Kurti në Ditën e Vajzave dhe Grave në Shkencë: Të mbyllim hendekun ekzistues gjinor

Kosova

Kurti në Ditën e Vajzave dhe Grave në Shkencë: Të mbyllim hendekun ekzistues gjinor

Më: 11 shkurt 2022 Në ora: 15:57
Albin Kurti, në Ditën Ndërkombëtare të Vajzave dhe Grave në Shkencë

Për Qeverinë e Republikës së Kosovës, zhvillimi i gjithmbarshëm nuk mund të paramendohet pa arsim cilësor, pa zhvillim të kapitalit njerëzor, e qasje të barabartë në mundësitë për zhvillim, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Ditën Ndërkombëtare të Vajzave dhe Grave në Shkencë.

Në shkollën fillore të mesme të ulët “Naim Frashëri” ku edhe vetë ishte nxënës për tetë vite, kryeministri vizitoi Klubin e Kodimit të kësaj shkolle. Nga vajzat pjesëmarrëse në klubet e kodimit u prezantuan projektet inovative të zhvilluara nga nxënëset e shtatë shkollave të mesme të ulëta nga e gjithë Kosova.

Kryeministri theksoi se përmes punës së përbashkët duhet të mbyllim hendekun ekzistues gjinor, të sigurohemi që pjesëmarrja e grave në fushën e shkencës, teknologjisë e inovacionit, të mos jetë përjashtim, por normë.

“Së bashku, do të punojmë për të avancuar vajzat dhe gratë në shkencë, teknologji dhe inovacion, për arritjen e barazisë gjinore”.

Ai bëri të ditur se nëpërmjet “Sfidës së Shkencës”, do të synohet qysh herët tek nxënësit e nivelit parauniversitar të frymëzohet me ndërveprim me konceptet e shkencës, duke nxitur garë ndërmjet ekipeve e shkollave.

“Me Rrjetin e Grave në STEM do të ofrojmë ombrellë afatgjatë të organizimit dhe forcimit të grave dhe vajzave në këto fusha shkencore. E përtej shënimit simbolik të 11 shkurtit, nga viti i ardhshëm do të organizojmë konferencën vjetore për gratë në shkencë, për të promovuar arritjet shkencore të grave dhe vajzave."

Kurti u bëri thirrje vajzave që do të nisin studimet sivjet, që t’i konsiderojnë studimet në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës – STEM.

Për të ndihmuar avancimin e vajzave në shkencë, këtë vit akademik, Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndarë 1365 bursa, në vlerë 1.000 euro për vajzat në STEM.

Në këtë vizitë, të pranishme ishin edhe Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, Zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit Edona Maloku Bërdyna, zëvendësambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jacob Webber, kryetarja e Këshillit Kombëtar të Shkencës Myzafere Limani, si dhe fitueset e çmimeve për Shkencëtar të vitit dhe Shkencëtar të ri të vitit, Ibadete Bytyçi dhe Fjolla Kaçaniku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat