Kurti vendos gurthemelin e çerdhes së re në kryeqytet

Kosova

Kurti vendos gurthemelin e çerdhes së re në kryeqytet

Më: 27 tetor 2022 Në ora: 10:19
Foto nga vendngjarja

Një tjetër gurthemel i çerdhes është vendosur nga kryeministri Albin Kurti. Pas vendosjes së gurthemeleve në Dobërçan të Gjilanit dhe në Gjakovë, i pari i ekzekutivit së bashku me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, e kanë vendosur gurthemelin e çerdhes së re në afërsi të shkollës së Gjelbër në kryeqytet.  

Kurti ka thënë se investimet në ndërtimin e çerdheve do të bëhen në të gjithë Kosovën dhe kësisoj po realizohen zotimet e dhëna si qeveri.

“Javën e kaluar e vendosëm gurthemelin e çerdhes në Gjakovë. Sot do të vazhdojmë me punime në Prizren, Suharekë, Skenderaj. Po ashtu, do të jem në Podujevë duke lëvizur kësisoj drejt zotimeve tona”, ka thënë Kurti.

Ai më tej ka sqaruar se çerdhja e re në kryeqytet do të ketë 1.300 metra katrorë, me 5 dhoma qëndrimi për fëmijët dhe kap vlerën e 743 mijë eurove.

Në anën tjetër ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se si Qeveri po punojnë në gjithëpërfshirjen e fëmijëve në edukimin e hershëm.

“Qeveria e ka rritur buxhetin për investime në shkolla të reja dhe çerdhe. Do të punojmë shumë në arsim nga komuna në komunë e nga fshati në fshat. Uroj që punimet të shkojnë mbarë e mirë”, u shpreh Nagavci.

Ndërkaq, i pari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, e vlerësoi shumë të rëndësishëm ndërtimin e kësaj çerdheje në këtë lagje të kryeqytetit, teksa theksoi se vetëm bashkëpunimi i mirëfilltë ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror japin frytet e duhura për qytetarët e vendit.

“Bashkëpunimi i nivelit lokal me atë qendror po jep fryte të mirëfillta. Përgjegjësia jonë për ngritjen e kualitetit në arsim fillon nga fëmijëria, ku i mundësojmë fëmijëve të kenë qasje e të shoqërohen me njëri-tjetrin, derisa kjo njëherësh është ndihmë edhe për prindërit”, ka theksuar Rama, i cili ka bërë të ditur se në Komunën e Prishtinës është planifikuar ndërtimi i tri shkollave të reja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat