Ashkalinjtë ankohen për kushte jo të mira ekonomike dhe papunësinë

Kosova

Ashkalinjtë ankohen për kushte jo të mira ekonomike dhe papunësinë

Më: 15 shkurt 2022 Në ora: 20:28
Foto ilustrim

Komuniteti ashkali sot shënon Ditën Kombëtare të Flamurit.

Pikërisht në këtë datë të rëndësishme për këta qytetarë të Kosovës kërkohet të bëhet më shumë.

Është kryetari i Partisë së Ashkalinjve për Integrim, Qazim Rrahmani, i cili thotë se bashkëkombasit e tij jetojnë në kushte jo të mira.

“Sot Festa e Flamurit, 15 shkurti, komunitetin tonë e gjen me një gjendje jo të mirë ekonomike sociale, të papunë, të varfër dhe të anashkaluar. Shteti për komunitetin tonë nuk ka bërë shumë edhe pse shpresa jonë ishte ndryshe pas shtetësisë, sot komunitetet tjera privilegjohen krahas me ne, problemet më të theksuara janë banimi i qëndrueshëm social, papunësia, infrastruktura etj. Edhe pse ka disa fusha të jetës, në të cilat ka progres si edukimi e integrimi, por ka ende punë për të bërë”, ka thënë Rrahmani.

Ai ka folur edhe për domethënien e flamurit dhe për ideatorët e tij.

“Flamuri i Ashkalinjve sot feston 19-vjetorin e tij. Me datë 15 shkurt 2003, ideatorët dhe krerët e popullit ashkali në krye me Sabit Rrahmanin dhe Berat Qerimin kanë shpalosur flamurin kombëtar në kongresin e Ashkalive të Evropës, i cili u mbajt në Prishtinë. Festa jonë është edhe në ligjin e festave zyrtare si festë memoriale Dita e Ashkalive, flamuri ynë simbolizon shqiponja në mes me ngjyrë ari dinastinë ashkanjane të Persisë së vjetër, ngjyra e bardhë paqe, ngjyra e gjelbër religjionin islam dhe ngjyra e kuqe sakrificën”.

Kritika të njëjta si Rrahmani për institucionet sa i përket mbështetjes për ashkalinjtë ka edhe Danush Ademi nga Partia Demokratike e Ashkalinjve të Kosovës.

“Gjendja nuk është e mirë për shkak të papunësisë. Ka edhe mospërfaqësim të duhur të komuniteteve në Qeverinë e Kosovës, pasi ashkalinjtë nuk kanë marrë përkrahje të mjaftueshme për shkak të pandemisë. Komunitetin tonë varfëria dhe pandemia, të dyja përnjëherë, i kanë dëmtuar shumë. Qeveria nuk ka ofruar mundësi për këto familje skamnore, ndoshta disa pako diku-diku, por nuk është gjendja e kënaqshme”, ka thënë Ademi.

Veçse sa u përket ideatorëve të flamurit të ashkalinjve, Danushi thotë se vetë ai është një ndër ata.

“Dita e Flamurit është vendosur më 15 shkurt të vitit 2003. Ne ishim iniciatorë që e kemi iniciu Ditën e Flamurit Kombëtar. Unë dhe Rexhep Bajrami dhe kemi qenë iniciatorët e parë për çështjen e flamurit kombëtar, Sabit Rrahmanin e kemi pasë deputet në Kuvendin e Kosovës që e ka ngritë çështjen, e kemi menduar që edhe komuniteti ynë duhet ta ketë flamurin kombëtar”.

“Flamuri Kombëtar i ka tre ngjyra, ngjyra e gjelbër simbolizon fenë islame, pasi komuniteti është mysliman, ngjyra e bardhë simbolizon se gjithmonë kemi dashtë paqe, ngjyra e kuqe simbolizon rezistencën, shqiponja në mes e ka zemërgjerësinë, sepse komuniteti ashkali e ka zemrën e gjerë”.

Kryeministri Albin Kurti, sot në një tubim kushtuar Ditës së Ashkalinjve, ka premtuar se do të punohet më shumë për të drejtat dhe në përmirësimin e jetës së këtij komuniteti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat