Bashkësitë fetare kundër ripërkufizimit të martesës

Kosova

Bashkësitë fetare kundër ripërkufizimit të martesës

Më: 23 shkurt 2022 Në ora: 17:52
Parada e Krenarisë në Prishtinë më 2019.

Udhëheqësit e katër bashkësive fetare në Kosovë kanë nënshkruar të mërkurën një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës bëhet thirrje që në Projektkodin Civil, të mos bëhen ndryshime sa i përket martesës dhe familjes.

Projektkodi pritet të dalë të enjten para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Ky Projektkod përfshin një nen i cili i hap rrugën hartimit të një ligji të veçantë për lejimin e “bashkësive civile” ndërmjet personave të gjinisë së njëjtë.

Deklarata u nënshkrua nga Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, kryetari i Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës, Femi Cakolli, dhe kryetari i Bashkësisë Hebraike të Kosovës, Votim Demiri.

Në këtë deklaratë, prijësit fetarë thanë se ndryshimet sa i përket familjes dhe martesës, cenojnë "fjalën e Zotit".

“Të prekësh ripërkufizimin e martesës dhe të pjesëmarrësve në të, pra të burrit i lindur mashkull, dhe të gruas e lindur femër, mendojmë se po cenohet drejtpërdrejt fjala e vullneti i Zotit si dhe mbulesa e tij e shenjtë për të gjithë familjen njerëzore e cila ka nisur prej një burri e një gruaja me bekimin dhe urdhërimin e shumëzimit të përjetshëm”, u tha në deklaratë.

Prijësit fetarë thanë se nuk pajtohen që personat e komunitetit LGBTI të kenë mundësi që adaptojnë fëmijë.

“Me bashkimin apo bashkëjetesën e dy personave me gjini të njëjtë nuk mund të pajtohemi kurrsesi që ta quajmë as martesë e as kurorëzim dhe jemi kundër orientimit që këta individë që lidhin bashkëjetesë të adaptojnë fëmijë”, thuhet në deklaratën e nënshkruar nga krerët fetarë.

Krerët fetarë i bën thirrje deputetëve, Qeverisë dhe institucioneve të tjera që të heqin dorë nga ndryshimet në legjislacionin që përkufizon martesën dhe familjen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat