​Mbi 200 mijë persona me aftësi të kufizuara në Kosovë, Tejeci: Kanë pengesa në qasje publike

Kosova

​Mbi 200 mijë persona me aftësi të kufizuara në Kosovë, Tejeci: Kanë pengesa në qasje publike

Më: 1 mars 2022 Në ora: 11:07
Dita Ndërkombëtare "Zero Diskriminim"

Mbi 200 mijë persona me aftësi të kufizuara jetojnë në Kosovë. Kjo kategori po konsiderohet më e diskriminuara, meqë të njëjtit kanë mungesë të qasjes në institucione publike dhe rrezik gjatë qarkullimit.

Kështu u tha në tryezën në Ditën Ndërkombëtare "Zero Diskriminim", të organizuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit.

Merita Tejeci Çela nga Institucioni i Avokatit të Popullit tha se shqetësuese mbetet mungesa e qasjes së duhur dhe të pa penguar të personave me aftësi të kufizuara.

"144 mijë deri në 270 mijë persona mendohet që janë personat me aftësi të kufizuara. Edhe më tutje këta persona kanë pengesa në qasje publike", tha ajo.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj ka bërë hapjen zyrtare të vitit për personat me aftësi të kufizuara. Ai tha se Kosova tashmë e ka Ligjin kundër Diskriminim, por që i njëjti nuk është implementuar në gjykatat tona.

Të njëjtën gjë e ka potencuar edhe anëtari i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Alban Bajrami. Ai në këtë tryezë tha se grupi më i diskriminuar janë personat me aftësi të kufizuara.

"Diskriminimet e të gjitha llojeve nuk kanë arritur të marrin dënimin e duhur. Kjo na ka shtyrë si komision që ta rishkruajmë Ligjin kundër Diskriminim dhe të adresojë sfidat e kësaj kategorie gjatë pandemisë. Sepse gjatë pandemisë ka pasur shkelje të drejtave të njeriut, ata që kanë vuajtur më së shumti kanë qenë personat me aftësi të kufizuara", u shpreh ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat