​Sfidat e grave në biznesin e kultivimit të çajit bio

Kosova

​Sfidat e grave në biznesin e kultivimit të çajit bio

Më: 24 dhjetor 2022 Në ora: 14:28
Foto ilustrim

Kadrija, Ava e Slagjana shoqërinë më të mirë po e gjejnë në natyrë. Ato janë “bletët” e hershme të pranverës që janë në kërkim të bimëve magjike. Me vite të tëra po bëjnë grumbullimin e tyre, ku prodhojnë çaj shërues për sëmundje të ndryshme. Njohuritë që kanë për secilën lule në natyrë janë të panumërta, por nuk mjaftohen me kaq. Të tri gratë nga Kosova po kultivojnë në masë të madhe edhe bimë të tjera, ku përgjatë tërë vitit bëjnë shitje të çajit me shije të ndryshme. Ato kanë kërkesa edhe për institucionet të cilat nuk është që ua zgjatën dorën.

Me daljen e lules aguliçe në natyrë, Kadrije Mustafa nga Kamenica pjesën më të madhe të kohës e kalon në natyrë. Që nga paslufta ajo të vetmet të ardhura i siguron nga prodhimi i çajit, duke kultivuar rreth 30 bimë. 

Vullneti e karakterizon drejtoreshën e “Bio Alta”, ani pse, jo gjithmonë punët i kanë ecur mirë. 

Mustafa: Kultivojmë shumicën e bimëve

“Bëjmë kultivimin në natyrë çka dalin bimët dhe kultivojmë vet shumicën. Kultivojmë rigonin, menten, hithin, erëzat e kuzhinës, rozmarinën, melisen, levandën, të gjitha i kultivojmë vetë. Të tjerat i mbledhin në natyrë. Lulja e parë që del është lulja aguliçe, është për frymëmarrje, për bronhit është shumë e mirë, hithi po ashtu është për alergji për hekur, për pagjakësi, për infeksione të ndryshme. Kantarioni po ashtu është për infeksione të ndryshme. Çajin e blirit e njohin edhe më herët. Menta është po ashtu e mirë, e kultivojmë vet. Shumicën tjetër e marrin në natyrë”, tregon ajo.

Teksa numëron efektet e çajit bio, Kadrija përsërit disa herë se “një çaj është më mirë se një kafe”. Emri i biznesit të saj tashmë ka zënë vend në shumë rafte të marketeve në Kosovë. 

Mustafa: Numri i çajeve që i kultivojmë është afër 30 lloje

“Numri i çajeve që i kultivojmë është afër 30 lloje. Shumicën që i bëjmë i ndalim këtu për vete çka i paketojmë, kemi edhe paketimin. E shumicën i çojmë në Istog te ‘Agro-produkti’, ku i kemi marrë edhe hapat e parë prej tij, kemi mësuar bimët cilat janë helmuese, cilat janë johelmuese. I kemi edhe aty lulet helmuese cilat janë, e kemi listën e tyre. Me trajnime kemi mësuar shumë, kemi arritur deri këtu”, shton Mustafa. 

Përveç marketeve, numër i madh i të moshuarve bëjnë kërkesa direkte për blerjen e produkteve të saj. Gruaja nga lagjja “Malësia” tregon se tash e gjashtë vjet kanë hapur biznesin, por nuk ka gjetur përkrahjen e institucioneve.

Mustafa: Prej institucioneve nuk kemi pasur përkrahje

“Prej institucioneve për Zotin nuk kemi pasur ku me ditë sa përkrahje. Prej Komunës (së Kamenicës), pothuajse hiç e hiç”, shprehet ajo. 

Përveç mungesës së përkrahjes, ajo flet edhe për sfidat që has një grua që merret me biznes të tillë. 

Mustafa: Për një grua është shumë vështirë

“Për një grua është shumë vështirë që të merresh me këto, se pothuajse i bëj edhe punët e grave se këto marrin punë me i prashit, me ja heq parojat, që të bëhen fidanët vet, vet i bëjë fidanët i kultivojë i mbjelli krejt vet”, rrëfen mes tjerash ajo. 

Gruaja nga Kamenica, e cila në 30 ari tokë kultivon bimë të ndryshme, tregon se vendi ku po bën tharjen e tyre nuk i plotëson kushtet. 

Mustafa: Është vështirë shumë që të punohet këtu në këtë hapësirë kaq të vogël

“Në këtë lokal, në kaq metra katror, është shumë i vogël. Puna është e madhe, ka shumë por duke e falënderuar bashkëshortin tim dhe fëmijët që i kam me ndihmesën e tyre që ma kanë bërë, jam këtu ku jam... Është vështirë shumë që të punohet këtu në këtë hapësirë kaq të vogël edhe pse jam mundur që ta rrisë këtë biznes, të rritet sa më shumë. Është shumë e vështirë, por kërkesa i kam bërë komunës edhe më herët për një hapësirë pak më të madhe, dhe jam i vetmi biznes që merrem me bimë mjekësore aromatike këtu në Kamenicë, por nuk kanë dashur që të na ndihmojnë”, tregon Kadrija. 

Në anën tjetër të Kosovës, një grua rreth të pesëdhjetave po bën rrugë me kilometra për të siguruar bimë të ndryshme. Ava Veliji nga fshati Mushnikovë e Prizrenit bashkë me burrin e saj tash e dhjetë vjet po prodhojnë rreth 10 lloje të çajit.

Ajo bën edhe lëngje të ndryshme nga mjedra, boronica, e manaferra. 

Veliji: Për të gjitha sëmundjet ekzistojnë bimë në bjeshkën tonë

“Së pari, arsyeja është shëndeti që na shtynë që të merremi me këtë punë si dhe për shkak të njerëzve të cilët i kërkojnë këto çaja e të cilët vuajnë nga sëmundjet e ndryshme, për t’i zier, përgatitur ato, për sëmundje të ndryshme siç është sëmundja e sheqerit, e yndyrës në gjak, kundër tensionit etj. Pra për të gjitha sëmundjet ekzistojnë bimë në bjeshkën tonë. Pra, për këtë arsye ne kemi dashuri ndaj kësaj pune, për mbledhjen e këtyre bimëve që njerëzit të mund të shërohen nga sëmundjet, në mënyre natyrale të shërohen”, tregon gruaja rreth të pesëdhjetave.

Gruaja boshnjake njeh mirë pothuajse secilën bimë në hapësirat e bjeshkës. Prandaj flet edhe për efektet e çajit dhe pse njerëzit dëshirojnë t’i konsumojnë. 

Veliji: Njerëzit vijnë tek në që vuajnë nga sëmundje të ndryshme 

“Pra njerëzit vijnë tek ne, të cilët vuajnë nga sëmundjet e ndryshme si p.sh. nga shtypja e gjakut, sheqeri/diabeti. Ata vijnë dhe kërkojnë apostafat çaj bimor, por ka edhe njerëz të cilët e blejnë vetëm nga dëshira, të përdorin thjeshtë çaj bio sepse nuk preferojnë çaj artificial që blihen në markete por thjeshtë dëshirojnë të përdorin çaj bio. Pasi që kualiteti i çajit bio nuk krahasohet me ato të marketeve. Pra dëshirojnë çaj të shtëpisë siç ne këtu i quajmë. Ja për shembull çajin e gllokut e përdorim kundër tensionit të gjakut, çaji menta është po ashtu i mirë sepse është i pastër dhe merret nga natyra. Njerëzit janë po ashtu shumë të kënaqur që përdorin çajin. Por problemi ynë është që nuk kemi ku t’i ruajmë. Pra, na duhet një frigorifer me ngrirës prej 200 deri në 500 litra, nuk kemi vend ku t’i ruajmë ato”, rrëfen ajo për KosovaPress. 

Përkundër vullnetit e dëshirës që të merret me bimë të natyrës, ajo tregon se si grua po has në vështirësi. 

Veliji: Për një grua është shumë e vështirë

Për një grua është shumë e vështirë, ja pra si unë që nuk mundem aq lehtë të ngjitem në bjeshkë është e vështirë, rruga të cilën duhesh ta përshkruash, pra të duhen 15 km që të mbërrish atje në bjeshkë. Është e vështirë deri sa të shkosh deri atje lart. Ndërsa, atje pasi të mbërrish nuk është e vështirë të mbledhësh, por ajo rrugë derisa të shkosh atje është e vështirë”, shton ajo. 

Llojet e ndryshme të çajit të cilat po i kultivon Ava nga fshati Mushnikovë, thotë se tashmë po shiten dhe porositen përtej kufijve. 

Pas mbledhjes së luleve në natyrë, Ava Veliji tregon se nuk posedojnë hapësira të veçanta për tharje dhe grumbullim të bimëve. Ajo dhe bashkëshorti i saj, Ismeti tashmë janë të vetëm në këtë biznes. Po ashtu tregon se ata posedojnë një hektar tokë dhe dëshirojnë që të mbjellin bimë të ndryshme, ku do të mundësonin punësimin e shumë banorëve të fshatit. 

Veliji: Makinë për të tharë bimët nuk kemi 

“Jo vend për t’i tharë bimët nuk kemi, pra një lloj makine e cila do t’i thante bimët që të mund t’i mbledhim edhe më shumë. Ne kemi dëshirë dhe vullnet, por ne jemi vetëm dy unë dhe burri im, ne do të dëshironim t’i punësojmë edhe disa punëtorë të tjerë që ky biznes të zgjerohet dhe pastaj të kemi mundësi t’i paketojmë ato dhe në fund t’ju shesim marketeve këto çaja natyrorë. Pra, ne këto do të donim t’i kishim por nuk i kemi këto mundësi, askush nuk na ka ndihmuar”, përfundon ajo.

Në një fshat të Kamenicës, që nga pandemia intensivisht po punon edhe Slagjana Nikoliq. Ajo merret me prodhimin e hithrave në një plantacion prej 60 ari tokë. 

Kompanisë së saj, ajo i ka vendosur emrin “Liostep”, që primare e ka kultivimin e hithit dhe përpunimin e saj. 

Nikoliq: Kemi bërë plantacione me hithra kur ka qenë korona

“Epo ne kemi bërë plantacione me hithra atëherë kur ka qenë korona, kemi qenë pa obligime, por para kësaj kemi pasur plantacione, kemi akoma plantacione me mjedra, plantacione arre, pra disi ka filluar më shumë si hobi dhe tani është bërë biznes. Po kemi dy plantacione, një plantacion është në Berivojc dhe një plantacion është këtu në dalje nga Kamenica, në Berivojc është 10 ari, dhe kjo tjetra është më e madhe dhe është 50 ari”, tregon Nikoliq për KosovaPress. 

Me mbledhjen e hithrave, Slagjana, e cila është serbe e Kosovës, po bën përpunimin e tyre dhe prodhimin e çajit e kapsulave. Në fillim të gjithë këto i ka punuar me dorë, ndërkaq tashmë këto po i bën me makinë. 

Nikoliq: Hithin mund të përdorin të gjithë

“Tani vetitë e tyre medicinale në përgjithësi janë të njohura, vetitë e hithrës si bimë dhe ajo nga populli përdoret gjatë, megjithatë, përdoret e freskët derisa ka edhe njerëz që e përdorin për përgatitjen e çajit, për përgatitjen e piteve, nuk është në dispozicion gjatë tërë vitit. Kështu e paketuar në kapsulla do të jetë në dispozicion gjatë tërë vitit dhe ajo u rekomandohet njerëzve që kanë probleme me anemi me traktin urinar me alergji. Në përgjithësi njerëzve që kujdesen për shëndetin e tyre, veganë, p.sh., sportistët, fëmijët që kanë probleme”, shprehet ajo. 

Pas mbledhjes së hithrave, fillon procesi i liofilizimit ku thahen në temperatura të ulëta. Më pas, Slagjana i paketon në thasë ku më pas shndërrohen në pluhur me ndihmën e makinave të caktuara. Për të vegjël e të rritur, ajo tregon se çaji e kapsulat që po prodhon, kanë efekt në shërimin e sëmundjeve të caktuara. 

Përkundër punës së madhe, Nikoliq tregon se po ballafaqohet me probleme financiare e procedura të stërzgjatura për certifikim. 

Nikoliq: Sa u përket institucioneve nuk kemi pasur ndihmë

“Sa u përket institucioneve nuk kemi pasur ndihmë edhe pse as nuk kemi kërkuar ndihmë nga ministria apo diçka e ngjashme, e vetmja gjë është që jemi në proces të certifikimit në Ministrinë e Prodhimit Organik dhe presim certifikatën e tyre... (20:05) Po këto në esencë janë gjëra burokratike leje, certifikate, disi ajo pjesë ndoshta edhe një objekt me kapacitete më të mëdha sepse kemi menduar se kjo nuk do të ketë kaq shume kërkesë për këto kapsula tona, mirëpo ne panaire dhe ne përgjithësi në internet ka kërkesë të madhe, dhe nuk e di sa do të jemi në këto kushte të kemi mundësi për ta mbuluar të gjitha, sigurisht që po planifikojmë një zgjerim nëse vazhdon kështu ky trend i kërkesës, vetëm ky është problemi se për shembull Kamenica nuk ka një zonë industriale ku do të mund të kishim të gjithë infrastrukturën ku do të ndërtonim një ndërtesë dhe do të zhvillonim biznesin tonë, por është thjesht në pronë private e gjitha”, vijon ajo. 

Kadrija, Ava, e Slagjana kërkojnë përkrahjen institucionale që të jenë më të forta në bizneset e tyre. Ato thonë se ndihma në makineri e mbajtja e panaireve më të shpeshta, do u ndihmonte që puna e tyre të bënte jehonë kudo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat