​“Kundër patriarkatit që vret”, shënohet Dita Ndërkombëtare e Gruas në Prishtinë

Kosova

​“Kundër patriarkatit që vret”, shënohet Dita Ndërkombëtare e Gruas në Prishtinë

Më: 8 mars 2022 Në ora: 15:11
Ilustrim

Me moton "Marshojmë s'festojmë", gra e vajza pikërisht në Ditën e Gruas kërkuan të drejtat e tyre.

Me pankartat e tyre, "Ka ardh sahati me u rr'zu patriarkati", “Çdo grua është grua punëtore", "stop racizmi", "Barazi gjinore”, “Drejtësi shoqërore", Gjykata i ka duart me gjak”, qytetarë të shumtë marshuan nga Pallati i Drejtësisë për t’u ndaluar tek objekti i Qeverisë së Kosovës, për çka vazhduan të kundërshtojnë vrasjet e grave.

Aktivistja e marshit, “Marshojmë S'festojmë”, Bjeshkë Guri, tha para Qeverisë që nuk do të ndalën së kundërshtuari shtypjen dhe të padrejtat që ju behën grave.

Guri: Do të rezistojmë çdo herë e më fuqishëm që secila të jetë e lirë dhe e barabartë

“Ne sot po ua rikujtojmë edhe Qeverise e çdo hallke tjetër institucionale që ne nuk do të ndalemi së kundërshtuari shtypjen tonë e do të organizohemi në çdo hapësirë private a publike e do të rezistojmë çdo herë e më fuqishëm. Deri sa secila prej nesh të jete lirë dhe e barabartë”, tha Guri.

Ndërsa aktivistja tjetër, Liridona Sijarina, tha që e ardhmja që projektojnë është një e ardhme pa shtypje gjinore e pa luftë e dominim.

Sijarina: Një e ardhme që na jep mundësi secilës/it

“Ne e theksojmë se e ardhmja të cilën ne e projektojmë, është një e ardhme pa shtypje gjinore, racore e klasore, pa luftë e dominim. E ardhmja që ne projektojmë është një e ardhme që na jep mundësi secilës/it të jetojmë të lira/ë individualisht e kolektivisht e të zhvillojmë potencialin tonë njerëzor”, tha Sijarina.

Ndërkaq njëra nga qytetaret që i është bashkangjitur këtij marshi, Era Tahiti, tha që ky 8 Mars i ka pritur më ndryshe, për arsye se ka qenë një numër i madh i grave të vrara.

Tahiri: Ka qenë një numër shumë i madh grave të vrara

“Ky 8 Mars na ka pritë shumë më ndryshe se 8 Marset tjerë, për arsye se ka qenë një numër shumë i madh i grave, të cilat janë vra dhe po shpresojë që sado pak sa kemi dalë sot, ka me qenë një vetëdijesim i qytetarëve, sepse të gjithë jemi të barabartë dhe gratë meritojnë një jetë dinjitoze”, tha ajo.

Marshi ka filluar nga Pallati i Drejtësisë e ka vazhduar deri të objekti i Qeverisë së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat