Vrasja me pagesë në Deçan, ky është arsyetimi i Gjykatës së Apelit për kthimin e rastit në rigjykim

Kosova

Vrasja me pagesë në Deçan, ky është arsyetimi i Gjykatës së Apelit për kthimin e rastit në rigjykim

Më: 10 shtator 2022 Në ora: 21:19
Gjykata e Apelit

Akuza e Prokurorisë së Pejës, e cila pretendon se i ndjerit Ferdinand Gjini u privua nga jeta për shkak të hakmarrjes, ende nuk ka marrë epilog meritor pranë gjykatave të rregullta që nga viti 2018.

Kjo pasi për të dytën herë me radhë rasti penal ndaj të pandehurve Bekim Raja, Avni Sinanaj, Murat Sinanaj dhe Gjon Pnishi, të cilët ngarkohen për këtë vrasje,  është duke u prishur nga gjykatat e instancës më të lartë, të cilat janë duke konstatuar shkelje procedurale.

Fillimisht Gjykata Supreme, kurse tani së fundi edhe Gjykata e Apelit e ka prishur vendimin  Gjykatës së Pejës, ku kjo e fundit më maj të këtij viti kishte gjetur fajtor të pandehurit për vrasjen e të ndjerit Gjini.

Ky vendim është anuluar nga kolegji i Gjykatës së Apelit,  kryesuar nga Vaton Durguti me anëtarët Hashim Çollaku dhe Abdullah Ahmeti, të cilët pas mbajtjes së seancës së kolegjit me 31 gusht 2022, kanë konstatuar se vendimi i Gjykatës së Pejës përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sa i përket gjetjeve të Gjykatës së Pejës për fajësinë e të pandehurit Raja për veprën penale të shtytjes në vrasje të rëndë, Apeli ka theksuar se gjykata e shkallës së parë nuk kishte sqaruar në dispozitiv të gjitha rrethanat të cilat përbejnë figurën e veprës penale të shtytjes në vrasje të rëndë.

“Shkeljet esenciale në këtë pikë të aktgjykimit përkatësisht në dispozitiv të aktgjykimit konsistojnë në atë se gjykata e shkallës së parë nuk ka arritur të sqarojë të gjitha dilemat lidhur me institutin e shtytjes në kryerjen e veprës penale nga ana e të akuzuarit. Që të gjitha shkeljet të cilat i vlerëson gjykata e shkallës së parë gjatë procedimit, dhe është ardhur në përfundim se të njëjtat njëjtat drejtpërdrejtë ndërlidhen me vërtetimin e fakteve të cilat e karakterizojnë veprën penale e cila i vihet në barrë të akuzuarit”, thuhet në arsyetimin e kolegjit të Apelit.

Një shkelje tjetër mirëpo të karakterit joabsolut(relativ) Apeli e konsideron edhe shkeljen e nenit 237 par.6 të Kodit të Procedurës Penale e cila përcakton se urdhri i gjykatës për shpalljen e dëshmitarit bashkëpunues nuk e ndalon që ndaj këtij të fundittë filloj hetimi për vepra penale që dënohen të paktën 10 vite burgim, pasi në këtë rast ndaj dëshmitarit bashkëpunues nuk është filluar ndjekja penale.

Sa i përket të pandehurit Avni Sinanaj, Apeli ka gjetur shkelje në rastin e cilësimit juridik. I pandehuri ngarkohet për veprën penale të ndihmës në kryerjen e vrasjes së rëndë në bashkëkryerje. Këtë cilësim Apeli e ka arsyetuar se instituti i ndihmës dhe bashkëkryerjes janë dy institute të ndara dhe të njëjtat nuk mund të shkojnë së bashkë në cilësim juridik.

“Gjykata e shkallës së parë është dashur që të ketë parasysh se këto dy institute edhe ndihma edhe bashkëkryerja nuk mund të shkojnë bashkë, dhe se të gjitha këto sugjerime kanë qenë të paraqitura edhe në aktgjykimin e Gjykatës Supreme sipas të cili aktgjykim është anuluar aktgjykimi i Gjykatës së Apelit si dhe Gjykatës Themelore”, thuhet në arsyetimin e Apelit.

Apeli, poashtu, ka gjetur se CD-të  që janë pjesë e lëndës penale asnjëherë nuk ishin dëgjuar për të vërtetuar gjendjen faktike.

Tutje, Apeli ka konstatuar se me vendimin e Gjykatës së Pejës nuk ishte definuar roli i dëshmitarit bashkëpunues.

“Nuk është definuar roli i dëshmitarit bashkëpunues “D1” me qëllim që të sqaroj kryesin e veprës penale, ndihmës, shtytësin, bashkëpunuesi, të cilat janë çështje shumë të rëndësishme  sepse dispozita ligjore nga neni 237 I KPPK, lidhur me nenin 123 par.5 shprehimisht janë të përcaktuara veprimet që duhet të ndërmerr organi i cili zhvillon procedurën, për të përcaktuar rolin e secilit kryes të veprës penale, e cila është e paraparë me nenin 262”, thuhet në arsyetim të Apelit.

Si përfundim, Gjykata e Apelit thekson se pasi kishin vlerësuar në mënyre të përgjithësuar të gjitha provat e lëndës, kishin ardhur në përfundim se në këtë lëndë penale Gjykata e Pejës nuk kishte vepruar sipas aktgjykimit të Gjykatës Supreme.

“Kolegji i kësaj gjykate ka vlerësuar në mënyrë të përgjithësuar të gjitha provat nga shkresat e lëndës dhe ka ardhur në përfundim se në këtë çështje penale nga ana e gjykatës së shkallës së parë nuk është vepruar në mënyrë të duhur sikurse është kërkuar me aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, për të qartësuar ekzistimin e veprës penale të vrasjes së rëndë, ndërsa pasi kemi tre të akuzuar,  për të qartësuar secilin veprim që e kanë ndërmarrë secili i akuzuar për të vërtetuar institutin e bashkëkryerjes, ndihmës, shtytjes si forma të bashkëpunimit në kryerjen e veprës penale, sepse të njëjtat duhet vërtetuar në mënyrë të qartë, për të vërtetuar fajësinë e secilit të akuzuar”, thuhet në arsyetimin e Apelit.

Apeli ka kërkuar nga Gjykata e Pejës që ti vlerësoj një nga një të gjitha provat materiale dhe personale, duke filluar nga CD-ja, me qëllim që të gjejë përgjigjet se çfarë ka ndodhur në ditën kritike dhe kush  ishin kryesit.

“Për të vërtetuar se në ditën kritike në maj të vitit 2012 a ka ndodhur vepra penale apo nuk ka ndodh, në çfarë rrethana ka ndodh, kush kanë qenë kryesit e veprës penale, të cilat vërtetohen në bazë të dëshmitarëve përkatësisht provave personale dhe materiale. Gjithashtu gjykata e shkallës së parë duhet të ketë parasysh që pasi që të tre të akuzuarve iu është vazhduar paraburgimi, nuk duhet të qëndron fjalia “që të akuzuarit do ti vuajnë dënimet pas plotëfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”, thuhet në arsyetimin e Apelit.

Ndryshe, më 31 gusht 2022, Gjykatën e Apelit kishte shqyrtuar ankesat e Prokurorisë Themelore në Pejë dhe mbrojtjes, në rastin e të dënuarve Bekim Raja, Avni Sinanaj, Murat Sinanaj dhe Gjon Pnishi, për vrasjen e të ndjerit Ferdinand Gjini.

Gjykata Themelore në Pejë, më 20 maj 2022, Bekim Rajën e ka dënuar me 14 vite e 6 muaj burgim, Avni Sinanajn me 8 vite 6 muaj burgim, Murat Sinanajn me 18 vite e 6 muaj burgim, kurse Gjon Pnishin me 6 vite burgim, të cilin dënim ai e ka mbajtur, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

Ndryshe, më 15 prill 2021, prokurorja Valbona Dishaj-Haxhsaj ka bërë rikualifikimin e veprës penale, nga vepra penale e bashkimit kriminal, në forma të tjera të bashkëpunimit.

Kundër këtij aktgjykimi, ka ushtruar ankesë Prokuroria Themelore e Pejës për shkak të vendimit mbi dënimin, duke kërkuar që të dënuarve t’iu shqiptohet dënim më i ashpër.

Kurse, Prokuroria e Apelit me parashtresë ka kërkuar që ankesa e Prokurorisë Themelore dhe e përfaqësuesve të palëve të dëmtuara të aprovohen si të bazuara, kurse ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve, të refuzohen si të pabazuara.

Edhe përfaqësuesit e palëve të dëmtuara, avokatët Teki Bokshi dhe Korab Bokshi, kanë ushtruar ankesë për shkak të vendimit mbi dënimin, duke kërkuar që të akuzuarve t’iu shqiptohet dënim më i ashpër.

Avokati Teki Bokshi tha se vendimi mbi dënimin është në kundërshtim më udhëzuesin e Gjykatës Supreme të Kosovës, andaj kërkoi që vendimi mbi dënimin të jetë në harmoni me këtë udhëzim.

Kurse, avokati Korab Bokshi tha se mbetet pranë ankesës së parashtruar dhe kërkoi nga Gjykata e Apelit që të marrë parasysh edhe përgjigjen në ankesë të përpiluar bashkërisht me avokatin Teki Bokshi.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Murat Sinanaj, avokati Gëzim Kollçaku ka ushtruar ankesë për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave procedurale, vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe vendimin mbi dënimin.

Avokati Kollçaku tha se ankesën e ka bazuar pikërisht në shpalljen e dëshmitarit bashkëpunues, pasi sipas tij në këtë rast janë shkelur të gjitha dispozitat ligjore.

Ai tha se ky aktgjykim ka shkelje edhe për shkak se aktakuza është bazuar vetën në deklarimet e të pandehurit Gjon Pnishi, duke thënë se gjykata nuk ka marrë parasysh deklaratat e dëshmitarit D1, i cili ka thënë decidivisht se ‘‘unë kam qenë në burg, e kam vizitu Gjon Pnishin, vet më ka thanë me fjalët e tij se unë e kam vra të ndjerin’’, e që sipas avokatit Kollçaku i mbrojturi i tij nuk ka pasur lidhje.

Tutje, ai ka thënë se në ankesë ka paraqitur nëntë dallime esenciale mes deklaratës së Gjon Pnishit dhe provave materiale që vërtetojnë sipas tij se i mbrojturi i tij është i pafajshëm.

Andaj, ka kërkuar që të ndryshohet aktgjykimi dhe në mungesë të provave i mbrojturi i tij të lirohet nga akuza ose çështja të kthehet në rigjykim.

Ankesë ka ushtruar edhe mbrojtësja e të akuzuarit Avni Sinanaj, avokatja Kosovare Kelmendi për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave procedurale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së ligjit penal dhe vendimit mbi dënimin.

Ajo tha se mbetet pranë ankesës me shkrim dhe themsoi se të shtojë diçka lidhur me kualifikimin juridik në raport me të mbrojturin e saj Sinanaj, e që lidhet edhe me të dënuarin Gjon Pnishi.

‘‘Të dy janë akuzuar dhe janë shpallur fajtorë në bashkëkryerje dhe ndihmë. Sipas Kodit Penal, bashkëkryerja dhe ndihma janë dy forma që i parasheh Kodi Penal, e këto të dyja bashkërisht nuk mund të shkojnë’’, tha ajo.

Ndërsa, tha se gjykata e shkallës së parë fare nuk e ka përfillur aktgjykimin e Gjykatës Supreme, i cili thotë se duhet të merren parasysh pretendimet e tjera në kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë së mbrojtjes.

Po ashtu, sipas Kelmendit janë radhitur si prova të administruara CD-të, të cilat nuk janë dëgjuar në asnjë shqyrtim gjyqësor e të cilat CD tha se mbrojtja nuk i posedon, madje dyshon të jenë edhe në shkresat e lëndës.

Andaj, e njëjta kërkoi që çështja të kthehet në rivendosje dhe rigjykim.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Bekim Raja, avokati Sylë Lokaj ka ushtruar ankesë kundër aktgjykimit të shkallës së parë për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave procedurale dhe vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike.

Avokati Lokaj tha se prokuroria ka ndryshuar aktakuzën, ndonëse nuk e kanë pranuar këtë duke e quajtur përmirësim, por që sipas tij, mbrojtjes nuk i është dhënë asnjëherë mundësia që të deklarohet lidhur me këtë ndryshim.

Ai po ashtu tha se procedura e shpalljes së dëshmitarit D1 si dëshmitar bashkëpunues është bërë në kundërshtim me dispozitat ligjore përkatëse.

Lokaj shtoi se aktgjykimi i tanishëm është kopje e aktgjykimit të mëparshëm të anuluar, duke propozuar kështu që i njëjti aktgjykim të anulohet dhe çështje të kthehet në rivendosje ose që i mbrojturi i tij të lirohet nga përgjegjësia penale.

Të akuzuarit Bekim Raja, Avni Sinanaj dhe Murat Sinanaj, para kolegjit të përbërë nga gjykatësi Vaton Derguti (kryetar), Hashim Qollaku (gjykatës referues) dhe Abdullah Ahmeti (anëtar), thanë se mbështesin ankesat dhe deklaratat e mbrojtësve të tyre në këtë seancë.

Në këtë rast penal, Gjykata Supreme e ka anuluar aktgjykimin dënues të Themelores ndaj Bekim Rajës, Murat Sinanajt, Avni Sinanajt dhe Gjon Pnishit, të cilët ishin dënuar me 49 vite burgim, vendim ky i vërtetuar nga Apeli.

Gjykata Supreme ka arsyetuar se dispozitivi i aktgjykimit i gjykatës së shkallës së parë është i paqartë dhe në kundërshtim me cilësimin juridik të veprës penale të bashkimit kriminal.

Sipas Supremes, tek bashkimi kriminal, anëtarët e grupit përgjigjen penalisht për veprat penale që rezultojnë nga plani kriminal edhe nëse nuk kanë marrë pjesë drejtpërsëdrejti në kryerjen e veprës konkrete nga plani kriminal i grupit.

Kurse, për rastin e të pandehurve, Supremja ka konstatuar se veprimet e tyre nuk bëjnë pjesë në kuadër të bashkimit kriminal, por për forma tjera të bashkëpunimit mes të dënuarve për kryerjen e vrasjes.

Supremja në fund ka theksuar se dispozitivi i aktgjykimit duhet të jetë i strukturuar ndryshe nga i tanishmi, duke i përshkruar ndaras veprimet e secilit të akuzuar në përputhje me rolin e secilit të pandehur.

“Gjithashtu cilësimi juridik është në kundërshtim me përshkrimin faktik, për faktin se të gjithë janë akuzuar si kryerës të vrasjes, të kryer në kuadër të bashkimit kriminal, ndërsa në përshkrimin e veprës penale, thuhet se i akuzuari B.R. si shtytës ka shtyrë të akuzuarin, Xh.P., në atë mënyrë që të akuzuarit Xh. dhe A., në rolin e ndihmësit e kanë ndihmuar të akuzuarin M. si kryerës për ta vrarë të ndjerin, i cili e ka vrarë të ndjerin e në rrethana të tilla cilësimi juridik i veprës penale, përpos që është në kundërshtim me përshkrimin faktik, ai është edhe i paqartë, ngase nga përshkrimi i veprës penale del se përpos për kryes të vrasjes, kemi të bëjmë me shtytës të vrasjes, ndihmës të vrasjes, mirëpo asnjë nuk është shpallë fajtorë, as për shtytje as për ndihmë në vrasje, por si vrasës”, thuhet në arsyetimin e Supremes.

Supremja aktgjykimin e Gjykatës së Apelit e ka konsideruar të kundërligjshëm, për faktin se nuk kishte dhënë arsye për pretendimet ankimore, por ishte mjaftuar me konstatime “se pretendimet nga ankesa janë të pabazuara” pa një arsyetim të detajuar, se pse pretendimet e tilla ankimore qenkan të pabazuara.

Ndryshe, në korrik të vitit 2020, Gjykata e Apelit e kishte konsideruar të ligjshëm dhe të drejtë vendimin e Gjykatës Themelore në Pejë, me të cilin të pandehurit Bekim Raja, Murat Sinanaj, Avni Sinanaj dhe Gjon Pnishi ishin dënuar me 49 vite burgim, për vrasjen e tani të ndjerit Ferdinand Gjini.

Ashtu siç kishte vendosur Gjykata e Pejës, edhe Gjykata e Apeli kishte vërtetuar se vrasja e tani të ndjerit Gjini ishte bërë nga hakmarrja e paskrupullt e të akuzuarit Bekim Raja, i cili në cilësinë e shtytësit, përmes të pandehurit Gjon Pnishi, kishte premtuar shumën prej 100 mijë euro, ndërsa të pandehurit Murat dhe Avni Sinanaj ishin pajtuar ta realizojnë porosinë e Rajës.

Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Apeli kishte theksuar se ishte vërtetuar se të pandehurit Gjon Pnishi dhe Bekim Raja ishin takuar në garazhin e dëshmitarit bashkëpunues D1 në Zvicër, ku i pandehuri Raja kishte kërkuar nga Pnishi ta vras tani të ndjerin Gjini, apo të gjejë ndonjë person për ta vrarë të njëjtin.

Sipas Apelit, ishte vërtetuar drejt gjendja faktike kur i akuzuari Pnishi, pas kthimit në Kosovë, kishte kontaktuar të akuzuarit Sinanaj për kërkesën e të pandehurit Raja, për vrasjen e tani të ndjerit Gjini.

Sipas Apelit, i akuzuari Avni Sinanaj ishte pajtuar që së bashku me të akuzuarin Murat Sinanaj ta realizojnë porosinë e Rajës, ashtu që të akuzuarit Pnishi dhe Avni Sinanaj, në cilësinë e ndihmësit, e kanë ndihmuar të akuzuarin Murat Sinanaj si kryerës të vrasjes në realizimin e porosisë së të pandehurit Raja, në cilësinë e shtytësit, i cili ka premtuar shpërblim në shumën prej 100 mijë franga zvicerane.

“Pas kësaj kishin filluar veprimet përgatitore, ashtu që Gjoni kishte filluar të komunikojë shpesh me Ferdinandin derisa i akuzuari Avni duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë ekonomike të Gjonit kishte filluar që këtij të fundit t’i sigurojë substanca narkotike me qëllim të joshjes, të cilat substanca më pas Ferdinandi i ka shitur. Kjo situatë ka vazhduar deri në ditën kritike, përkatësisht deri më 23 qershor 2016, kur në fshatin Prapaqan-Komuna e Deçanit, Ferdinand Gjini është vrarë nga i akuzuari Murat Sinanaj”, thuhej në aktgjykimin e Apelit.

Apeli kishte arsyetuar se gjendja faktike ishte provuar me provat e administruara, e sidomos nga dëshmia e vëllait të ndjerit Ferdinand, Pashk Gjini, i cili kishte thënë se para vrasjes së të ndjerit, të njëjtit kishin pasur konflikt fizik me të akuzuarin Bekim Raja, përkatësisht përleshje fizike në mes Mark Kqirës, Pashk Gjinit dhe Ferdinand Gjinit kundër Bekim Rajës dhe si rrjedhojë, sipas Apelit, ka ardhur deri tek porosia e vrasjes nga ana e të akuzuarit Raja.

Apeli kishte konstatuar se gjendja faktike ishte vërtetuar edhe nga deklarata e të pandehurit Gjon Pnishi, i cili kishte vërtetuar motivimin e hakmarrjes së Bekim Rajës, motivin për përfitim të dobisë pasurore, ndarjen e roleve për kryerjen e vrasjes dhe takimin me Bekim Rajën.

“Se të akuzuarit e lartcekur e kanë kryer veprën penale për të cilën janë akuzuar është vërtetuar edhe nga raportet e përgjimit të datës 27.02.20217, lidhur me komunikimet telefonike në mes të akuzuarve Avni Sinanaj dhe Gjon Pnishi të cilët kanë biseduar kryesisht rreth vrasjes; monitorimet telefonike të datës 26.02.2017, të bisedave në mes të akuzuarve Gjon Pnishi dhe Murat Sinanaj me ç’rast i akuzuari Gjon i ka dërguar Muratit mesazh me përmbajtjen “Murat Gjoni jam e kam thirr Avnin as nuk po ma qel, e për ty a fort i keq kesh që i mora 18 vjet e nuk ja përmenda emrin kurrkujt, as me thirr ndonjëherë, me 30 mars e kam shans se nuk më bini mbas me q.. atë nanë se nuk kallxoj krejt për ty të parin se e ki vra, për Bekim Rajën se e ka pagu, për veti se e kam çikën ka më des, ju po bëni hajgare a për veti për dy ditë i keni marrë 50 mijë franga, kush dojnë të mvrajn tanve naj ka pas kana paret, as të Haxhi m… nuk je kan najherë po ju them thirrni ata e të mbijnë mbas”, thuhej në arsyetimin e Apelit.

Tutje, Apeli e kishte arsyetuar vendimin e tij me faktin se nga mbrojtja e të akuzuarit Pnishi ishte vërtetuar takimi me të pandehurin Raja, drekat dhe darkat e bëra në prezencë të dëshmitarit bashkëpunues “D1”, porosia e Rajës drejtuar të akuzuarit Avni Sinanaj për ta kryer vrasjen, si kishte ndikuar avokati Haxhi Çeku tek Pnishi për të mos treguar të vërtetën rreth personave të përfshirë në veprën penale, si dhe premtimi që iu kishte dhënë Gjon Pnishit se deri në ditën e gjykimit do të lirohet.

Apeli kishte konstatuar se gjendja faktike ishte vërtetuar edhe nga dëshmia e dëshmitarit “D1”, i cili ka vërtetuar takimin e Gjon Pnishit me Bekim Rajën, motivin e hakmarrjes që e kishte pasur Raja ndaj të ndjerit, përfitimit pasurore për të pandehurin Pnishi, se të hollat për këtë të fundit i kishte marrë motra dhe djali i motrës në Zvicër dhe se këto para ishin marrë tek dëshmitari bashkëpunues “D1”.

Nga deklarimi i dëshmitarit bashkëpunues, Apeli kishte vërtetuar edhe ndikimin e të pandehurit Raja në dëshmitarin bashkëpunues, i cili pa leje të gjykatës e kishte telefonuar dëshmitarin i cili të nesërmen kishte për të dëshmuar para gjykatës, ku Raja i kishte thënë atij “ki kujdes çka po folë, mos e ndëgjo babën tënd e as babën tim se ata nuk dinë asgjë, mos e merr në qafë veten, këta nuk kanë kurgjo dhe këtë punë e kena kryer”.

Po ashtu sipas Apelit, i akuzuari Raja i kishte premtuar dëshmitarit bashkëpunues “D1”, me fjalët: “se ta mbaj familjen dhe unë do të rri mbas e kryej këtë punë”, duke ia cekur se deri në një milion i rri mbas.

Pretendimet e mbrojtësve të të pandehurve, avokatëve Kosovare Kelmendi, Gëzim Kollëaku, Arianit Koci dhe Granit Vokshi, se aktgjykimi i shkallës së parë përmban shkelje esenciale të procedurës penale, me arsyetimin se aktgjykimi është i bazuar vetëm në deklaratën e dëshmitarit bashkëpunues dhe të pandehurit Gjon Pnishi, Apeli i kishte konsideruar si të pabazuara.

Mbrojtja e të akuzuarve kishte pretenduar se gjykata e shkallës së parë ka vërtetuar gabimisht gjendjen faktike, duke ia falur besimin dëshmisë së të pandehurit Gjon Pnishi dhe dëshmitarit “D1”. Sipas mbrojtjes, deklaratat e tyre ishin trillime dhe nuk gjejnë mbështetje në prova tjera të administruara në shkallën e parë.

“Dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar është i qartë, i kuptueshëm dhe konkret. Në arsyetimin e aktgjykimit janë dhënë arsye të duhura mbi të gjitha faktet vendimtare të kësaj çështje juridiko penale. Gjykata e shkallës së parë ka bërë vlerësimin e provave në pajtim me nenin 370, par.6 dhe 7 të KPPRK-së. Në mënyrë të plotë ka paraqitur vlerësimet e veta se cilat fakte dhe për çfarë arsyesh i merr si të provuara apo të paprovuara dhe bërë vlerësim të provave kontradiktore. Ka bërë analizën e të gjitha provave të procedura gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe lidhur me ato ka paraqitur konkludimet e veta, të cilat si të drejta, objektive dhe të ligjshme i aprovon edhe Gjykata e Apelit e Kosovës”, thuhej në vendimin e Apelit.

Në fund, Apeli kishte refuzuar ankesën e Prokurorisë së Pejës dhe përfaqësuesit të palës së dëmtuar, të cilët kanë kërkuar dënim më të lartë ndaj të akuzuarve, për arsye se Gjykata e Pejës me rastin e dënimit ka marrë parasysh të gjitha rrethanat rëndese dhe lehtësuese të cilat ndikojnë në llojin dhe lartësinë e dënimit.

Sipas Apelit, dënimet e shqiptuara nga Gjykata e Pejës ishin të drejta dhe në harmoni me shkallën e përgjegjësisë penale të të akuzuarve, rrezikshmërisë shoqërore të veprës penale dhe pasojës së shkaktuar.

“Si rrethanë veçanërisht lehtësuese për të akuzuarin Gjon Pnishi është marrë fakti se i njëjti ka bashkëpunuar me organet e drejtësisë për zbardhjen e kësaj çështje juridiko-penale, kurse për të akuzuarit tjerë rrethana lehtësuese nuk ka gjetur. Si rrethanë rënduese gjykata e shkallës së parë për të akuzuarit ka marrë për bazë faktin se të njëjtit kanë vepruar në bashkim kriminal”, thuhej në vendimin e Apelit.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë, më 21 nëntor 2019, i kishte shpallur fajtorë të akuzuarit për vrasje me pagesë në Deçan, Bekim Raja, Avni Sinanaj, Murat Sinanaj dhe Gjon Pnishi.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Sami Sharraxhiu, i akuzuari Murat Sinanaj ishte dënuar me 19 vite burgim, i akuzuari Bekim Raja me 15 vite burgim, i akuzuari Avni Sinanaj me 9 vite burgim, kurse i akuzuari Gjon Pnishi me 6 vite burgim.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 26 korrik 2018, nga Prokuroria Themelore në Pejë dhe të përmirësuar me 15 prill 2021, thuhet se i pandehuri Bekim Raja në muajin maj 2012, në Zvicër, me dashje dhe me qëllim të hakmarrjes së paskrupullt e ka shtyrë të pandehurin Gjon Pnishi, që ky i fundit së bashku me të pandehurit Avni dhe Murat Sinanaj, ta kryejnë vrasjen e viktimës Ferdinand Gjini.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Bekim Raja u kishte premtuar se nëse vrasjen do të kryejnë sa më shpejtë, do të shpërblehen me shumën prej 150 mijë CHF, kurse nëse vrasja do të ketë vonesë, do të shpërblehen 100 mijë CHF.

Sipas aktakuzës, deri te vrasja e të ndjerit kishte ardhur pasi Ferdinand Gjini, së bashku me Mark Kqirajn, e kishin rrahur të pandehurin Bekim Raja. Prokuroria përshkruan se Raja përmes dëshmitarit bashkëpunues “D1″, është takuar me të pandehurin Gjon në Zvicër të cilët kishin lidhur marrëveshje, i pandehuri Gjon e bartë porosinë tek të pandehurit Avni dhe Murat për vrasjen e viktimës Ferdinad Gjini, e cila vrasje është kryer më 23 qershor 2014, në fshatin Prapaqan të Deçanit, nga i pandehuri Murat, i cili për këtë sipas aktakuzës është shpërblyer më shumën 100 mijë CHF.

Me çka, akuzohej se ka kryer veprën penale “shtytje në kryerjen e vrasjes së rëndë” nga neni 179, paragrafi 1, pika 1.8 e lidhur me nenin 32, paragrafin 1 të Kodit Penal.

Të pandehurit Gjon Pnishi dhe Avni Sinanaj thuhet  se pas marrëveshjes mes tyre për të kryer vrasjen sipas porosisë së të pandehurit Raja, fillojnë përgatitjet për këtë veprim që nga viti 2012.

Sipas akuzës, të pandehurit Avni dhe Gjon shfrytëzojnë gjendjen jo të mirë financiare të viktimës Ferdinad, duke e joshur me substanca narkotike, ashtu që një natë para vrasjes takohen të pandehurit me viktimën në Gjakovë dhe merren vesh që në ditën kritike viktima, së bashku me Pnishin, të shkojnë te i pandehuri Avni në Isniq të Deçanit për të marrë një sasi të narkotikëve.

Sipas akuzës, në ditën kritike viktima niset për në drejtim të Deçanit, i përcjellë nga i pandehuri Gjon Pnishi dhe me të arritur te ura që lidh fshatrat Llukë e Prapaqan, i pandehuri Murat i cili kishte dalë në pritë, me të vërejtur viktimën duke kaluar mbi urë pas veturës së të pandehurit Gjon, me armë automatike shtënë në drejtim të veturës duke e privuar nga jeta.

Sipas akuzës, pas vrasjes i pandehuri Bekim të pandehurve Gjon, Avni dhe Murat përmes “D1” dhe familjarëve të pandehurit Gjon, Avni dhe Murat, si shpërblim ua jep shumën prej 100 mijë CHF.

Me çka, duke vepruar si bashkëkryerës, thuhet se kanë kryer veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, nga neni 179, paragrafi 1 pika 1.6 e lidhur me nenin 31 dhe nenin 33, paragrafi 1 të KPK-së.

I akuzuari Murat Sinanaj thuhet se me 23 qershor 2014, rreth orës 8:40, në fshatin Prapaqan të Deçanit, sipas porosisë të pandehurit Bekim dhe përmes ndihmës nga të pandehurve Gjon dhe Avni, në planifikim e vrasjes, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, në mënyrë dinake e privon nga jeta të ndjerin Ferdinad Gjini, duke shtënë në veturën e të ndjerit me armë automatike

Me çka, akuzohej se ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë nga neni 179, paragrafi 1 pika 1.4 dhe 1.6 të KPK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat