​FIQ mban trajnime për transformimin digjital me organizatat joqeveritare

Kosova

​FIQ mban trajnime për transformimin digjital me organizatat joqeveritare

Më: 27 prill 2022 Në ora: 13:40
​FIQ mban trajnime për transformimin digjital me organizatat joqeveritare

Mbi 20 organizata janë trajnuar në kuadër të projektit të transformimit digjital në Kosovë.

Forumi për Iniciativa Qytetare ka mbajtur gjashtë trajnime të kësaj fushe për këto organizata.

Në konferencën përmbyllëse të këtij projekti u tha se janë mbi 11 mijë organizata joqeveritare të cilat janë të regjistruara në departamentin për OJQ në Ministri të Punëve të Brendshme.

Drejtoresha ekzekutive e FIQ-it, Dajana Berisha ka prezantuar rezultatet e projektit "Digital Transformation of CSOs in Kosovo", ku theksoi se digjitalizimi është prioritet edhe i Bashkimit Evropian.

Berisha: Janë trajnuar mbi 20 organizata për aftësi digjitale

"Kemi pasur 115 aplikime prej organizatave joqeveritare lokale, çka tregon interes. Pavarësisht kapaciteteve financiare apo njerëzore për t’u marrë me sektorin, duhet të investojmë dhe të shohim mundësinë e rritjes të mëtejme. Pjesë e projektit ka qenë e paraparë, ne kemi krijuar edhe programin për të gjitha organizatat që janë pranuar në këtë program. Ku mbi 20+ organizata janë trajnuar për aftësi digjitale”, tha ajo.

Drejtori i Departamentit për OJQ në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Bajram Kosumi theksoi janë mbi 12 mijë organizata joqeveritare të regjistruara në këtë departament.

Kosumi: Janë rreth 11 mijë organizata joqeveritare aktive

"Konsiderohet që aktive janë rreth 11 mijë e 830 organizata joqeveritare. Vendore janë 11 mijë e 475, 552 janë ndërkombëtare, nga forma e organizimit janë 10 mijë e 822 shoqata, 501 fondacione dhe 152 janë në formë të institutit. Ne si institucione qeveritare kemi filluar dhe kemi ndërlidhur këtë platformë me Administratën Tatimore, kështu që prej kur kemi filluar ne ta aplikojmë në vitin 2017, gjitha certifikatat e regjistrimit i pajisim me numrin fiskal, që nuk ka nevojë të shkohet në ATK. Po ashtu kemi ndërlidhje me Agjencionin e Regjistrimit Civil, që na mundëson të konsumojmë të dhënat e sakta për përfaqësuesit e autorizuar dhe themeluesin”, tha Kosumi.

Trajneri i këtij projekti, Oltion Beshiri ka treguar se janë mbajtur gjashtë trajnime për organizatat joqeveritare.

Beshiri: Një nga trajnimet më të rëndësishme ka qenë siguria kibernetike

“Trajnimi i dytë ka qenë siguria kibernetike, e cila ka qenë një prej trajnimeve më të rëndësishme. Për shkak që një prej problemeve që i kemi në Kosovë, qoftë si organizata, biznese apo si individë është siguria kibernetike në botën digjitale. Në diskutimet që i kemi pasur shumica e OJQ-ve na kanë treguar që fjalëkalimet i ruajnë në një dokument në laptop, në të cilin dokument përveç se kanë qasje ata në rast se do të ketë një sulm kibernetik, do të ketë qasje krejt bota. Ne aty e kemi kuptuar se sa probleme ju shfaqen te ruajtja e të dhënave”, ka treguar Beshiri.

Në trajnimin që ka mbajtur me mbi 20 organizata joqeveritare, Beshiri tha se është thënë që të dhënat duhet të ruhen në sisteme të avancuara të kohës.

Në konferencën përmbyllëse të këtij projekti, është përmendur nevoja edhe e edukimit digjital, ku u tha se qytetarët duhet të dinë se cilat informacione janë të rëndësishme. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat