Një muaj paraburgim për xhenazexhinjtë, përzien kufomat dhe më pas zhvarrosën ato

Kosova

Një muaj paraburgim për xhenazexhinjtë, përzien kufomat dhe më pas zhvarrosën ato

Më: 11 shkurt 2022 Në ora: 17:09
Pamje nga vendi i ngjarjes

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj dy punëtorëve të kompanisë për shërbime funerale të cilët dyshohet se përzien dy kufoma që morën në Klinikën Infektive.

Në njoftimin e gjykatës thuhet se M. N dhe E.R dyshohet se kanë shkuar në Klinikën Infektive, më 9 shkurt rreth orës 13:30, për të tërhequr kufomën H.K që ta dërgojnë në Prizren për ceremoninë e varrimit nga familjarët e tij.

Mirëpo, të dyshuarit nga Klinika Infektive kanë tërhequr trupin e pajetë të viktimës Z.D. së bashku me dokumentacionin e nevojshëm përcjellës, duke menduar se kanë tërhequr trupin e pajetë të viktimës H.K.

“Trupi i pajetë i viktimës Z.D., rreth orës 14:30, është dërguar në varrezat e qytetit në Prizren dhe ju është dorëzuar familjarëve të viktimës H.K., dhe familja e tij e kanë varrosur në varrezat e qytetit në Prizren, duke menduar se është trupi i familjarit të tyre H.K. Më pastaj, është kuptuar se është bërë ngatërrimi i kufomave dhe se në varrezat e qytetit në Prizren, është varrosur gabimisht trupi i pajetë i viktimës Z.D”.

Në njoftim thuhet se të dyshuarit kur e kanë kuptuar që kanë përzier kufomat janë kthyer sërish në Klinikën Infektive dhe nga aty kanë tërhequr trupin e pajetë të viktimës H.K, dhe e kanë dërguar në varrezat e qytetit në Prizren.

Të njëjtit kanë paguar 300 euro disa persona që të bëjnë zhvarrimin e trupit të pajetë të viktimës Z.D. dhe në të njëjtin varr kanë varrosur viktimën H.K.

E gjithë kjo është kryer pa prezencën e familjarëve të viktimës H.K., dhe pa njoftuar zyrtarët policorë. Më pastaj, trupi i zhvarrosur viktimës Z.D. është kthyer sërish në Prishtinë.

Gjykata ka konstatuar se caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm dhe  i arsyeshëm në këtë fazë, sepse ekziston mundësia që të dyshuarit, nëse lihen në liri, mund të asgjësojnë apo fshehin provat materiale, si dhe të ndikojnë në dëshmi të të dëmtuarve dhe dëshmitarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat