Hapet panairi me produkte të grave në agrobiznes

Kosova

Hapet panairi me produkte të grave në agrobiznes

Më: 9 mars 2022 Në ora: 13:54
Hapet panairi me produkte të grave në agrobiznes

Rreth 12 agrobiznese që janë në pronësi të grave po ekospozojnë produktet e tyre në sheshin Zahir Pajaziti në kryeqytet.

Kordinatorja e projektit, Danijella Çoça bëri të ditur se ky panair, i cili do të zgjasë dy ditë, ka për qëllim mbështetjen e grave në agrobiznes.

Çoça:Panairi ka për qëllim mbështetjen e grave në agrobiznes

“Njëra prej aktiviteteve më kryesore është kampanja e vetëdijësimit për çështjen rreth barazisë gjinore të të drejtave pronësore në bujqësi dhe zhvillimit ekonomik rural. Në kuadër të këtij aktiviteti është edhe ky panair i cili ka për qëllim mbështetjen e grave në agrobiznes, promovimin e produkteve të prodhuara mes lansimit të logos unike duke bërë thirrje për përkrahjen e prodhueseve dhe të produkteve duke i bërë këto prodhime të dallohen në dyqane dhe tregje”, shprehet ajo.

Sekretari i Ministrisë së Bujqësisë, Blerim Hasani tha se si ministri i kanë dhënë prioritet aktiviteteve promovuese të produkteve bujqësore vendore.

Hasani:Javën e kaluar kemi nënshkruar programin e pagesave për subvencione

“Kemi sponsorizuar Ligjin për zhvillim të bujqësisë e cila është aprovuar në Qeveri dhe ka kaluar në Kuvend. Përmes këtij ligji i kemi dhënë prioritet aktiviteteve promovuese të produkteve tona bujqësore. Në këtë vit jemi të fokusuar në realizim e programeve tona vjetore ku javën e kaluar kemi nënshkruar programin e pagesave subvencione në bujqësi, kemi rritje të theksuar të shumave të subvencionimit pjesë e kësaj rritje janë edhe kulturat që sot po i promovoni në këtë panair”, tha Hasani.

Në këtë drejtim, Hasani tha se në fund të këtij muaji do bëhet edhe lansimi i një programi të ri që ka për synim përkrahjen e bizneseve të vogla.

Hasani: Ne si ministri kemi një mekanizëm një njësi që mbron të drejtat e grave në biznes

“Në programin tjetër që do ta lansojmë në fund të muajit mars siç është programi për zhvillim të bujqësisë dhe zhvillim rural, grande në bujqësi do të përkushtohemi të përkrahen projekte të vogla të agroturizmit... Program shtesë të cilin do mund të përfitojnë gratë e agrobiznesit janë edhe programi i OJQ-ve, të cilin do ta lansojmë këtë vit dhe që nuk është lansuar qe disa vite, do të ketë përkrahje të shtuar. Ne, si ministri kemi një mekanizëm, një njësi që mbron të drejtat e grave në biznes”, ka thënë ai.

Nënkryetarja e komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu tregoi për shumën që ka ndarë komuna për tri projekte në tri vitet e fundit dhe për prioritet që i kanë.

Sahatçiu:Komuna e Prishtinës në tri vietet e fundit ka investuar 1.5 milionë euro për tri projekte

“Investimi i komunës së Prishtinës është në vlerë prej 1.5 milionë euro në këto tri vite në këto tri projekte, kjo sigurisht e tregon edhe prioritetin që komuna e Prishtinës e ka për këtë sektor rrjedhimisht prioritetin në fuqizimin e agrobizneseve dhe forcimin e pozitës së prodhueseve lokal në veçanti në punësimin e grave si dhe në formalizmin e mbështetjen e bizneseve të tyre me pajisje efeciente që i rritë kapacitetin prodhues... Ju ftoj t’i blini, t’i konsumoni ato që mos të detyrohen të bëjnë eksport për jashtë, por të jemi ne konsumatorët e parë të produkteve të tyre”, theksoi ajo.

Havushe Bunjaku, themeluese e biznesit “99 lule” thotë për KosovaPress se që nga viti 2012 merret më këtë biznes.

Bunjaku:Po i promovojmë produktet e reja në panair

“Po i promovojmë produktet e reja në panair, çajrat organik, uthullën dhe kremrat. Ne punojmë nga viti 2012 tash e kemi linjën e re të kremrave me projektin SIRED që na ka përkrah gjatë vitit 2021. Jemi në rrjetin e marketeve në Maxi market janë produktet shesim online edhe nëpër restauronte”, tha ajo.

Edhe Valbona Ajeti nga komuna e Vitisë ka kohë të gjatë që merret me këtë biznes. Ajo thotë se vullneti për këtë punë e kanë shtyrë që të vazhdojë të punojë në këtë profesion.

Ajeti: Vullneti i punës ka qenë 100 përqind edhe kemi arrit këtu ku jemi

“Merremi me konservimin e pemëve dhe perimeve, prej vitit 2015. Vullneti i punës ka qenë 100 për qind edhe kemi arrit këtu ku jemi sot. Në disa markete në Kosovë kemi edhe eksport. Kemi fermerët tonë që bashkëpunojmë”, shprehet Ajeti.

Ky aktivitet është zhvilluar në kuadër të projektit SIRED dhe partner implementues është EKW.

Panairi mbështetet edhe nga Caritas Sëitzerland in Kosovo, Komuna e Prishtinës, Austrian Development Agency

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat