​Mbillen rreth 500 drunjë, Osmani: Çështja e mbrojtjes së ambientit nuk është një temë luksi

Kosova

​Mbillen rreth 500 drunjë, Osmani: Çështja e mbrojtjes së ambientit nuk është një temë luksi

Më: 26 tetor 2022 Në ora: 16:44
Pamje nga vendi i ngjarjes

Në afërsi të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës janë mbjellur rreth 500 drunjë. Presidentja Vjosa Osmani tha se çështja e mbrojtjes së ambientit nuk është temë luksi, por me shëndetin dhe tokën që u lihet pasardhësve. Kështu u shpreh ajo në shënimin e një-vjetorit të kampanjës për mbjelljen e 1 milion drunjëve. Po ashtu u tha se deri më tani janë mbjellur mbi 850 mijë drunjë.

Presidentja Vjosa Osmani tha se në fazën e dytë të kësaj kampanje do të përfshihet edhe mërgata e Kosovës.

Osmani: Çështja e mbrojtjes së ambientit nuk është një temë luksi

"Çështja e mbrojtjes së ambientit nuk është një temë luksi, është një temë që ka të bëjë me jetën tonë të përditshme, është temë që ka të bëjë me shëndetin tonë, me tokën dhe vendin që ia lëmë pas fëmijëve të Republikës së Kosovës, gjeneratave të ardhshme. Së bashku me ministrat Peci e Aliu kemi ndërmarrë nismat qysh vitin e kaluar për mbjelljen e drunjwve anë e kënd Kosovës dhe këtë po e vazhdojmë sot me qëllim që të iniciojmë edhe fazën e dytë të mbjelljes së drunjtëve, që do ta vazhdojmë në bashkëpunim me Ministrinë e Jashtme dhe Diasporës dhe UNDP. Në këtë fazë të dytë do të angazhohet edhe mërgata e Republikës së Kosovës, e cila deri më tani është angazhuar në çdo proces jo vetëm të zhvillimit ekonomik dhe mbështetjes së çdo familje që jeton në Kosovë, duke u bërë një shtytëse e jashtëzakonshme e zhvillimit ekonomik të vendit”, ka thënë Osmani.

Rreth 500 drunjë do të mbillen në aksin rrugor të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës. Kështu tha ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili shtoi se kjo di të ndikojë në pastrimin e ajrit.

Aliu: Mbi 850 mijë drunjë janë mbjellë

"Ka kaluar më shumë se një vit prej kur jemi zotuar, pas iniciativës së presidentes së vendit, zonjës Osmani për mbjelljen e 1 milion drunjëve. Ne kemi arritur në fazën gati të përfundimit të saj. Pra, mbi 850 mijë drunjë janë mbjellë dhe sot jemi në një ditë ku rreth 500 të tjerë do të mbillen vetëm në ditën e sotme. Rëndësia e këtij aksioni është e jashtëzakonshme në shumë aspekte. Së pari përveç që rregullon peisazh me mbjelljen e drunjëve, përveç që ndikojmë në pastrimin e ajrit, është një aspekt i zvogëlimit të karbonit që është ndër masat shumë të rëndësishme dhe që lidhet me politikat e ndryshimeve klimatike sot", ka thënë ai.

E, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci theksoi se mbjellja e drunjëve ka filluar në tetor të vitit 2021 dhe do të finalizohet në fund të këtij viti.

Peci: Pyjet janë të një rëndësie kombëtare

"Pyjet janë të një rëndësie kombëtare, e iniciativa të tilla që shtyjnë përpara nga liderët e shtetit tonë përcjellin shembullin dhe mesazhin e duhur për mbrojtjen dhe mirëmbajtjen e pyjeve tona, me të cilat karakterizohemi ne si vend. Për sektorin e pylltarisë kemi ndërmarrë një sërë hapash konkret, siç janë: avancimi i legjislacionit, hartimi dhe miratimi i dokumenteve strategjike, siç është strategjia për pylltarinë, formimi i task-forcës për mbrojtjen dhe parandalimin i prerjeve ilegale, hartimi i planit të veprimit për prerjet ilegale si dhe bordin këshilldhënës për institucionet të cilat kanë në portofoliet e tyre-promovimin e mbrojtjes ambientale si dhe parandalimin e prerjes së pyjeve”, ka thënë Peci.

Zëvendëspërfaqësuesi i UNDP-së, Niels Knudsen theksoi se pemët janë jetike për zbutjen e ndotjes që krijojnë vet njerëzit.

Knudsen: Kosova ka një bollëk pemësh

“Pemët janë jetike për ne, për të ndihmuar në zbutjen e ndotjes që ne si njerëz krijojmë, mbrojnë tokën rreth nesh, mbrojnë sistemet e ujit, na mbrojnë nga përmbytjet, rrëshqitjet e tokës krijojnë mjete jetese, krijojnë freski, krijojnë bukuri, dhe krijojnë ndikim pozitiv në shëndetin mendor, pra sa më shumë pemë, aq më mirë. Ne kemi hyrë në një epokë të antropocenit, njerëzit (diktojnë më tepër natyrën)... sesa natyra i dikton njerëzit. Dhe për këtë arsye, është përgjegjësia jonë si njerëz të mbjellim më shumë pemë dhe të mbajmë dhe mbrojmë mjedisin përreth nesh. Kosova ka një bollëk pemësh, shumë pyje, më shumë në krahasim me Ballkanin Perëndimor, por siç dëgjova kjo është gjithashtu nën kërcënim”, u shpreh ai.

Ndërkaq, pronarja e “Chair Airlines”, Lejla Ibrahimi Sallahu tregoi se kjo kompani ka mbështetur mbjelljen e këtyre drunjëve, ku shtoi se ky bashkëpunim do të ndihmojë për ajër më të pastër.

Aktiviteti i mbjelljes së rreth 500 drunjëve është pjesë e kampanjës për mbjelljen e 1 milion drunjëve në gjithë territorin e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat