Vendosen kamera në burgun e grave në Lipjan, suspendohen dy zyrtarë të lartë

Kosova

Vendosen kamera në burgun e grave në Lipjan, suspendohen dy zyrtarë të lartë

Më: 8 shkurt 2022 Në ora: 13:52
Foto ilustrim

Në Qendrën Korrektuese në Lipjan janë vendosur kamera të sigurisë, në pavijonët ku vuajnë dënimin gratë. Për këtë, janë supspenduar dy zyrtarë të lartë.

Ali Gashi, ushtrues i detyrës së drejtorit të ShKK-së thotë se vendosja e kamerave është bërë me qëllim që të ruhet jeta e grave me probleme mendore. Por, vendosja e kamerave në burgun e grave në Lipjan u ka kushtuar me suspendim Fatlinda Mustafës, ushtruese e detyrës së drejtoreshës në Qendrën Korrektuese për gra në Lipjan dhe Ilir Kelmendit, drejtor për Siguri në Shërbimin Korrektues (ShKK).

Sipas Ali Gashit, dy zyrtarët janë suspenduar pasi për vendosjen e kamerave nuk e kanë njoftuar udhëheqësin e SHKK-së, pra vetë Gashin.

“Kamerat janë vendosur të premten, vetëm pa konsultim… Udhëheqësi nuk e ka njoftu drejtorin e përgjithshëm. Asetet duhet te kenë aprovim, qëllimi ka qenë të ruhet jeta dhe kamerat mbikëqyren nga femrat ”, tha Gashi teksa foli për suspendimin e Mustafës dhe Kelmendit.

Tutje, ai tha se kamerat janë vendosur për çështje sigurie.

“Për çështje te sigurisë së jetës së njerëzve janë vendos kamerat. Te ruhet jeta e njerëzve që janë me çrregullime mendore…Është bërë me rekomandimet e mjekut psikiatër”, u shpreh Gashi tutje.

Lidhur me këto dy suspendime, media ka kontaktuar dje edhe ushtruesen e detyrës së drejtoreshës në Qendrën Korrektuese për gra në Lipjan, Fatlinda Mustafa, por e njëjta fillimisht tha dje se “nuk është e vërtetë”, më pas tha se do të flasë në një tjetër telefonatë, por pasi mbylli telefonin më nuk është përgjigjur.

Vendosja e kamerave në qendrën ku vuajnë dënimet gratë është raportuar si skandal dhe shkelje e të Drejtave të Njeriut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat