​Për herë të parë kryhet ndërhyrja TAVI në Spitalin Amerikan

Kosova

​Për herë të parë kryhet ndërhyrja TAVI në Spitalin Amerikan

Më: 23 dhjetor 2022 Në ora: 18:40
Ilustrim

Për herë të parë në Kosovë një pacient 79 vjeçar i është nënshtruar një ndërhyrje në zemër me metodën e implantimit të Valvules Aortale Transkateterike e njohur si TAVI. Kjo ndërhyrje është kryer në Spitalin Amerikan në Prishtinë nga kardiologu i njohur shqiptar, Florim Cuculi.

Ndërhyrja TAVI është një ndërhyrje ku aorta arrihet përmes arteries që ndodhet në rrëzë të kofshës ose nga një tjetër enë gjaku në trup pa kryer ndonjë prerje dhe në këtë mënyrë kjo pasohet nga anulimi i valvulës së vjetër dhe implantimi i një valvule të re brenda saj.

E kardiologu, Florim Cuculi, i cili kishte ardhur nga Luzern i Zvicrës për një intervenim të tillë në Kosovë u shpreh tejet i lumtur që në Kosovë po bëhet ky operim për herë të parë.

Cuculi tregoi se gjendja shëndetësore e pacientit është shumë e mirë.

Cuculi: Pacienti 79 vjeçar kryen ndërhyrje me metodën TAVI, kaloi shumë mirë

“Sot në Spitalin Amerikan bashkë më ekipin time e bëmë këtë procedurë u zëvendësua valvula aortike tek pacienti 79 vjeçar, intervenimi kaloi shumë mirë natyrisht që emocionet kanë qenë shumë të larta sepse është hera e parë që bëhet diçka e këtillë në këtë institucion dhe vend. …Faleminderit pacientit dhe familjes që na besoi këtë intervenim dhe Spitalit Amerikan që na mundësoi këtë intervenim”, u shpreh Cuculi.

Kardiologu Cuculi tregoi më shumë rreth kësaj metodë e cila për herë të parë është aplikuar në Kosovë.

Cuculi: Për herë të parë po bëhet ndërhyrje me metodën TAVI në Kosovë

“Bëhet fjalë për ndërhyrjen e zëvendësimit të valvules aortike dhe katedër që quhet metoda TAVI, është hera e parë në Kosovë ku e kemi bërë këtë intervenim. Valvula aortike është valvula që degjeneron sidomos në moshën e vjetër dhe numri i pacientëve shtohet me moshën e pacientit. Derisa tani terapia terapia standard është zëvendësimi me operacion, me kirurgji të hapur, kurse zëvendësimi i valvulës aortike pa kirurgji të hapur me katedër nuk është bërë deri tani në Kosovë”, tha ai.

Metoda TAVI kryesisht kryhet tek pacientët mbi 75 vjeçar, kurse kardiologu shqiptar, Florim Cuculi u shpreh se një intervenim i tillë ka shumë avantazhe që pacienti ta kalojë më lehtë ndërhyrjen, dhe nuk kërkon rehabilim të gjatë.

Cuculi: Metoda TAVI ka shumë avantazhe

“Ka shumë avantazhe dhe ky intervenim në Evropë do të thotë bëhet sidomos tek pacientët mbi 75 vjeçar…avantazhet kryesore janë nuk duhet të jetë me narkozë pacienti nuk është në atë makinën që e zëvendëson zemrën dhe është operacion që e përballoj pacienti shumë më shumë pasi që pacienti nuk intubohet dhe nuk është në anesteziolog gjeneral, por vetëm lokal, pacienti është i zgjuar gjatë tërë procedurës. Dhe zakonisht pacienti rrinë në spital për shembull vetëm dy ditë. … pacienti i moshuar nuk ka nevojë të rehabilitohet sepse ai shkon direkt në shtëpi dhe vazhdon jetën e tij… disavantazhi është se janë kostot dhe në këtë rast natyrisht që bëhet fjalë për valvula është shumë e shtrenjtë dhe kjo e bënë gjithë intervenimin të shtrenjtë”, theksoi Cuculi.

Kardiologu, Florim Cuculi u shpreh se synon edukimin edhe të kolegëve të tij për këtë metodë të moderne të intervenimeve në valvulën aortale.

Cuculi: Qëllimi është që edhe kolegët e mijë në Kosovë të kryejnë intervenime të tilla pa mua

“Qëllimi nuk është që unë të jem i pazëvendësueshëm, por qëllimi është që të bëhem i zëvendësueshëm që t’i stimuloj kolegët lokal këtu në Kosovë që këto punë t’i kryejnë vetë me ndihmën time dhe të tjerëve që kjo punë te shkoj përpara edhe pa praninë time”, deklaroi ky kardiolog.

Të lumtur që ishin pjesëmarrës në këtë intervenim dhe po mësojnë metoda të reja për të ofruar shërbime më moderne dhe cilësore për pacientët e tyre u shprehën edhe kardiologët e Spitalit Amerikan.

Kardiologu, Luan Përçuku u shpreh se metoda TAVI është hap i madh për shëndetësinë dhe pacientët në Kosovë.

Përçuku shpreson që ndërhyrjet e tilla të vazhdojnë tutje në Spitalin Amerikan.

Përçuku: Rast i mirë që të mësojmë më shumë, uroj që kjo punë të vazhdoj në Spitalin Amerikan

“Është një akt i madh për intervenimet perkutane të kardiologjisë intervente tani më mund të themi dhe strukturale në Kosovë, ishte rast i mirë për mua që të mësoj dhe uroj që kjo punë kështu të vazhdoj në Spitalin Amerikan të jetë një hap i mbarë dhe i mirë si për pacientin që sapo e përfundoi profesor Cuculi, por edhe pacientët tjerë që do të kenë nevojë për këto lloj intervenime”, deklaroi ai.

E departamenti i Kardiologjisë në Spitalin Amerikan ka eksperiencë të gjatë në trajtimin e patologjive kardiake.

Krahas, intervenimit TAVI i cili u bë për herë të parë në Kosovë, në këtë spital për herë të parë janë kryer edhe ndërhyrjet endovaskulare në aortë, TEVAR dhe EVAR.

Departamenti i Kardiologjisë dhe Kardiokirurgjisë në Spitalin Amerikan në Kosovë mbulon me shërbim 24 orë në 7 ditë të javës çdo kërkesë të poliklinikës dhe urgjencave kardiake duke i trajtuar në mënyrë medikale, perkutane/endovaskulare, si dhe me kirurgji në varësi të rastit dhe gjendjes së pacientit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat