Parqet e kryeqytetit pa ndriçim dhe kamera të sigurisë

Kosova

Parqet e kryeqytetit pa ndriçim dhe kamera të sigurisë

Më: 3 shtator 2022 Në ora: 22:20
Parku Arberia

Është një prej parqeve më të mëdha në Prishtinë por parku në lagjen “Arbëria” nuk ka as ndriçim e aq më pak kamera të sigurisë.

E këtë problem po duket se e kanë te gjitha parqet në kryeqytet.

Kjo ka bërë që qytetarët të jenë të pasigurt për të kaluar në orët e pasdites në parqe shkaku edhe i frekuentimit të tyre nga njerëz të ndryshëm problematik.

Qytetari Nazmi Vuqiterrna i merakosur për gjendjen thotë se duhet të shtohet përkujdesja ndaj fëmijëve.

“Ndoshta duhet me pas një kujdes më të shtuar edhe prej familjarëve edhe jashtë shkollës jashtë kohës së punës të kemi kujdes më të shtuar në përgjithësi për fëmijët, pra kujdes fëmijëve”, tha qytetari Nazmi Vuqiterrna.

Por, rasti i fundit i raportimit se një fëmijë 11-vjeçar u dhunua në park të qytetit, ka bërë që Komuna e Prishtinës të mobilizohet për të shtuar sigurinë në hapësirat publike.

Kjo për RTV Dukagjini është konfirmuar nga Drejtori për Shërbime Publike Ilirik Musliu, derisa ai jep detaje për planet e Komunës së Prishtinës në këtë drejtim.

“Në kohë rekord kemi arritur një kontratë të ndriçimit publik ku kjo kontratë parasheh shtatë llote, katër prej lloteve kanë të bëjë me pjesën urbane, dy prej tyre janë zona rurale dhe një llot ka të bëjë me parkingjet parqet dhe këndet e lojërave”.

“Sa i përket kamerave ne presim deri me datën 15 shtatorit me u bo hapja e ofertave për kamera ku me pjesën e kamerave kemi bashkëpunua ngushtë me Policinë e Kosovës ….pjesën e implementimit jemi zotu ne bashke me kryetarin që pjesa e parë përfshinë nyjat në komunikacion, hapësirat publike dhe tunelet”, tha Musliu.

Kurse, Policia e Kosovës nuk ka dhënë shumë detaje pos një përgjigje të përgjithësuar, duke thënë se realizon patrullime në gjithë vendin në funksion të parandalimit të këtyre veprave penale.

“Policia e Kosovës, në vazhdimësi përmes planifikimeve të saj operacionale realizon patrullime në gjithë vendin në funksion të parandalimit dhe luftimit të veprave penale dhe të gjitha dukurive negative që mund të shfaqen, si dhe ndërmerr veprime ligjore konform ligjeve në fuqi. Po ashtu, secilit rast të raportuar në polici, zyrtarët policorë i përgjigjen për trajtim dhe hetim sa më me efikasitet dhe efektivitet”.

Rasti i fundit i dhunimit të një vajze 11-vjeçare në Prishtinë pos protestave, ka ngritur edhe shumë pyetje e kërkesa nga qytetarët përfshirë sigurinë në parqe e rrugë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat