Bora e mbulon këtë qytet të Kosovës

Kosova

Bora e mbulon këtë qytet të Kosovës

Më: 10 prill 2022 Në ora: 13:38
Dragashi

Kjo javë kryesisht ka qenë me mot të ndryshueshëm, me  diell dhe vranësira ndërsa gjatë ditës së sotme është paralajmëruar edhe për reshje të borës në disa vende.

Në një fotografi të publikuar nga drejtori i Arsimit në Komunën e Dragashit, Selim Kryeziu, shihet se bora ka mbuluar rrugët e këtij qyteti.

Ndryshe, “Prishtina Weather” ka parashikuar se javën e ardhshme pritet të ketë rritje të temperaturave e që të mërkurën moti pritet të jetë 20 gradë celsius.

Postimi:

Një e diele e përgjumshme dhe e turbullt. Assesi të kthjellët as moti as njeriu. "Bane Zot t'ashtë andërr"! Dhjetë prill, d.m.th., muaji i nëntë të dimrit. Po bie borë. Lopatës i është thyer bishti e drutë janë konvertuar në hi. A në anën tjetër, rryma shumë shtrenjtë. Rrofshin batanijet!

M'u kujtua "Kur pranvera vonohet" e Fadilit. E Fadilit! Tani, ja atribuan atij, po nejse. Të tjerë e patën shkruar. As kjo s'është gjë e keqe, as e veçantë. Politikanëve gjithmonë ua kanë shkruar të tjerët.

Ku e kisha fjalën?! Për bishtine lopatës? Jo more, ç'bisht m... . As për Fadilin jo, po për dimrin e gjatë e të mërzitshëm. Na mbyti i mallkuari!

Në libra gjeografie shkruan "Dragashi, komuna me jugore e Kosovës", kurse mua, krejtë po më dukët se po jetoj në polin e veriut, gju më gju me laponët a eskimezët.

Po dielli?! Ku është ai?! Të mençur kanë qenë egjiptasit e vjetër që e mbanin për Kryezot Amon Ra-në.

Më kujtohet para pak vitesh, kur shkoja në mbledhje partie në Kryekasabanë e shtetit tonë, kolegët më pyetnin me radhë:

- Ka borë naltë?

- Po, ka.

- Ka ...

Pastaj tjetri, e tjetri, e ...

- Po po, ka. Edhe këlyshë të racës ka, këlyshë që kur të rritët me kismet, bëhen QEN SHARRI, d.m.th. . Edhe Djathë sharri gjithashtu ka. Po, për ndonjë gjë tjetër keni nevojë? Për "kompira t'Opojës", p.sh.?

Ironinë time e merrnin për shaka, prandaj edhe qeshnin, ndonjë me hipokrizi e ndonjë qeshte vërtet.

Kështu e kanë këta kasaballinjët, na nënvlerësojnë a nënçmojnë neve si provincial që jemi, si katundarë, thënë më rrafsh. Mendon "tipi" se po jetove a linde në qytet, automatikisht je i ditur dhe i kulturuar, kurse ne tjerët, të gjithë jemi injorantë. Një ndarje dostojevskane kjo. Dallashllëk.

More ku e pata fjalën unë se?!

Te bora, po. (Jo Bora Zemanin e Përputhën), po për borën, për dimrin.

Borë po vazhdon të bie. Kujtoj Ukrainën dhe çmimet bashkë me të, dhe disi ngushëlloj vetveten, apo siç thonë të diturit, i gjejë vetës një "satisfakcion". Ka edhe më keq, them. Shprehje disfatiste kjo, por do ndryshojë qasje me kthimin e diellit. Kismet!

Paçi shëndet miq, më shumë për momentin mos kërkoni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat