 5 euro në ditë pune, që nga 2011.

Për këtë kishte vendosur Kryesia e Kuvendit, që përbëhej nga shefi, Jakup Krasniqi, e anëtarët Xhavit Haliti, Glauk Konjufca, Sabri Hamiti, Etem Arifi e Petar Miletiç.

Në anën tjetër, në bufe, çmimet i kanë fort të volitshme, krahasuar me ato të tregut.

Një kafe espresso, që rëndom kushton 50-70 cent, për deputetët, në Kuvend kushton 30 cent. Po kaq është edhe çaji filtër, që në një lokal tjetër shitet deri në 1 euro.

E makiato e madhe, për ta është 40 cent, ndonëse qytetarët paguajnë nga 1 euro.

Veç nga 20 cent u kushton kafe kapuqino e qumësht me çokollatë apo bambi.

E nëse është i uritur ndonjëri ligjvënës, me 40 cent mund ta paguajë një supë viçi, e nëse nuk ia ka ënda këtë, mundet veç me 30 cent të paguajë një supë pule.

Pas supës, shkon sallata 200 gramësh, ku deputetit i kushton 50 cent.

200 gramë djathë-kaçkavall i kushton 40 cent.

E pjata kryesore, me 300 gramë mish në hell, kushton 1 euro e gjysmë. Kurse deputetët vegjetarianë mund të marrin 300 gramë shpageta apo makarona për vetëm 80 cent.

E arsyet pse janë çmimet më të lira në bufenë e kuvendit, i ka dhënë ekonomisti Remzi Smajli.

Shërbimet më të lira në restorantet e institucioneve publike janë nga fakti se: Në ofertat e tyre, në procedurë prokurimi, kanë ofruar çmime më të ulëta. Kanë klient konstantë gjatë tërë kohës. Shpenzime më të ulëta, sidomos në energji dhe qira”.

Media ka kuptuar që marrja e shërbimeve të bufesë bëhet me tender dhe ofertuesi më i lirë e fiton atë.

Por, e njëjta është mbyllur përkohësisht në fund të vitit 2021, pasi pati ankesa edhe për shërbim të ujit, të prodhuar nga Serbia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat