Bordi i RTK-së: Ky vit e ka gjetur RTK-në me sfida të shumta

Kosova

Bordi i RTK-së: Ky vit e ka gjetur RTK-në me sfida të shumta

Më: 19 shtator 2022 Në ora: 17:20
Foto ilustrim

Bordi i RTK-së përmes një letre, ka uruar Radio Televizionin e Kosovës në 23 vjetorin e themelimit të tij.

Duke marrë parasysh se transmetuesi publik është institucion me interes nacional dhe mediumi më i rëndësishëm në Kosovë, neve na mbetet ta fuqizojmë edhe më tutje dhe ta bëjmë dritare kryesore të informimit në vend, në të gjitha platformat. Kjo padyshim do të jetë e mundur kur merret parasysh angazhimi dhe kontributi i gjithsecilit prej jush në transformimin e RTK-së”, thuhet në letër urimin e Bordit të RTK-së. 

Sipas kësaj, letre edhe ky vit e ka gjetur RTK-në me sfida të shumta dhe të ndryshme dhe me probleme të trashëguara ndër vite.

“Bordi i RTK-së është duke u angazhuar maksimalisht në përmirësimin e gjendjes së RTK-së në shumë fusha, duke pasur një rol aktiv mbikëqyrës të përcaktuar me Ligjin për RTK-në”, thuhet në letër.

Po ashtu vlerëson Bordi i RTK-së se në RTK tashme është instaluar një logjikë e re e funksionimit dhe menaxhimit, sidomos në aspektin e shpenzimeve buxhetore.

“RTK-ja këtë vit nuk ka hyrë në borxhe të reja, përkundër faktit se kemi pasur 2.2 milionë euro më pak sesa vitin paraprak. Me kursimet që janë bërë në linja te caktuara buxhetore, është mundësuar investim sado modest me qëllim të përmirësimit të kushteve të punës.

Bordi, krahas punës së përditshme në funksion të transmetuesit publik, e ka prioritet angazhimin që sa më shpejtë të zgjidhet çështja e pronës dhe të sigurohet financimi i qëndrueshëm për RTK-në”, thuhet tutje në letër.

Sipas Bordit të RTK-së, Radio Televizioni i Kosovës shumë shpejtë do të nisë një reformë të brendshme, e cila ka për qëllim përmirësimin e funksionimit të RTK-së.

“Bordi i RTK-së ju falënderon për punën e deritanishme, duke ju dëshiruar punë të mbarë dhe suksese secilit prej jush në angazhimet tuaja në RTK”, përfundon letër urimi i Bordit të RTK-së.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat