U mbajt takimi i dytë i Komisionit Ministror për Memorialin për fëmijët e vrarë gjatë luftës në Kosovë

Kosova

U mbajt takimi i dytë i Komisionit Ministror për Memorialin për fëmijët e vrarë gjatë luftës në Kosovë

Më: 13 dhjetor 2022 Në ora: 17:10
Kurti, Hahxiu dhe Çeku

Në hapje të takimit të Komisionit Ministror për hartimin, përgatitjen dhe zbatimin e projektit “Memoriali për fëmijët e vrarë gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë”, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, theksoi rëndësinë e veçantë që ka ky proces.

Ai ritheksoi se është detyrë e secilit prej nesh, që të mos ndalemi së kërkuari drejtësi, e që e vërteta të dalë në pah për të gjitha jetët e humbura të fëmijëve gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë.

Në këtë takim u shqyrtua dhe miratua Plani i Veprimit për ndërtimin e Memorialit për Fëmijët e Vrarë Gjatë Luftës në Kosovë, hartuar nga Grupi Punues i mandatuar me Vendimin e Komisionit Ministror, të datës 13 tetor 2022.

“Jam e nderuar të jem pjesë e këtij procesi kaq të rëndësishëm, në përpjekjet tona të përbashkëta për përkujtimin e fëmijëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë”, tha kryesuesja e Grupit Punues, znj.Saranda Bogujevci, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës.

Grupi Punues, i mandatuar me hartimin dhe monitorimin e Planit të Veprimit për ndërtimin e Memorialit për Fëmijët e Vrarë Gjatë Luftës në Kosovë, me përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, do të zgjerohet me përfaqësues të familjeve të fëmijëve të vrarë gjatë luftës, ekspertë, përfaqësues të organizatave vendore dhe ndërkombëtare, thuhet në komunikatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat