Një muze kujtese për “qytetin e djegur” nga lufta e viteve 1998-1999

Kosova

Një muze kujtese për “qytetin e djegur” nga lufta e viteve 1998-1999

Nga: Bejtullah Sokoli Më: 31 mars 2022 Në ora: 10:48
Ilustrim

Pse po heshtet?

Historia e krimeve makabre dhe të papara ndonjëherë të bëra nga forcat serbosllave në vitet e luftës 1998-1999,duhet dëshmuar dhe rrëfyer me fakte e argumente brez pas brezit. Sepse, vetëm duke mbajtur kujtesën gjallë mund ta ngjallim ndërgjegjen që po na mungon mbi atë që sot bëjmë.

E që kjo të arrihet duhet pasur institucione përkatëse. Pra, një apo shumë muze për krimet e luftës. Me një fjalë, një Muze Kujtese. Por, për fat të keq një i tillë për momentin i mungon “Qytetit të djegur” nga lufta e viteve 1998/99. Ndonëse po bëhen 23 vjet në liri, Rahoveci ende nuk ka asnjë institucion ku do të ruhen e dokumentohen vrasjet, masakrat, karbonizimi i banorëve dhe dëshmorëve të qytetit gjatë Betejës së Rahovecit 17-25 korrik të vitit 1998,si dhe gjatë luftës në vitin 1999.Janë rreth 200 banorë qyteti të të gjitha moshave dhe gjinive të cilët u vranë dhe u masakruan në shtëpi, rrugë e objekte fetare. Madje disa edhe u karbonizuan. U morën peng dhe u zhdukën pa gjurmë. Forcat policore-ushtarake dogjën, rrënuan dhe shkatërruan qindra objekte banimi, ekonomi familjare, firma private etj. Dhe, jo rastësisht gjatë Betejës në Rahovec, ky qytet u quajt “Qyteti i djegur”, si një betejë historike që i bën krenarë banorët e qytetit. Jo vetëm kaq. Ai u krahasua edhe me Srebrenicën dhe Vukovarin e viteve të luftës(1991-1995). Megjithatë, ai u ringrit dhe u ringjall, karshi dëmeve si në njerëz dhe ekonomi familjare.

Ndaj, marrë parasysh këto dhe shumë bëma tjera që ndodhën në këtë qytet duhet hapur një Shtëpi

Muze kujtese që nesër të mos bëhet vonë. O tash o kurrë. E besa pse të mos bëhet edhe ndonjë film dokumentar. E në shtëpinë muze do të ekspozohej e dokumentohej agresioni serb të bërë ndaj banorëve të qytetit. Do jenë aty rrobat e përgjakura me grisje e vrima nga plumbat e armikut serb, përfshirë edhe gjërat tjera të luftës. Po ashtu të hapet një muze kujtese lufte, me fakte e dokumentacion, rrëfimet dhe përjetimet e të mbijetuarve, dëshmitarëve të gjallë okularë të masakrës në qytet. Një muze për Betejën e Rahovecit...Në Muze të jetë e hapur përherë ekspozita muzeale e qytetit për vizitorë, turistë të vendit e të huaj. Por nëse nuk veprohet tani, jemi gati ta shlyejmë nga kujtesa të gjithë tmerrin e përjetuar. Ky do ishte gabim i pafalshëm. Brezat e tashëm dhe i ardhshëm duhet të mësojnë të kaluarën e hidhur të baballarëve të tyre.

E keqja është se dëshmitarët po ikin në amshim, kurse institucionet komunale të paslufte kanë dështuar të hapin një muze të luftës në qytetin e gurit. E turpshme!

Nuk e gjen dot në mend përse komunarët nuk bën asnjë hap konkret që edhe qyteti të ketë një muze lufte. Këtë mungesë nuk e “shprushën” as banorët dhe intelektualët e qytetit, të kamunit, pastaj shoqëria civile si dhe pozita dhe opozita në Kuvendin komunal e të tjerë. Pra, këta dhe qeveria aktuale nuk kanë bërë asgjë në këtë plan. Si duket i kanë futur veshët në lesh dhe nuk bëzajnë. Kanë zgjedhur heshtjen ku nuk duhet heshtur. Turp! Turp! Turp!

Pra, nuk mjafton një herë në mot me ia mësy e me bo homazhe varrezave, shtatoreve, busteve, murit të pikëllimit, kullës së dëshmorëve e martirëve me një buqetë lule e duke u krekosur para mediave me fjalime që edhe ashtu nuk e shkruajnë vet.

Kujtimi për këta dhe këto dhe secilin që është flijuar për lirinë tonë nuk duhet harruar për jetë e mot.

Lavdi e përjetshme!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat