​Studentët mirëpresin 100 eurot e qeverisë, shpresojnë t’i marrin më shpesh

Kosova

​Studentët mirëpresin 100 eurot e qeverisë, shpresojnë t’i marrin më shpesh

Më: 2 nëntor 2022 Në ora: 12:40
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”

Vendimi i qeverisë për t’i subvencionuar studentët me nga 100 euro, është pritur jashtëzakonisht mirë nga këta të fundit. Sipas tyre, kjo masë ka qenë mëse e nevojshme, derisa thonë se presin edhe ndonjë masë tjetër si kjo e fundit.

Erona Baliu, studente e vitit parë në Universitetin e Prishtinës e ka vlerësuar si vendim të qëlluar ndarjen e 100 eurove nga Qeveria e Kosovës.

Baliu: Si vendim i qeverisë ka qenë mjaft i qëlluar

“Si vendim i qeverisë ka qenë mjaft i qëlluar, se si studentë mundësitë për punë i kemi shumë të pakta dhe harxhimet janë të shumta. Duke pas parasysh edhe inflacionin, ky vendim, këto masa janë shumë të dobishme për studentët. Mendoj se duhet të ketë edhe masa të tjera të këtij qëllimi”, thotë Baliu.

Edhe Dren Selmanaj, i cili vijon studimet në Fakulteti Ekonomik ka mirëpirtur 100 eurot e ndara nga qeveria.

Ai thotë për KosovaPress se kjo shumë ju ka ndihmuar në disa aspekte, mirëpo sipas tij është e pamjaftueshme për shkak të rritjes së çmimeve, derisa kërkoi edhe masa të reja nga qeveria.

Selmanaj: Definitivisht pres masa të reja dhe shpresoj se do të kemi

“Sa i përket kësaj shume edhe pse është pak e pamjaftueshme, na është nevojitur shumë neve si studentë për shkak të shpenzimeve të mëdha që i kemi. Po ashtu na kanë shërbyer edhe për libra dhe për studentet të cilët banojnë në banesa në Prishtinë, sado pak kjo shumë na ka ndihmuar... Definitivisht pres masa të reja dhe shpresoj se do të kemi”, thotë Selmanaj.

Të mirëseardhur shtesën prej 100 eurosh e cilëson Naim Kryeziu, student i vitit të dytë në UP, porse shtoi se duhet të ketë edhe masa tjera.

Kryeziu: Si masë ka qenë e mirë kjo shumë 100 euro

“Si masë ka qenë e mirë kjo shumë 100 euro për shkak se ka studentë të cilët udhëtojnë dhe sado pak i ndihmon kjo pjesë..2:10 Por, sa i përket kësaj shume ndoshta nuk mund të na mjaftojnë për shkak rritjes së çmimeve dhe blerjes së literaturave ku minimalisht një libër për ta blerë kushton rreth 4 euro minimum dhe ku janë të tjerat”, tha Kryeziu.

Kryeziu thotë se kjo masë do t’ju ndihmonte jashtëzakonisht shumë studentëve nëse do të ishte çdo tre muaj.

Kryeziu: Kishte qenë mirë që kjo masë të jetë një herë në tre muajt

“Kjo vlerë i ndihmon secilit studentë. Mirë kish qenë që kjo masë të jetë një herë në tre muajt, për shkak se secilin muaj vetëm se po rriten çmimet edhe më shumë”, thotë Kryeziu.

Thirrja për subvencionimin e studentëve është e hapur deri me 6 nëntor, ku studentët kanë mundësi që të aplikojnë për përfitimin e subvencionimit në vlerë prej 100 euro, pavarësisht nëse ata studiojnë në universitete publike apo private.

Kjo nismë e Qeverisë Kurti është pjesë e pakos për përballjen me inflacionin, nëpërmjet të cilës ekzekutivi synon t’i ndihmojë qytetarët që po përballen me ngritjen e çmimeve.

Më një shumë të ngjashme qeveria kishte subvencionuar studentët edhe në muajin qershor, e që sipas tyre, prej saj kanë përfituar rreth 80 mijë studentë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat