Çeku premton dinamizim në procesin e investimeve kapitale në gjithë vendin

Kosova

Çeku premton dinamizim në procesin e investimeve kapitale në gjithë vendin

Më: 1 shtator 2022 Në ora: 20:57
Hajrullah Çeku

Përmirësimi i infrastrukturës fizike për sportistët, artistët e të rinjtë tanë është një prej prioriteteve tona, të cilin po e zbatojmë me shumë kujdes dhe po i japim vëmendjen e merituar.

Kështu ka shkruar ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku i cili njoftoi se sot kanë filluar një cikël të takimeve me kryetarë të komunave.

“Do të sigurohemi që projektet aktuale të kenë dinamikë të shtuar dhe t’i përmbyllim ato që janë në realizim, ndërsa po flasim edhe për projekte të reja për t'i adresuar kërkesat e qytetarëve tanë. E nisëm me një takim konstruktiv me kryetarin e komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi dhe bashkëpunëtorët e tij. Diskutuam për Muzeun etnografik të qytetit. Për finalizimin e këtij investimi u pajtuam që komisioni i ngritur të hartojë sa më parë një raport të plotë me rekomandime dhe pas kësaj të vazhdohet me pranimin teknik, në mënyrë që ky muze të hapet sa më parë për publikun. Ndërtesa e ish-Gjykatës do të restaurohet dhe rifunksionalizohet. U pajtuam që Komuna e Vushtrrisë të vijnë me propozime për funksionin që do ta ketë ndërtesa, duke u bazuar në nevojat e qytetarëve dhe pas kësaj të formalizohet bashkëpunimi ku Ministria e Kulturës merr përsipër restaurimin e ndërtesës dhe më pas t’i kalojë komunës në menaxhim. Ura e Gurit është një monument i trashëgimisë kulturore që ka nevojë për ndërhyrje. Do të angazhohemi që institucionet profesionale të Ministrisë së Kulturës të vlerësojnë gjendjen në terren dhe të japin rekomandimet e tyre për fazat e ardhshme. Renovimet dhe funksionalizimi i hapësirave ekzistuese sportive po trajtohet me prioritet. Palestra e Sporteve “Jeton Tërstena” ka nevojë për renovim të pjesshëm. Projekti për ndërhyrje renovuese i dorëzuar nga Komuna po vlerësohet nga ekspertë dhe pritet të përfshihet në buxhetin e paraparë për renovime në gjithë vendin”, ka shkruar ai, duke shtuar se gjithashtu komuna është zotuar që deri në vitin e ardhshëm të përfundojnë hartimin e projektit për stadiumin “Ferki Aliu”, në mënyrë që të fillojnë punimet në renovimin e pjesës ekzistuese, po ashtu në ndërtimin e tribunave të reja dhe mbulesës së stadiumit.

“Është tejet me rëndësi që projekti të jetë i detajuar dhe cilësor, në mënyrë që të mënjanohen sfidat që mund të shfaqen gjatë zbatimit. Po ashtu diskutuam për dy ngjarje me rëndësi që pritet të organizohen gjatë këtij viti. 40 vjetori i takimit të poeteshave dhe 100 vjetori i klubit të futbollit të Vushtrrisë. E falënderoj kryetarin e Komunës së Vushtrrisë për pritjen dhe bashkëpunimin. Takimet do t’i vazhdojmë në komunat tjera. Mbetemi të angazhuar në mbështetje të sportistëve, të rinjve dhe artistëve në gjithë vendin”, ka shkruar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat