Çeman dënohet me 2 vite burg dhe 5 mijë euro gjobë për shpëlarjen e 115 mijë eurove

Kosova

Çeman dënohet me 2 vite burg dhe 5 mijë euro gjobë për shpëlarjen e 115 mijë eurove

Më: 19 prill 2022 Në ora: 14:07
Pamje nga gjykata

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 2 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë, Denis Çeman, i akuzuar për shpëlarje të 115 mijë eurove.

Aktgjykimi u shpall në seancën e së martës nga gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica.

Sipas gjykatëses Krasniqi-Jashanica, dënimi ndaj të akuzuarit Çeman do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

I akuzuari po ashtu u obligua me shpenzimet procedurale në shumën prej 100 euro dhe 50 euro për fondin e viktimave të krimit.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në gjykatën e shkallës së dytë, pas marrjes së aktgjykimit.

Sipas aktakuzës së ngritur më 4 tetor 2013 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Denis Çeman akuzohej se më 28 shkurt 2011, edhe pse e ka ditur se shuma e të hollave prej 115 mijë euro rrjedhë nga aktiviteti kriminal, me qëllim të fshehjes së tyre, i ka deponuar në xhirollogarinë e tij në Bankën “TEB” në Prishtinë. Në aktin akuzues thuhet se kur punëtorja e bankës ka kërkuar nga ai që ta plotësojë formularin për prejardhjen e të hollave, i njëjti ka refuzuar duke u larguar nga banka.

Tutje sipas aktakuzës, punëtorja e bankës e ka ftuar përmes telefonit që të bëjë nënshkrimin e deponimit të të hollave, për çka i pandehuri ka shkuar në bankë, e ka nënshkruar fletëdeponimin, e ka bërë tërheqjen e të hollave dhe është larguar nga banka.

Me këtë, Çeman akuzohej se ka kryer veprën penale “Shpëlarja e parave” nga neni 32, paragrafi 2 lidhur me nënparagrafin 2.6, e dënueshme sipas paragrafit 2.8 të Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Financimit të Terrorizmit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat