Gjithçka gati për provimin e maturës, mësimdhënësit pjesë e procesit

Kosova

Gjithçka gati për provimin e maturës, mësimdhënësit pjesë e procesit

Më: 26 gusht 2022 Në ora: 10:18
Foto ilustrim

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka bërë të gjitha përgatitjet për organizimin e provimit të dytë të Maturës Shtetërore, që do mbahet më 27 gusht, e që pritet t’i nënshtrohen rreth 5 mijë maturantë të cilët nuk e kanë kaluar provimin në afatin e parë.

Ndërkohë, Sindikata e Arsimit ka paralajmëruar se pas kërkesave që kanë marrë nga drejtoritë komunale të arsimit, edhe përkundër grevës, mësimdhënësit e angazhuar në këtë proces do të jenë pjesë e testimit.

Rreth 5 mijë maturantë të cilët nuk e kanë kaluar provimin në afatin e parë pritet t’i nënshtrohen provimit të dytë shtetëror të maturës. E për mbarëvajtjen e këtij testimi, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet që ky provim të mbahet më 27 gusht, dhe se greva nuk duhet ta pengojë këtë proces.

“Në këtë afat të provimit të Maturës Shtetërore pritet t’i nënshtrohen rreth 5 mijë nxënës në komuna të ndryshme. Ne, si ministri, kemi marrë të gjitha masat për sa i përket përgatitjeve për mbarëvajtjen e provimit të dytë të maturës dhe kërkojmë që ky proces të zhvillohet normalisht dhe as kush mos t’i diskriminojë këta nxënës”, thotë Nagavci.

E,  kryetari i Sindikatës se Arsimit, Rrahman Jasharaj, në një përgjigje për Radio Kosovën tha se edhe përkundër grevës, të gjithë mësimdhënësit do  t’i përgjigjen ftesës së drejtorive komunale të arsimit për të qenë pjesë e këtij testimi.

“Mësimdhënësit në komunikim që do të kenë me drejtoritë komunale të arsimit do të gjejnë  një zgjidhje për mbarëvajtjen e testit të Maturës. Dhe unë jam optimist që Sindikata e Arsimit do sjellë edhe vendim që të shtunën të mbahet testi i Maturës dhe mësimdhënësit që janë caktuar në administrim, të angazhohen dhe të jenë pjesë e këtij procesi”, thotë Jasharaj. 

Ministria e Arsimit ka filluar ndryshimin e ligjit për maturën, në mënyrë që të parandalohet kopjimi me të cilin ky proces po përballet viteve të fundit.  Edhe njohës të arsimit kanë vlerësuar se duhet të merren masa për sa i përket mënyrës së administrimit të provimit shtetëror. Në testin e dytë të provimit të Maturës Shtetërore, maturantët pritet t’i nënshtrohen testit në 65 qendra, ku do të përgjigjen në 100 pyetje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat