Kryeministri Kurti uron Ditën e Flamurit të komunitetit ashkali

Kosova

Kryeministri Kurti uron Ditën e Flamurit të komunitetit ashkali

Më: 15 shkurt 2022 Në ora: 16:17
Pamje nga takimi

Në shënim të Ditës së Flamurit të komunitetit ashkali, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, uroi shumë suksese dhe të arritura në të ardhmen, për komunitetin ashkali, dhe i falënderoi për kontributin e dhënë.

I shoqëruar nga zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës për Çështje të Pakicave dhe Drejtat e Njeriut, Emilija Redžepi dhe këshilltarja e tij, Elizabeth Gowing, kryeministri Kurti mori pjesë në shënimin e kësaj dite dhe shprehu mbështetjen për komunitetin ashkali.

Si Qeveri e Republikës së Kosovës dëshirojmë t’i ndihmojmë ata të cilët i kanë nevojat më të mëdha, më së pari e më së shumti, tha kryeministri Kurti. Ai theksoi se shteti duhet të dëshmohet aty ku janë nevojat më urgjente dhe aty ku ka pasur diskriminim, ku ka pasur shtypje, ku ka pasur margjinalizim e përjashtim.

Kryeministri theksoi se qeverisja aktuale e ka një dimension të fuqishëm social-demokrat, që i jep prioritet luftimit të pabarazisë dhe zhvillimit ekonomik të përqendruar në punësim.

Duhet që të drejtat të mos jenë vetëm nominale e formale, të jenë në fjalë goje e të shkruara në letër, por të jenë edhe aktuale e përmbajtësore, e kjo lidhet shumë me zhvillimin socio-ekonomik, shtoi ai.

Ai i njoftoi që së shpejti do të organizohet një tryezë e veçantë, në të cilën do të diskutohen problemet dhe çka do të mund të ndryshohet, edhe sa i përket infrastrukturës ligjore, po edhe sa i përket projekteve konkrete.

Kreu i Qeverisë e falënderoi komunitetin ashkali për kontributin që e kanë dhënë për shoqërinë në përgjithësi, për aktivizmin për komunitetin dhe gjithashtu edhe për Republikën e Kosovës si shtet i përbashkët i të gjithëve pa dallim etnie e nacionaliteti, pa dallim religjioni e gjinie.

Në këtë takim të organizuar nga grupi rinor United Toward Art, morën pjesë anëtarët e organizatave joqeveritare dhe iniciativave të tjera, si: Young Community Leaders, Voice of Roma, Ashkali dhe Egyptian, The Ideas Partnership, Sapunë, Drejtësi për Kujtimin, Balkan Sunflowers, Roma Versitas, si dhe aktivistë nga komuniteti ashkali.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat