​Përmes gatimit me të vegjlit, PedaKos përmbyll javën e kuzhinës italiane

Kosova

​Përmes gatimit me të vegjlit, PedaKos përmbyll javën e kuzhinës italiane

Më: 19 nëntor 2022 Në ora: 15:27
Foto ilustrim

Projekti PedaKos ka vazhduar të jetë pranë fëmijëve duke iu mundësuar atyre zhvillim profesional, mjedis dhe praktika më të mira në kopshtin ku ata qëndrojnë. Më të vegjlit e institucionit parashkollor “Botanika” sot patën rastin të gatuajnë tortelini bashkë me prindërit e tyre.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe mbasadori italian, Antonello De Riu tha se janë aty që në kuadër të “Javës së kuzhinës italiane” të ndërlidhin edukimin me ushqimin. 

Sipas tij, kjo është mënyra më e mirë që fëmijët të rriten si individ të pavarur dhe që gradualisht të jenë të gatshëm për tregun e punës. 

Ai tha se qëndrimi me fëmijët në kuadër të këtij aktiviteti, dhe i këtyre të fundit me të tjerët është diçka shumë e bukur që ndihmon në socializimin e më të vegjëlve. 

De Riu: Bashkëjetesa e të qenit së bashku, synim i aktiviteteve të javës së kuzhinës italiane 

“Aktiviteti i sotëm përmbyll një sërë aktivitetesh gjatë gjithë javës dhe quhet java e kuzhinës italiane. Pikërisht jemi këtu për t’i ndërlidhur këto elemente, ushqimin dhe edukimin. Që pastaj sjell një edukim të të ushqyerit që iu jep cilësi të tjera fëmijëve kur të dalin në tregun e punës, hap mundësi të reja kur të dalin në tregun e punës. Një aspekt tjetër i kuzhinës është bashkëjetesa e të qenit së bashku. Së bashku me familjen dhe miqtë, të përgatitet së bashku, ta përgatisin së bashku që ta hanë së bashku. Ky është aspekti me i mirë për fëmijët sepse në këtë mënyrë ata socializohen dhe duke u socializuar fëmijët i tejkalojnë shumë pengesa të cilat mund t’i kenë gjatë jetës, jashtë mureve të shkollës”, tha ai. 

Një aktivitet të tillë e mirëpriti drejtoresha e kopshtit “Botanika”, Kadrije Asllani, e cila tregoi se këtë të shtunë i ka mbledhur “Java e kuzhinës italiane”. 

Asllani: Sot gatuajmë për nder të kuzhinës italiane 

“Sot në institucionin parashkollor ‘Botanika’ është organizuar aktiviteti në kuadër të projektit PedaKos. Sot do të gatuajmë për nder të ushqimit italian do të gatuajmë tortelini. Aktiviteti do të mbahet së bashku me fëmijët dhe prindërit ku të ftuar kemi dhe komitetin romë, ashkalinj dhe egjiptianë nga komuna e Gjakovës të cilët do të jenë pjesë e aktivitetit tonë... Prindërit së bashku me fëmijët do të gatuajnë tortelini, do të bashkëngjitet dhe ambasadori italian në aktivitet kështu që së bashku do të gatuajmë tortelini. Gjithashtu kemi përgatitur dhe ushqime të tjera për nder të javës së ushqimit italian”, tha ajo.

Se fëmijët janë ata që i gëzohen më së shumti këtij aktiviteti tregon babai i Arla Cukajt, Kushtrimi. 

Ai thotë se ka një javë që e bija e pret ditën e gatimit të ushqimit italian në kopshtin e saj.

Cukaj: Gatimi i ushqimit italian mundësi e artë për zhvillimin mental të fëmijës 

“Është një aktivitet shumë i mirë dhe i mirëpritur edhe nga prindërit që fëmijët të shohin vet se si këto gjëra realizohen... Gjithsesi edhe fëmijëve iu jep një motivim shtesë, iu jep një vetëbesim, njëkohësisht iu krijohen mundësi për tu shprehur fuqishëm dhe më mirë përmes realizimit të një pune të tillë... Fëmija im ka një javë që e pret këtë ditë, mos të flas prej mëngjesit kur u zgjuar, është veshur, është bërë gati dhe vetëm e shikonte orën tërë kohën, ishte në një ankth gëzimi për të qenë në këtë aktivitet... Ajo së bashku me mua pret të realizojmë disa produkte italiane dhe ta shoh së bashku me babin se si realizohen këto si punohen si do të përziejmë miellin me vezën dhe ta realizojmë një produkt me kënaq veten, babin dhe shoqet”, tha ai.

Ndërsa vogëlushi, Diell Halimi tregoi për KosovaPress përshtypjet e tij nga gatimi i ushqimit italian. Ai tha se i shijon pastat e përgatitura sipas recetave italiane dhe se përgatitja e tyre në ambientet e kopshtit vetëm sa i gëzon ata. 

Ai tregoi se çka i pëlqeu më së shumti. 

Halimi: Kemi bërë makarona me forma të ndryshme 

“Kemi bërë makarona, kemi marr miell e kemi përzier me vezë dhe i kemi përzier venë me miellin, pastaj e kemi shtypur e kemi bërë petë dhe i kemi marruar disa forma kemi bërë me forma petët. Pastaj i kemi futur në tenxhere dhe janë bërë makaronat... Mua më së shumti më ka pëlqyer format”, tha ai. 

Aktiviteti i sotëm përmbyll një sërë aktivitetesh gjatë gjithë “Javës së kuzhinës italiane”. Projekti i cili synon të ndihmojë përmes një mënyre të veçantë e cila quhet “Rech of children” përkrahet nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat