​Gratë e Krushes marrin mirënjohje nga ministrja Haxhiu

Kosova

​Gratë e Krushes marrin mirënjohje nga ministrja Haxhiu

Më: 8 mars 2022 Në ora: 19:26
Ministrja Haxhiu u ndau një mirënjohje në shenjë vlerësimi për kontributin që Krusha i dha Kosovës

Gratë të cilat dhimbjen e tyre e shndërruan në forcë për zhvillim, janë shembulli tjetër për të cilin vazhdojnë të na bëjnë krenarë.

Për sakrificën dhe përkushtimin sublim të grave të Krushës, ministrja Haxhiu u ndau një mirënjohje në shenjë vlerësimi për kontributin që Krusha i dha dhe vazhdon t'i jap atdheut tonë, Kosovës.

Ndërkohë gjatë ditës, ministrja e Drejtësisë, e shoqëruar nga zëvendësministrja, njëherit koordinatore kombëtare kundër dhunës në familje, pritën në takim kryesuesit e Odës Ekonomike të Kosovës, asaj Amerikane dhe Gjermane.

“U diskutua mbi sfidat e grave, përfshirë qasje në tregun e punës, dhe nismat që mund të ndërmerren në koordinim me Ministrinë e Drejtësisë. Të pranishmit ranë dakord në konsolidimin e një bashkëpunimi për të garantuar punësim të grave, të mbijetuara të dhunës në familje”, thuhet në komunikatë të MD-së.

Në një takim të mundësuar nga QKRMT, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, takoi disa nga të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës me të cilat diskutoi për sfidat e tyre, pengesat në njohjen e statusit të tyre si dhe rëndësinë e adresimit të këtyre krimeve të luftës në Prokurorinë Speciale me ç’rast i njoftoi për angazhimin në rritjen e kapaciteteve e kësaj prokurorie.

Ministrja Haxhiu falënderoi Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës për kontributin e dhënë ndërvite, duke qenë adresë për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës.

Në ditën ndërkombëtare të gruas, ministrja Haxhiu së bashku me ministrin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë pritur në takim përfaqësueset gra nga komunitetet egjiptian, ashkali dhe rom.

Gjatë këtij takimi u theksua përfshirja dhe roli shumë i rëndësishëm i gruas, si në jetën shoqërore, politike e kulturore. Ministrja Haxhiu theksoi se diskriminimi i grave dhe vajzave në Kosovë bëhet nga radhët e të gjitha komuniteteve, por më e theksuar është tek këto komunitete.

Nga ana tjetër, ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi tha se "Fakti që kjo qeveri në vazhdimësi ka interes t’i trajtojë kërkesat e një komuniteti të margjinalizuar do të thote shumë. Investimi në shkollimin e pjestarëve të komunitetit, veçanërisht të vajzave duhet të trajtohet me prioritet".

Ministrja Haxhiu shprehu zotim se përpjekjet e saj do të jenë të vazhdueshme në trajtimin me prioritet të të drejtave të grave, punësimit dhe avancimit të rolit të tyre në shoqëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat