Glauk Konjufca kujton të vrarët në Grashticë e Makoc

Kosova

Glauk Konjufca kujton të vrarët në Grashticë e Makoc

Më: 19 prill 2022 Në ora: 14:56
Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka kujtuar të vrarët në fshatrat Grashticë dhe Makoc të Prishtinës.

Ai tha se nga 19 deri në 23 prill të vitit 1999, në këto fshatra  u vranë dhe u masakruan 153 shqiptarë të pafajshëm nga forcat ushtarake, policore dhe paraushtarake serbe.

“Civilët shqiptarë, kryesisht të rinj, por edhe gra, fëmijë e pleq, u ndanë nga kolona, u pushkatuan dhe u masakruan përgjatë rrugës që përshkon këto fshatra dhe në disa oborre e shtëpi të fshatit Makoc. Vala e vrasjeve masive të popullatës shqiptare vazhdoi edhe në fshatin Hallaq të Vogël të Lipjanit, ku forcat pushtuese serbe më 19 prill 1999 vranë e masakruan 20 banorë të këtij fshati dhe 6 të tjerë nga fshati Vërshec, të cilët kishin ardhur për t’u strehuar”, shkroi Konjufca në Facebook.

Ai gjithashtu tha se gjatë atyre ditëve të trishta, Malësia e Marecit ishte shndërruar në arenë luftimesh të përgjakshme mes njësive të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave pushtuese serbe.

“Në Betejën e Marecit, duke mbrojtur popullatën e strehuar në fshatrat e Gollakut, ranë dëshmorë 27 luftëtarë dhe 16 martirë. Kujtimi për dëshmorët dhe martirët e lirisë, gjithmonë do të jetë në kujtesën tonë të lavdishme kombëtare. Ndërsa sakrifica sublime e tyre mbetet obligim i yni për ta bërë Kosovën ashtu siç e dëshiruan dëshmorët dhe martirët. Ata janë të gjallë dhe nuk harrohen as nuk vdesin kurrë”, ka shkruar Konjufca.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat